Kur opera “Goca e Kaçanikut” vjen nga Prishtina në Tiranë
Natasha Lako
Në fund të këtij Nëntori, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ka zbritur vepra operistike “Goca e Kaçanikut”, e vënë për herë të parë në Tiranë në vitin 1979.
Nuk kishte atëhere, as kohë, as vend, as forca të vihej në Prishtinë, ku për herë të parë mori jetë në shkurt të vitit 2024, atje ku më në fund është krijuar një trupë po me aq forcë të re për të kënduar veprën e kompozitorit kosovar Rauf Dhomi, një nga operat e para të skenës kosovare. Sigurisht që të kujton historinë e vënies në skenë të operës “Goca e Kaçanikut” edhe historinë e operës së parë “Mrika” të Preng Jakovës, vënë për herë të parë në skenën e teatrit “Migjeni”, me regjisor Andrea Skanjetin në vitin 1958. Rauf Dhomi duket se ka përmbledhur në veprën e tij, gjithçka që çdo opera e bën të magjishme, traditën dramaturgjike të një arti, që arrin kulminacionet e saj në periudhën e romantizmit, ndërlidhjen dramaturgjike, mes dueteve dhe arieve, të cilave këngëtarët u japin një forcë dhe individualitet personal, zhbirime të thella shpirtërore që krijojnë një botë kolektive me korale të fuqishme të cilat te “Goca e Kaçanikut” duket sikur sjellin në skenë edhe ekot bizantine të Jan Kukuzelit të Durrësit dhe vetë spektaklin monumental të valleve të veriut.
Dhe prapë se prapë, nën një sugjestionim të ditëve të sotme, pyetja nuk mund të lindë në mënyrë profane. Po ç’është opera, kjo vepër ku tingulli lind sëbashku me fjalën dhe fjala lind së bashku me tingullin.
Në rastin e operës “Goca e Kaçanikut” çdo frazë muzikore kthehet deri në këngën që krijon lejtmotivin e raporteve të lirisë me tradhëtinë njerëzore. Dhe kjo tingëllon edhe me ngrohtësinë e thellë të zërit bas të Hektor Lekës, edhe me freskinë e zërit të një këngëtareje të re, që i jep një kahje të re kësaj lirie… Deri sa koralet realizohen si amanet i lënë brez pas brezi, në një përgjigje të merituar ndaj dobësisë njerëzore, kaq konvencionale dhe kaq reale, nga shtysat e vogla për fitim, të theksuara në fraza muzikore të fuqishme të brendafjalës. E nxjerr në pah këtë forcë emocionale edhe regjia e Gurakuqit, që, në të njëjtin projektim skenik, bashkon pamjet e çlirimtarëve mbi projeksionet e hartave të vjetra të trojeve shqiptare nën otomanët, duke krijuar një sintezë të përpjekjeve njerëzore në kulminacione të reja.
Megjithatë e gjithë kjo është shumë pak për të treguar se ç’është opera.
Ndoshta autori më i lexuar i kohës së sotme, Haruki Murakami, do ta ketë pasur fjalën edhe për operën kur te vepra tij “Novelisti”, flet rreth dallimeve mes ndërhyrjeve të artistit në botën e gjykimit dhe përvojave të tij të krijimtarisë, të cilat në një vepër skenike përziejnë deri detaje personale të kostumografisë, ku secili sjell lirinë e vet shprehëse.
Dhe befas kujtohemi se vetë opera ka lindur si një aspiratë e madhe e njeriut drejt lirisë njerëzore. Nuk mund të mos të të vijë ndërmend, duke ndjekur operën “Goca e Kaçanikut”, operën ”Aida” e Verdit, ”Lucia de Lamermur”, e Donicetit, “Toska” e Puçinit, të gjitha të rivëna në skenën shqiptare.
E po veprat operistike, gjithnjë kanë lindur për përmasa të mëdha dhe për të krijuar ndjenja të mëdha të një romantizmi shpërthyes.
Dhe duket nga më naivet edhe çdo përgjigje e sotme, që mund të jepet shpejt e shpejt, për këtë muzikë të këndueshme dhe të paharrueshme në breza…
Fundja gjithë llojet e shoqërive bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm, se kjo histori e madhe lirie, e ngritur në skenën e madhe botërore të romantizmit të shekullit XVIII-XIX, përfshin krijimin e figurave të fuqishme femërore, në beteja kundër shtypjeve shoqërore, ndonjëherë deri në atë pa cak. Dhe ja një ditë prej ditësh ka mbërritur edhe historia e “Gocës së Kaçanikut”, vajzës që shpëton të dashurin e saj, duke vrarë njeriun e intrigave dhe të tradhëtisë.
Menjëherë të vjen ndërmend “Bardha e Temalit” e Vaso Pashës, një novelë e shkruar në frëngjisht, që tregon se si një heroinë e re e malësive të thella bën të pamundurën të thyejë rregullat e martesave dhe dy herë shtypjeve patriarkale në robëri dhe shitje të njeriut, deri sa e vrasin për të mbetur vetëm një shpirt i lirë kujtimi kombëtar…
Beteja të tilla të përpjekjeve për liri njerëzore ku personalja gershetohet me fatin kolektiv, kurorëzon baleti “Halili dhe Hajria” dhe baletet “Cuca e Maleve” e “Shota dhe Azem Galica“ me terrene dramatike, madje tragjike, të veriut shqiptar si në të gjithë veprat muzikore të botës. Atëhere bëhemi edhe më të ndërgjegjshëm se për gjininë e operës më e fuqishme është ndërhyrja e saj nëpër thellësi historike, si askush gjini tjetër. Mbase se muzika ka nevojë për një forcë shekullore, që buron nga lejmotive të thella kombëtare, të kombinuara me zërin e këngëtarëve të ditës.
Atëhere edhe njëherë çfarë është opera, që i përket të parëve këngëtarëve në mos për të t’u shfaqur- më shumë se fjala- si zë i pamposhtur njerëzor.
Si shprehje e këtyre betejave të një lirie të pashershme njerëzore, opera mesa duket jeton në sajë të perfeksionimit deri në skupulozitet të tingullit, të ridimensionuar prej një dirigjenti dhe të rikrijuar prej këngëtarëve, sipas përvojave të thella. Dhe përsëri t’i kthehemi emocionit.
Dëgjoj Hektor Lekën me ngrohtësinë e zërit të tij të thellë bas dhe besoj se emocionit të tij të brendshëm interpretues të rolit, i shtohet mesa duket për ata që e njohin edhe emocioni i natyrshëm kur vjen për të kënduar, për herë të parë në skenën ku ka derdhur talentin e saj vetë mëma e tij Rozmari Jorganxhi, si dirigjente e madhe e korit të Teatrit të Operes dhe Baletit dhe si mexosoprano. Kushedi çfarë emocionesh mbart secili këngëtar i ri, çfarë pathosi të brendshëm rinor i shton këngëtarja e re, protogoniste e gëzimit që në zërin e saj, fshihet, edhe brenda notave dramatike, të njesuara me ato të kompozitori, por sigurisht edhe përtej tij.
Po, opera ka jetën e saj.
Por mua më pëlqen ta quaj edhe këtë rivënie një festë, që ka lindur në prag të lindjes së një skene të re të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe formësimit të një trupe te re operistike, e, cila pa dyshim do të krijojë pole të reja të jetës kulturore të shqiptarëve, jo edhe aq larg shembëlltyrave, midis egzistencës së jetës kulturore të Los Angelosit me New Jorkun, sigurisht në përmasa të tjera.
Dhe përsëri pyetja, ku qëndron magjia dhe sugjestionimi operistik brez pas brezi?
Por të gjithë këto përsëri nuk mund të mjaftonin, për të spjeguar, përse opera edhe mes muzik-holleve të sotme, mes prodhimeve të reja të kinematografisë gjigande dhe muzikës së re të dhomës, vazhdon të mbetet një nga gjinitë më solide muzikore…
Atëhere kemi të drejtë t’i kthehemi përsëri, zërit, të përtej fjalës, pa të cilin opera nuk do të egzistonte, për të përsëritur se muzikaliteti i saj përbën një triumfialitet të zërit njerëzor, të ngritur në konvencionin më të lartë.
Nuk janë vetëm zërat e ditëve të sotme, në perfeksionime të reja dhe timbrit të ëmbël dhe të thellë apo gërvishtës dramatik dhe meliodoz… Është ekoja mijëravjeçare, ndonjëherë e zbrazët dhe e pa kuptimtë, por e mbushur plot mistere, që gërshetohet me çdo tingull muzikor, që përmban madhështinë e një tingulli përtej një këngëtari të vetëm, me eko mijravjeçare njerëzore, që rikrijojnë timbrin që sjellin zërat e këngëtarëve të ditëve të sotme. Ky është zëri që ka lindur në shekuj si mjet lirie, por që vetëm opera i ka dhënë dhe do të vazhdojë t’i japë perfeksione të mëdha, duke përmbajtur, ndryshe nga muzika e ditës, një botë të pashtershme me të gjithë ekot e lirive njerëzore deri në timbrin njerëzor. Dhe shkolla muzikore shqiptare ka fituar!
Tiranë, 29 Nëntor 2024.