Mjerë ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore
Ndue Ukaj
Ndërkohë që në Kosovë furia e propagandës shtetërore flet për luftë, fabrika për monicion, e oborrtarë palaço, pa e distiluar fare budullallëkun, e shfaqin ashtu hapur në publik, një vend i largët si Norvegjia themelon Çmimin Jon Fosse për përkthyes letrarë, njëlloj nobeli për përkthime letrare, në emër të këtij shkrimtari që vitin e kaluar ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi.
Një nga arsyetimet domethënëse të këtij shteti ishte se “për një gjuhë të vogël si norvegjishtja, puna e përkthyesve të përkushtuar është vendimtare…”.
Pra, norvegjezët, ashtu si suedezët, danezët e finlandezët e mendojnë veten si popuj të vegjël, prandaj i ruajnë si sytë e ballit aleancat, kurrë nuk mburren e kurrë nuk çojnë krye dhe punët kryesore i orientojnë kah vlerat njerëzore, që lidhen me art, shkencë, arsim, zbulime, fusha këto që sjellin progres e përparim.
Kjo ngjet ngaqë ata besojnë se te vlerat e kulturës, pra, thënë ndryshe, ata i zgjerojnë hartat kulturore dhe jo ato të fuqisë së propagandës e të egërsisë.
Pikërisht kjo është arsyeja, pse në hierarkinë e vlerave botërore, kur bëhet fjalë për mirëqenie, zhvillim e progres, këto shtete janë krye të listës.
Pra, ky është lajmi i bukur që i jep peshë botërore gjuhës e kulturës norvegjeze.
Kështu rritet një popull e kështu i zgjëron hartat e ndikimit, me vlera dhe jo me arrogancë.
Çfarë ndodh me ne? Çfarë lajmë prodhojmë ne? Si e mendojmë vetveten në hartën botërore?
Si bëhemi kaq të marrë dhe e shpërfillim faktin se këtu është aleanca më e fuqishme botërore e sigurisë dhe flasim me arrogancë për luftë?
Kosova, një vend i vogël, pa shkolla normale, me një tufë udhëheqësish thellësisht injorantë e të armiqësuar mes vete, me një universitet në gjendje të mjerë, me tekste shkollore për faqe të zezë, me një varfëri të gjithanshme e me njerëz që duan të ikin në perëndim, në vend se të flasë e të angazhohet për tema që e lidhin me vlera të përbotshme dhe i sigurojnë progres, qeveria e ndez makinerinë e propagandës dhe flet për luftë, retorikë të cilën e shpreh me goxha egërsi.
Dhe, siç ka thënë George Orwell “e gjithë propaganda e luftës, e gjithë ulërima, gënjeshtra dhe urrejtja, gjithmonë vjen nga njerëz që nuk luftojnë”.
Ky shkrimtar, dihet, ka shkruar një vepër profetike, duke thënë të vërteta të makthshme rreth fuqisë së pushtetit dhe propagandës shtetërore, që bluan jetët njerëzore, e aplikuar në formën më brutale, përgjatë sundimit të perandorisë së kuqe, ku miliona njerëz u dënuan, u vran e ndjekën pa asnjë faj.
Pra, sa herë ka propagandë shtetërore, ajo bëhet për t’i kufizuar liritë njerëzore.
Këta “barinjtë politikë” që flasin në emër të “berrave”, pra popullit, e kanë vetëm një qëllim: duan berrat t’i bëjnë ushqim për epshe politike.
Kaq e thjeshtë është kjo punë.
Mjerë ata që u besojnë parullave e furisë së propagandës shtetërore.