Irena Dragoti: Imune…
Po kërkoj një horizont që përrallat i ka perëndime
dhe lotin si shtëpi e braktisur
Të vetmoj besimin se bëj ende dritë
kur shihem në pasqyrën e veshur nga pluhuri
Në rrjetë merimange të ngec hijen
atë të kuruarën që ra prej meje
kur vrapova të fshihem nga njerëzit.
Më djegin sytë nga ngulmimi i kureshtjes
Ngujuar jam në shtëpi si të jem në gjak,
me vetmjaftimin…
*
Më ra tavani në kokë, dje
Nuk thonë kot që syri plas gurin
shtrembërova fotografinë e martesës
duke e parë panjojtshëm
që kur mësova të them “jo”.
*
Përpëlitem në shtrat
nga zhveshja e çatisë që ndan jehonën e erës me avujt e menopauzës
jam bërë imune nga shkëlqimi i yjeve
lëkurën e lyej me SP 50.
*
Ka ardhur koha të nis rrënojat e fjalëve
me ikjen time të paarsye
drejt pragut të paqes
tek përcjell skllevër të lumtur të vehtes…