Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Roland Gjini: LEF NOSI DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË



Prof. dr. Roland Gjini
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Lef Nosi, lindur në Elbasan në vitin 1877, që në fillimshekullin XX, bëhet tepër aktiv në lëvizjen kombëtare, madje, në momente kyçe, do të luajë rolin e protagonistit, jo vetëm për trevën e Elbasanit, por edhe më gjerë, për krejt trojet shqiptare. Në mënyrë të veçantë u dallua si aktivist politik në lëvizjen atdhetare shqiptare për çlirim kombëtar nga pushtimi osman, në Shpalljen e Pavarësisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar në Kuvendin e Vlorës të vitit 1912.
Që herët, Lef Nosi do t`i bashkangjitet idesë së Shqipërisë autonome dhe kërkesës së përgjithshme të muslimanëve e të krishterëve për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollave kombëtare, si edhe do të japë kontributin e tij financiar për futjen në vend, fshehurazi, të librave, gazetave e broshurave në gjuhën shqipe. Në fillim të viteve 1900, kur, lëvizja kombëtare kishte hyrë në fazën e organizimit të saj në përmasa mbarëshqiptare, Lef Nosi, sikurse edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Faik Konica etj, të vetëdijshëm për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë nga monarkitë fqinje dhe nga qëndrimi i diplomacisë evropiane, përkrahu idenë, e shprehur më parë nga Ismail Qemali në platformën e tij për autonominë e shqiptarëve, se “udha më e drejtë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e përhapjes në popull e shkrimit dhe e këndimit shqip, e dijeve dhe diturisë”. (Hist. e pop. shqiptar, Vëll.II, TOENA, 2002, f. 323)
Në letërkëmbimet e dendura me Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosi, shpreh vëmendje të veçantë për problemet e gjuhës dhe të shkollës shqipe, zgjidhjen e të cilëve i shikonte si leva të rëndësishme të ngritjes së nivelit të ndërgjegjes kombëtare, të përparimit të shqiptarëve dhe të bashkimit të tyre politik. Përdorimin e gjuhës shqipe e shihte si domosdoshmëri edhe në kishën ortodokse shqiptare. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1908 Noli i shkruan atij nga Amerika se “Ka dy muaj që një prift shqiptar në Amerikë ka marrë lejen të meshojë shqip … Edhe ju e të gjithë ortodoksët e Elbasanit mund të mblidheni e t`i dërgoni një letër Patriarkanës ku t`i kërkoni t`ju dërgojë një dhespot që të dijë shqip dhe t`ju jap leje të meshoni shqip në gjithë kishërat”. (AQSH, Fondi 32, Dosja 55, f. 3)
Në fillim shekullin XX, do të mbështesë lëvizjen për kishën unite, të ndërmarrë në Shpat e Elbasan nga At Germanos, ose Jorgji Theohari. Lefi u dallua si kundërshtar i hapur i ortodoksisë greke, gjithashtu ai arriti të bashkëpunojë me sukses në këtë lëvizje edhe me figura elbasanase të lagjes Kala të përkatësisë fetare muhamedane, si Dervish Bej Biçaku, duke dëshmuar kështu shembullin më të spikatur të harmonisë ndërfetare. Tepër aktiv Lef Nosi do të tregohet në botimin e fjalorit-shqip-greqisht të Konstandin Kristoforidhit. Stefani, i biri i Kristoforidhit, i rënë ngushtë nga ana ekonomike, së bashku me Veniaminin, vëllain e Lefit, do t’ia shesin këtë fjalor autoriteteve greke për 170 franga. Me të rënë në dijeni për këtë veprim, Lef Nosi nguli këmbë për rikthimin e fjalorit. Së bashku me Stefanin ai shkoi në Konsullatën greke në Durrës dhe u kërkoi zyrtarëve grekë ose kthimin e fjalorit, ose realizimin e botimit. Ky veprim i tij, si dhe aktiviteti i mëparshëm politik, shqetësoi edhe autoritetet osmane dhe, në shkurt të vitit 1901, Lef Nosi arrestohet nën akuzën “për faje politike”, nën preteksin se në korrespondencën e tij u gjetën thirrje për kryengritje AQSH, (Fondi 32, Dosja 59, f. 5.) kundër Perandorisë Osmane. Pas 7 muaj qëndrimi në burgun e Elbasanit, në pritje për të dalë në gjyq, ai dërgohet në Selanik. Në burgun e këtij qyteti qëndron edhe 5 muaj të tjerë, deri më 22 shkurt 1902, kur del në gjyq dhe gjykata osmane e Selanikut i jep pafajësinë, për mungesë provash, duke u liruar nga burgu i Jedi Kullës. Ndërkohë që qëndronte në burgun e Selanikut, në Elbasan do të arrestohen dy vëllezërit e tij: Anastasi, anëtar i Këshillit Administrativ të Prefekturës, dhe Veniamini, tregtar, të cilët burgoset nën akuzën për tradhëti dhe intriga, por lirohen edhe këta për mungesë provash, me vendim të gjykatës luftarake të Manastirit. (AQSH, Fondi 32, Dosja 59, f. 5.)
LIDHUR ME FORMËN E QEVERISJES SË SHQIPËRISË
Lidhur me formën e qeverisjes së Shqipërisë, Lef Nosi do të evoluojë që herët nga platforma e autonomisë drejt idesë së pavarësisë. Ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike Ana Kombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party), e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, e cila ka programin e saj të qartë prej 24 pikash.
Është për t’u vlerësuar fakti se Lef Nosi, si intelektual i kujdesshëm dhe largpamës, mbante rregullisht shënime për ngjarje e dukuri të rëndësishme të kohës. Shpesh shënimet e tij, të ruajtura me kujdes, shërbejnë si burim kryesor historik për studiuesit e sotëm. Në rastin tonë, programi dhe roli i organizatës Ana Kombëtare njihet mirë pikërisht në sajë të shënimeve të tij, të arshivuara në dosjen e lartpërmendur. Në to, Lef Nosi thekson pikat më të rëndësishme të programit, duke i zbërthyer, komentuar e sqaruar ato. (AQSH, F. 32, D. 30, f. 2)  Ndalet fillimisht në 5 pikat më kryesore, të cilat shprehin në mënyrë thelbësore idetë për ngritjen e funksionimin e shtetit të pavarur shqiptar. Që në pikën e parë, shteti i ri shqiptar përcaktohet si i pavarur nga ndonjë fuqi tjetër, ndërsa në pikën 2, ky shtet ideohet në formën e monarkisë, me mbret një princ nga dyert mbretërore të Evropës. Në shënimet e tij, Lefi, del hapur si përkrahës i flaktë i monarkisë, duke sjellë si shembull Norvegjinë, që kaloi nga republika në monarki me mbështjetjen e Europës. Prandaj ai thekson se “Është fat të besojmë se Evropa monarkike do t’na lejojë, në u çlirofshim, të jemi mbretëri më vete. Edhe sikur të duam të jemi ndryshe e të zgjedhim një princ jashtë këtyre dyerve, s’na dëgjojnë fuqitë e mëdha. Ndaj është mirë që gjithë burrat me mendje të pjekur duhet të kuptojnë këtë e mos largohen nga realiteti në ëndërrime e shpresa të kota”. Sa i takon hapësirës gjeografike të shtetit të pavarur shqiptar, në programin e Anës Kombëtare në një pikë më vete jepet përfshirja në fjalën “Shqipëri” të 4 vilajeteve, të Janinës, Shkupit (Kosovës), Manastirit dhe Shkodrës. Në një pikë tjetër të programit përvijohet qëndrimi që do të mbahet ndaj pakicave kombëtare, greke apo sllave, që ndodhen brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. “Sllavëve e grekëve që kanë mbetur në këtë anë të kufirit mund t’u shpërblehet toka nëse duan të ikin, o mund të ndreqen me anë të një komisioni të veçantë me shkëmbimin e tokës dhe gjësë me shqiptarët e mbetur në atë anë të kufirit dhe që duan të zënë vend në mbretërinë shqiptare.” Drejtuesit e Anës Kombëtare në programin e shpallur, në një pikë të veçantë, sigurojnë lirinë dhe barazinë e shtetasve me kombësi jo shqiptare brenda kufijve të shtetit shqiptar: “Të gjithë subjektet e Mbretërisë që s’janë shqiptarë nga gjaku do të gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët, do t’u sigurohet liria e pasuria.” Nisur nga modeli i shteteve monarkike moderne të Europës, në program shteti i pavarur shqiptar përcaktohet laik: “Mbretëria shqiptare do të rrijë e paanshme në fe e fetë. Çdo feje do i sigurohet lirija sipas kanuneve.” (Po aty). Pikat në vazhdim, të komentuara nga Lef Nosi, paraqesin në mënyrë të detajuar organizimin e Anës Kombëtare, nga qendra (Londra) deri në degët e saj nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri. Pika (artikulli) 11 tregon se qendër e organizatës Ana Kombëtare është zgjedhur Londra, ndërsa Lef Nosi argumenton faktin përse pikërisht ajo, duke theksuar se është “… vendi më i mirë nga pikëpamja politike, vend që garanton lirinë e paanësinë. … Grand Britania (GBR) e SHBA, e sidomos Grand Britania, është më afër Shqipërisë. Në Angli u gatua liria e grekëve, bullgarëve e shumë viseve të tjera, është ajo që drejton mendjet e botës, opinionin publik të kombeve të qytetëruara. Pra, Londra duket vendi më i mirë për politikën tonë.” (Po aty).
LIDHUR ME ORGANIZIMIN E ANËS KOMBËTARE
Programi parashikon që anëtarët e secilës degë në qytetet shqiptare do të zgjedhin nga një të parë (kryetar) dhe tre këshilltarë, për çdo tre vjet. Kryetari zgjedh një o më shumë sekretarë. I pari do të ketë tri detyra: a. të përhapë programin e Anës Kombëtare, b. të ndërtojë e drejtojë politikën e jashtme të Anës …, c. të mbajë disiplinën mes anëtarëve të Anës … Ndërsa këshilltarët e sekretari do të ndihmojnë kryetarin e do të kontrollojnë mbledhjen e pagesave.
Programi i Anës Kombëtare, në mënyrën e të hartuarit, nuk ishte formal e as shabllon, ai ishte konkret dhe mbështetej fort në traditën dhe psikologjinë e shqiptarëve. Prandaj në të theksohej se “Parimi themelor … do jetë besa, burrëria, drejtësia e njerëzia. Kryefjala e Anës do të jetë “energji pa shterim””, shkruhet në të.
Lefi Nosi, duke marrë përsipër të sqarojë e komentojë synimet e programit pikë për pikë, mes të tjerash, kundërshton “gojët e liga”, që flasin për përçarjen e qëndrimin e ftohtë të shumë atdhetarëve shqiptarë të dalë nëpër Evropë, në lidhje me çështjen kombëtare. Ai thekson se programi s’është i nevojshëm vetëm për të huajt, por sidomos për shqiptarët që duan të dinë se ku po i çojmë. “… kta shqiptarë duhet të dinë se kur të kërkojnë ndijmën e një vendi të huaj do ndeshen me tre pyetje: “1. Cilin keni udhëheqës? 2. Në emër të kujt flisni? 3. Cili është programi juaj? Pasi njohin programin tonë do të na ndihmojnë jo se jemi komb i vjetër, trim e i nderë, por se kërkojmë gjëra të arsyeshme e të drejta.” Duke i tërhequr vëmendjen elitës shqiptare për bashkim dhe qartësi mendimi, ai jep porosi në lidhje me programimin e lëvizjes kombëtare drejt pavarësisë: “Nëse doni të më bëni që të punoj për ju duhet të më thoni se ç’qëllim keni. Thërrisni të kërkoni ndihmën time në emër të bashkimit, por duhet të më tregoni themelet mbi të cilët më thërrisni ta kërkojmë bashkimin tonë. Këtë e bën programi, që është themeli i çdo bashkimi …” (AQSH, F. 32 d. 6, f. 1-4.)
Duhet të pranojmë që programi i Anës Kombëtare nuk u vlerësua nga një pjesë e mirë e elitës kombëtare, duke ditur lidhjet e saj me Turqinë, domosdo që këta, në këtë kohë, nuk mund të ishin për shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Gjithashtu, në shpërfilljen që pjesa më e madhe e elitës shqiptare i bëri Anës Kombëtare, mund të ketë ndikuar edhe shpresa e tyre nga Lëvizja Xhonturke, që premtoi disa liri, deri në autonomi, për popujt e Perandorisë. Në fakt Lef Nosi, ashtu si Faik Konica, nuk besoi shumë në premtimet e xhonturqve, një arsye më shumë kjo që i shtyu ata drejt idesë së pavarësisë së shqiptarëve. Megjithatë, pranonte edhe vetë Lefi, ndoshta kërkesa drejt pavarësisë mund të jetë e parakohëshme, duke menduar se ende nuk ishin krijuar kushtet e brendshme për zgjidhje radikale, dhe duke shpresuar në ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, ai parapëlqente zgjidhjen e saj me rrugë paqësore. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1908, euforia e ideatorëve shqiptarë të Londrës për pavarësi nuk gjeti përkrahje të gjerë dhe Ana Kombëtare nuk arriti të organizohej në viset shqiptare. Po këtë vit, 1908, Lef Nosi u kthye nga Anglia në atdhe.
Mbështetur në burimet dokumentare austriake (AQSH, F. 32, D. 131, f. 4.) rezulton se në Kongresin e Manastirit të nëntorit të vitit 1908 ka marrë pjesë edhe Lef Nosi, megjithese pa të drejtë vote. Më parë ai kishte kërkuar që kongresi i alfabetit të shqipes të mbahej në Elbasan, megjithëse ky propozim nuk u miratua dhe ai nuk u caktua si delegat për në Manastir, ai përsëri shkoi atje, në mbështetje të miratimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres, ai përkrahu fort idenë e Gjergj Fishtës dhe të Ndre Mjedës, që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Gjithashtu, mbajtjen e këtij Kongresi Lef Nosi e shihte si një fillim të organizimit të aktivistëve politikë shqiptarë kundër Perandorisë osmane dhe xhonturqve, që kishin devijuar nga programi i tyre, prandaj në ato kohë ai shkruante se “… me rrugën e re që kish nis Perandoria otomane u pa e nevojshme të mblidhen përfaqësuesit e kombit për të përcaktuar vijën që duhej ndjekur për të mirën e kombit. E strehuar nën hijen e abc-së, Kongresi i Manastirit qe një shkak për bisedime më të larta dhe këmbëza mbi të cilën u mbështet një nga shtyllat e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve”. (Gazeta Lirija, 1909, 3 janar.)
 Pas përfundimit të punimeve të Kongresit do të bëhet një luftëtar i flaktë për mësimin e gjuhës shqipe, sipas alfabetit të aprovuar në këtë kongres. Shkolla e parë shqipe zyrtare hapet në Elbasan në 2 gusht të vitit 1908. Ndërsa një muaj më pas Lef Nosi bashkë me Petër Avramin, Simon Shuteriqin, dhe zonjat Parashqevi e Athina Cicon, në vazhdim të traditës së Konstandin Kristoforidhit, u mësonin nxënësve shkrimin e këndimin e gjuhën shqipe, sipas alfabetit të Manastirit, në shkollën greke në lagjen Kala të këtij qyteti. (Po aty.) Mbështeti iniciativën e klubit “Bashkimi”, për të hapur shkolla të reja shqipe dhe, në tetor të vitit 1908, ai bashkë me Petër Dodbibën ngritën, po në lagjen Kala, një shkollë shqipe nate. Në këtë shkollë përveç Lefit e Petrit jepnin mësim, vullnetarisht, njerëz me arsim si Fot Papajani, Dhimitër Deliana, Josif Haxhimima apo Matthe Papajani. Këtu mësimet ndiqeshin nga më tepër se 80 nxënës që po mësojnë me shumë zell”, shkruante Lef Nosi në gazetën “Lirija”.[1] Gjatë kësaj kohe, në dyqanin e tij, krahas mallrave të tjera, shiste edhe libra shqip; madje në një kënd të dyqanit kishte krijuar një bibliotekë personaleku mbante “jo vetëm shumë libra shqip, -siç shkruante Mit`hat Frashëri- por edhe mjaft të tjerë në gjuhë inglisht, italisht dhe të tjerë. Kështu, dyqani bëhej vend i disa djelmoshave që kuvendojnë për gjëra mësimi” (Gazeta Lirija, 19 shëndre 1909, f. 3).
Please follow and like us: