Andrea Gudha: Lamtumirë e veçanta, Zoica Haxho!
Zoica Haxho, një ndër të parat pioniere të artit të baletit, që për vite me radhë ishte Prima Balerinë e TOB.
Lajm shumë i trishtueshëm!
Sot, u tronditën themelet e Koreografisë Kombëtare Shqiptare dhe skena e TOB! U nda nga kjo jetë Prima Balerina e TOB, heroina e baletit shqiptar, “Cuca e maleve” Zoica HAXHO (28 mars 1933 – 28 nëntor 2024)!
Një jetë plot art, që do të kish në qendrën e vet një grua dinjitoze, me personalitet dhe me karakter në skenë dhe në shoqëri, e cila iu përkushtua tërësisht, deri në vetëmohim, baletit!
Plotësisht e kulturuar dhe e emancipuar, e rritur dhe e edukuar në familjen e nderuar Asdurian!
Një artiste e nivelit të lartë, që, për 33 vjet (1957 – 1990), me punën dhe artin e saj, konsolidoi baletin shqiptar në skenën e TOB, edukoi dhe formoi profesionalisht breza balerinësh në Shkollën e Baletit.
Zoica Haxho solli dhe konsolidoi baletin klasik me një fizionomi krejtësisht shqiptare, por, solli një balet krejtësisht të ri, modern, në një vend, ku as mund të mendohej kurrë, se mund të lulëzonte baleti modern mbi rrënojat e një kulture të trashëguar obskurantiste.
Qysh në fillimet e saj në Balshoi Theatër, (në Shkollën Koreografike pranë tij), shkëlqeu, e cilësuar si talent i veçantë me një kërcyeshmëri të lindur, së bashku me partnerin e saj të skenës Argon Aliaj, fitoi çmimin e dytë në konkursin ndërkombëtar të baletit në Moskë në vitin 1956, me numrin koreografik ‘Flakët e Parisit’.
Më pas, pasi kreu studimet për balet, së bashku me një grup shokësh në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1957 emërohet balerinë në TOB, ku interpreton plot finesë rolin e Lizës në baletin “Kujdesi i kotë”.
Në vazhdim të viteve, ajo ishte pjesë e pandarë dhe vitale e vënies në skenë të shumë veprave të baletit botëror apo kombëtar, ku me punën e palodhur dhe me zhdërvjelltësinë e trupit të saj, jo vetëm, që, ndihu të krijoheshin e të viheshin në skenë veprat koreografike, por, me mjeshtërinë, pasionin e vullnetin e paepur, mbajti për 30 vjet thuajse gjithë repertorin e TOB, duke debutuar me sukses, thuajse, në çdo skenë teatri, brenda dhe jashtë vendit.
Me një galeri të pasur rolesh kryesorë që, nga baleti i parë “Kujdesi i kotë”, baletet: “Lola”, “Fadeta”, “Françeska da Rimini”, “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Petja dhe Ujku”, “Muza e Paganinit”, “Cuca e Maleve” dhe deri tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, ku e ngriti Nicën nga një rol dytësor në atë kryesor. (Statistikat janë në arkivin e TOB).
Kudo që ajo debutoi në Europë apo në Kinë, la mbresa të pashlyera dhe mori vlerësim maksimal për cilësinë e jashtëzakonshme të kërcimit të saj.
Pa ndrojtje, Zoica Haxho është ndër themeluesja e Shkollës Koreografike Shqiptare, jo vetëm si pedagoge, por me një kontibut të veçantë, me përpjekje titanike, për konsolidimin dhe për progresin didaktiko-pedagogjik dhe infrastrukturor të kësaj shkolle, duke trokitur me guxim në çdo derë të burokracisë pushtetare, deri tek nivelet më të larta.
Simbol, për të gjitha!
U prefsh në paqe në parajsë, e shtrenjta Zoica Haxho, nën tingujt e pianos, duke bërë çdo ditë “ushtrimet e kërcimit” me pasionin tënd të pashtershëm për baletin!
Ngushëllimet më të përzemërta Emilit, Teutës, Patit e Egit!