Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Për integrimet shqiptare

Unë besoj në integrimet shqiptare, sepse integrimet, në kuptimin më të lartë të fjalës, janë vlera të demokracisë perëndimore dhe besoj se ky proces është në dobi të rajonit dhe të rendit demokratik euroatlantik, për faktin se integrimet janë në funksion të paqes, përmirësimit të cilësisë së jetës dhe të krijimit të mundësive më të mira për të gjithë njerëzit.

Të mësojmë pak prej popujve europianë, të cilët, pas Luftës së Dytë Botërore, pasi kanë filluar rimëkëmbjen e ripërtëritjen, janë fokusuar që pikat e ndarjes t’i bëjnë pika të përbashkimit, kufijtë t’i shndërrojnë në porta të komunikimit, të këmbimeve kulturore, ekonomike e njerëzore. Dhe kjo ëndërr u bë realitet, sepse kishte njerëz që punonin në këtë drejtim, me mend, dashuri dhe jo me gjoks.

A mund të integrohen sot shqiptarët?

Deri me sot nuk është zhvilluar asnjë debat përmbajtësor dhe i vërtetë në këtë temë.

Ka pasur herë pas here depate periferike, pseudodebate e gulçima, por jo debate të shëndosha e krijuese.

Nuk besoj që ka faktorë të jashtëm, që i pengon shqiptarët të integrohen, por ka munguar dija dhe vullneti politik në të dy anët.

Mbase, faktorët më pengues janë ato rriqrat e brendshme, që i qortonte ashpër Fishta e Konica.

Besoj fort se ky proces mund të ndodhë (jam me shpresë se do të ndodhë), përkundër vonesave, që më së shumti i injekton politika e brendshme, herë kur e kap zjarrmia primitive patriotike e herë kur bie në kurthin e parullave elektorale, të tallavasë politike, siç ka ngjarë me një pjesë të skenës politike të Kosovës përgjatë viteve të fundit, duke e banalizuar këtë interes madhor me parulla shterpe për bashkim kombëtar.

Nuk ka ndonjë argument që mund ta kundërshtojë procesin e integrimit (të kemi të qartë, jo të bashkimit në kuptimin që është menduar), sidomos atë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, sepse, ky proces është në frymë të integrimeve europiane dhe duhet zhvilluar në përkim me këto standarde.

E, që të ndodhë kjo, politika në Prishtinë e Tiranë, pikësëpari duhet të shërohet e pastaj të kurohen nga komplekset e shumta e logjika e mëhallave dhe të angazhohen në projekte reale, të fushave të interesit të përbashkët, për të cilat asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk mund të thotë asgjë.

Për shembull: kush i pengon shqiptarët, që t’i unifikojnë politikat kulturore, ato të fushës së librit, të gjuhës, të komunikimit të lirshëm të librit dhe jo të trajtimit të tij si patate a hekur?

Që të jem ma i qartë, ja një shembull konkret: një shkrimtar shqiptar, le të themi nga Kosova a Maqedonia e ka të vështirë, për shkak të rregulloreve ligjore, të fitojë një çmim në Tiranë ose e kundërta, një nga Tirana a Maqedonia, të fitojë një çmim në Ministrinë e Kulturës së Kosovës.

E këso lloj përçudnish ka së të duash.

Pra, thjesht, askush nuk na pengon që të integrohemi, pos institucioneve tona dhe atyre llavave mediokre, që në çdo mundësi shohin nga një vështirësi.

Shqiptarët e kanë një mundësi ideale dhe një rast historike, që të mendojnë seriozisht integrimin e tyre, siç thoshte Rugova, në kuadër të proceseve integruese euroatlantike.

Vetë Rugova në ceremoninë e shpalljes së tij Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës, më 9 shtator 2004, mbajti një ligjëratë të bukur me titull, “Shqiptarët- popull antik” dhe foli për vlerat e përbashkëta dhe në fund tha:

“Duke pranuar këtë titull të lartë, ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia për vendin tim Kosovën, për integrimet shqiptare dhe për mirëkuptim ndërshqiptar e ndërnjerëzor”.

Ky është njëlloj testament politik, detyrë për brezninë tonë që ta çojmë përpara, pa u ankuar e pa kërkuar t’i shohim veç barrierat.

Gjuha është mjet për t’i larguar barrierat, por edhe për të krijuar të reja, prandaj, ta përdorim atë e të flasim me sinqeritet në këto tema, që të mos bëhemi tregtarë flamujsh, por ndërtues e krijues dhe t’i mënjanojmë barrierat, sidomos ato që lidhen me tema të idealitetit kulturor, që të bëhemi pjesë e familjes euoropiane, si komb me identitet europian, për çka ka shkruar me mprehtësi intelektuale e krijuese edhe shkrimtari ynë më i madh, Ismail Kadare, duke lënë kështu një si testament shpirtëror, për jetë e mote.

Please follow and like us: