Senad Guraziu: Hallkat kauzale të “politikëbërjes enveriste”!
Senad Guraziu: Hallkat kauzale të “politikëbërjes enveriste”! (2014, retrospekt)
…më vjen mirë kur përputhen shkrimet e mia të moçme, të para 1 dekade, me shkrimet e reja dhe me pikëpamjen e Akademisë së Shkencave Shqiptare : ) natyrisht që më vjen mirë, s’ka më bukur sesa kur përputhen gjërat, psh. Romeo Gurazkuqi (sapo e lexova) e përmbyll artikullin e tij “Në Anën e Duhur të Historisë…” [ Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë ] si vijon:
[cit.] “…Enver Hoxha, hoqi dorë nga të gjitha interesat e shqiptarëve, që jetonin në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, për të ruajtur pushtetin e tij dhe për t’u izoluar plotësisht në shtetin komunist, në kufijtë e para Luftës së Dytë Botërore. [ f/cit.]
(më poshtë pjesë nga shkrimi im, v. 2014 – fotoja ngjitur: foto e kohëve më të reja, s’e di vitin por Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
Hallkat kauzale të “politikëbërjes enveriste”!
Senad Guraziu, Ars Poetica, Prill 2014
|- – –
Aparatura e diktaturës enveriste ishte nga më të egrat që ka parë njeriu ndonjëherë. Partia e udhëhequr nga ai vetë, e likvidoi a burgosi secilin që mendonte qoftë dhe vetëm pakëz më ndryshe nga “mendimi zyrtar i Partisë… nga mendimi i tij”.
Sipas meje Enver Hoxha ishte i “verbër”, i ngulfatur nga mentaliteti “despotik”, nga mendësia “autokratike”, ishte thjesht një “diktator” egocentrik. Enver Hoxha vuante si tepër nga ndjenja megalomaniake e superioritetit. Qasja e tij ishte pothuaj një qasje narcizistike prej politikani, një “narcizist” i paparë i politikës. Ndonjëherë duhet ta duash Atdheun duke i “hapur sytë”, duke mos ngelur i verbër në kthetrat e megalomanisë dhe të arrogancës. Pasi që, nga gëzhoja e ngushtë personale, nëse në pozitën e udhëheqjes së vendit, edhe si “atdhetar e patriot” mund t’i bësh shumë dëm Atdheut.
Unë ia zë për të madhe që ai ndoqi politikë të gabuar, ose një lloj politike “dëshpërimi”, gjoja politikë e “deles bardhoshe në tufën e të zezave”. Të gjitha shtetet e botës rreth e rrotull ishin “zezona” që duhej patur frikë, ndërsa Shqipëria dhe “egoja” e liderit të saj ishin Dielli që i falnin botës dritë.
Enveri nuk tregoi fleksibilitet, strategji as maturi politike… ai mbijetoi jo me Grushtin e Partisë as me Kazmën, por me “grushtin e centralizmit” politik, me oportunizmat e tij të paturpshëm. Në fund fare, e izoloi vendin totalisht. Populli u robërua dhe u prangos nga vetë “koha dhe liria”.
Si fakte të frymës së tij “despotike” mund t’përmenden shumë sosh, ka sa të duash fakte, bie fjala praktika e tij (gjoja në emër të Partisë) për ta krasitur rrugën nga “vëllazëria” nonkonformiste – e kishte si mani, si ves prej maniaku të paparë, për t’i krasitur të gjithë filizat e ideve që nuk përputheshin me “idetë” e tij.
Ka mjaft gjërash që nuk i falen kurrë nga historia (tekefundit s’ia “fal” unë personalisht). Enver Hoxha duke i ngritur interesat vetjake dhe ato të “klikës” servile (sunduese, të Partisë) mbi interesat e Atdheut, u soll thjesht si një “arrogant” i politikës. Gjë që shkaktoi ngeljen e Atdheut në vend. U stagnua në të gjitha aspektet, e që, kuptohet shtylla kryesore e të gjitha dhimbjeve ishte aspekti “ekonomik” dhe zhvillimi.
Pasojat e politikës së tij shkurtpamëse e sollën njërën nga dekadat më “kritike” në historinë e Shqipërisë si shtet (1995 – 2005). Dekadë mjerimi e turpi, e cila madje për pakëz sa nuk e pati hedhur vendin në humneren e anarkisë e të luftes civile (vëllavrasjes).
Stagnimi për 3-4 dekada në planin e zhvillimit dhe pritja aq e gjatë për të qenë e mundur që Shqipëria t’i bashkohet “aspiratës” reale për në EU, janë po ashtu hallkash kauzale, pasojë e politikës së dikurshme të verbër.