Vatra Maimi bën histori, ngre për herë të parë flamurin shqiptar në Floridën e Jugut me 7 milion banorë
Për herë të parë në historinë e Floridës së Jugut, Flamuri Shqiptar u ngrit zyrtarisht në qytetin e Hollywood-it, një moment ky i rëndësishëm për komunitetin shqiptar të zonës. Ceremonia, organizuar nga Vatra Miami, u zhvillua në një atmosferë qe mblodhi së bashku anëtarë të komunitetit dhe përfaqësues të institucioneve lokale.
Një hap historik për komunitetin shqiptar
Kryetarja e Vatra Miami, zonja Iris Halili, hapi eventin me një fjalim ku nënvizoi rëndësinë e kësaj ceremonie për shqiptarët që jetojnë në Floridën e Jugut. Ajo kujtoi binjakëzimin e qytetit të Hollywood-it me qytetin e Vlorës në vitin 1994, duke lidhur simbolikisht këtë ngjarje me momentin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
“Ky flamur nuk është thjesht një simbol,” tha ajo. “Është një kujtesë e rrënjëve tona dhe një shenjë e përkushtimit për t’i ruajtur ato, ndërkohë që jemi pjesë aktive e shoqërisë amerikane”.
Mbështetje nga autoritetet lokale
Kryetari i Bashkisë së Hollywood-it, Josh Levy, mori pjesë në ceremoni dhe mbajti një fjalim të përzemërt, duke falenderuar komunitetin shqiptar për kontributin e tyre në qytet. Ai propozoi që ceremonia e ngritjes së flamurit të bëhet një traditë e përvitshme, duke e parë këtë si një mundësi për të thelluar lidhjet mes komunitetit dhe autoriteteve lokale. Gjithashtu, zonja Marie Paule Woodson, Përfaqësuese e Parlamentit të Shtetit të Floridës, Zoti Adam Gruber, Komisioner i Distriktit 4, vlerësuan nismën e Vatra Miami dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur projekte të ngjashme në të ardhmen. Woodson e quajti komunitetin shqiptar “një shembull të shkëlqyer të solidaritetit dhe ruajtjes së traditave”.
Një ngjarje që bashkon dhe frymëzon
Ceremonia kulmoi me ngritjen e flamurit nga fëmijët e Klubit Flas Shqip dhe Kryetarit të Bashkisë së Hollywood dhe vazhdoi me diskutime të hapura dhe ide mbi bashkëpunimin e ardhshëm, duke krijuar një urë të re komunikimi dhe mirëkuptimi mes komunitetit shqiptar dhe autoriteteve lokale. Përfaqësues të biznesit Shqiptar në Floridën e Jugut ishin te pranishëm në këtë event dhe duket se kjo ngjarje u pa edhe si një pikënisje për tradita të reja që nderojnë identitetin shqiptar dhe vendin që ata zënë në shoqërinë amerikane.