Albspirit

Media/News/Publishing

29 Nëntori – festë e përbashkët me atë të ish-Jugosllavisë komuniste

Luan Dode

Në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore – të nesërmen e Ҫlirimit të Tiranës –, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANҪ) më 18 nëntor 1944 në Berat, është marrë vendimi që “Dita e 28 Nëntorit, ditë e indipendencës, duhet të festohet me sloganin e çlirimit të Shqipërisë”. Të nesërmen, më 19 tetor, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) Enver Hoxha me një udhëzim “konspirativ” urdhëronte Korparmatën I për një pritje madhështore të Qeverisë në kryeqytet, në yjësinë e 28 Nëntorit. 

Në fjalën që mbajti në Tiranë më 28 Nëntor 1944 E. Hoxha deklaroi: “Dita e flamurit, u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”. Në Urdhrin e Ditës drejtuar UNҪ atë  mëngjes, Hoxha vinte në dukje se “qyteti i Shkodrës ndodhet ende në duart e okupatorit”. Pra, siç ishte vendosur prej KANҪ në Berat, çlirimi Shkodrës nuk lidhej me atë të Shqipërisë.

Dy gazeta qendrore zyrtare, të vetmet e kohës, i mëshonin kuptimit të dyfishtë të festës, sidomos për tri ditët e para të saj, siç tregohet për shembull në kryeartikullin e Bashkimit të 28 nëntorit apo në kryeartikullin «Shkodra u çlirua» të 1 dhjetorit të gazetës Buletin i Luftës Nacional-Ҫlirimtare

Ka dhe fakte të tjera që tregojnë se për ditë fitoreje komunistët nëpërmjet KANҪ, që qëndronte organi më i lartë legjislativ gjer në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, kishin caktuar me bon sens 28 Nëntorin. Për shembull në mëngjesin e ditës që Qeveria Demokratike do të hynte në Tiranë, në të përditshmen Buletin i Luftës NҪ jepej «Programi për festimin e 28 Nëntorit» ku, në pikën nr. 15 shpallej: “Festimi i ditës së madhe të 28 nëntorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koincidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, do të vazhdojë për tri ditë”

Mareshali Tito, figura e parë komuniste në Jugosllavi, në urimet që dërgonte me rastin e 28 Nëntorit 1944 fliste për festën në kuptimin e dyfishtë. Urimi i tij është botuar në Bashkimi të 17 dhjetorit 1944.

Gjatë vitit të parë të pushtetit komunist, gjer më 9 nëntor 1945, absolutisht nuk është zënë në gojë 29 Nëntori si festë kombëtare. Kështu, në  maj 1945, në ligjin e miratuar «Shpallja e festave zyrtare»,  u shtuan 16 shtatori, 10 korriku, dhe 24 maji. Në ndryshimet e emrave të rrugëve që u bënë në muajt shtator-tetor 1945, nuk përmendej 29 nëntori.

*     *     *

Në seancën e parë të Mbledhjes së 14-të Kryesia e  KANҪ që përbëhej prej 24 veta, me Ligjin nr. 134  datës 5 nëntor 1945 miratoi për herë të dytë 28 Nëntorin 1944 si  Dita e  Ҫlirimit të Shqipërisë.

Më 9 nëntor 1945,  u mbajt seanca e pestë e  mbledhjes në fjalë, ku të pranishmit ishin po ata të seancës së parë, por gjendja kishte ndryshuar. U paraqit për miratim ligji i riemërtuar «Të kremtet zyrtare». Pas diskutimesh e pas kërkesës për “pesë minuta pushim”, ndërhyri Ramadan Ҫitaku, anëtar i KQ të PKSh i cili, duke ‘i  harruar’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, tha se në projektligj  ishte harruar Dita e Ҫlirimit e cila duhej festuar “brez pas brezi”, dhe vazhdoi: “Me sa di unë, pas mesnatës së 28 nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, domethënë dita e 29 nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj, propozoj që dita 29 nëntor të shtohet në ditët e festave kombëtare”. Përfundimisht, pas mekanizmit ‘pesë minuta pushim’ dhe argumentit “me sa di unë” të Ҫitakut, më 9 nëntor Kryesia e KANҪ pranoi që Dita e Ҫlirimit të Shqipërisë të ishte 29 nëntori i 1944-s. Kjo datë përkonte me festën e Jugosllavisë. Edhe të pranishmit i ‘harruan’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, kurse Enver Hoxha edhe deklaratën e bërë në Tiranë më 28 Nëntor 1944.

Vendimi për datën 29 Nëntor, ditë e cila do të konsiderohej si më madhështorja në Shqipëri, u bë i njohur publikisht pas dy javësh, më 25 nëntor, nëpërmjet një artikulli me titull «29 Nëntori festë kombëtare», artikull që zinte një vend jo të rëndësishëm në faqen e parë të Bashkimit. Ky vendim u botua në Gazetën Zyrtare të 30 nëntorit 1945, një ditë pas kalimit të festës. Po atë qëndrim tregojnë dy ligje të nxjerra prej KANҪ: «Urdhri i Yllit Partizan» dhe «Urdhri i Trimërisë».

Në mitingun e organizuar në Tiranë në pasditen e 27-s Nako Spiru si president i Rinisë Antifashiste, që në fillim të fjalimit deklaroi: “Pasnesër, 29 Nëntor,  është festa e Ҫlirimit të Shqipërisë. Kjo ditë e madhe vjen pas ditës së Indipendencës sonë. Ne do t’i festojmë me entuziazëm e gëzim këto dy ditë”. Në mbrëmje të po asaj dite nëpërmjet Radio Tiranës Enver Hoxha i drejtoi popullit shqiptar një mesazh “me rastin e festës së Indipendencës dhe të Ҫlirimit të Shqipërisë”, ku mbante në gojë vetëm 28 Nëntorin si festë e dyfishtë. Nuk e përmendi 29 Nëntorin edhe pse në një pjesë të madhe të Fjalës foli për Luftën Nacionalçlirimtare. Në një fjalim dhjetë ditë më parë kishte folur për  përvjetorin e parë të çlirimit të Tiranës. Në paraditen e 28 Nëntorit, Hoxha priti në Kryeministri e në mbrëmje në një banket shtruar në Hotel Dajti autoritete të larta të huaja e të vendit, jo me rastin e 28-29 Nëntorit por me rastin e 28 Nëntorit si festa e Pavarësisë dhe e Ҫlirimit.

Bashkimi i datës 28 nëntor kishte për okelio «Rroftë 28 e 29 Nëntori» dhe për titull të madh «28 e 29 Nëntori – dy datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare». Ndërkaq, anëtari i Byrosë Politike të KQ të PKSh, Sejfulla Malëshova, me pseudonimin Lame Kodra, në kryeartikullin shumë të shkurtër «Indipendenca e Shqipërisë – një realitet i madh historik» dhe Ymer Dishnica ministër i Arsimit, në fjalën e mbajtur në sheshin Skënderbe me rastin e 28 Nëntorit, nuk e përmendën 29 Nëntorin. Por 29 Nëntori u kremtua në Kryeqytet me të shtëna artilerie dhe me parakalimin e reparteve të Garnizonit të Tiranës përpara tribunës së ngritur para Hotel Dajtit, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Fjala e rastit u mbajt nga një figurë e planit të tretë: nga komandanti i Garnizonit Gjeneralmajor Dali Ndreu. Të nesërmen Bashkimi  mbante për titull të madh: «Shqipëria festoi me madhështi 28-29 Nëntorin».

Nuk duken të rastësishme qëndrimet e mbajtura nga Moska e sidomos nga Beogradi. Kryeministri i Jugosllavisë Josif Broz Tito dhe ministri i Jashtëm Sovjetik Molotov, dërguan telegrame urimi për 28 Nëntorin. Titoja bënte një hap prapa: Fliste vetëm për “festën kombëtare shqiptare të  28 Nëntorit, ditë e Indipendencës së Shqipërisë”; e anashkalonte kuptimin e dyfishtë të saj të përmendur një vit më parë dhe nuk fliste për 29 Nëntorin.

Historianët Xhelal Gjeçovi e Kristo Frashëri janë të mendimit se caktimi i 29 Nëntorit shqiptar nuk ka të bëjë fare me festën e Jugosllavisë. Këta nisen nga fakti se Asambleja Kushtetuese e Jugosllavisë e ka shpallur 29 Nëntorin festë Kombëtare më 30 dhjetor 1945, për t’u festuar çdo vit duke filluar nga 1946-a. Natyrisht një ligj i kësaj natyre s’mund të kishte fuqi për të kaluarën, por kjo mbetej ana formale e çështjes, sepse qysh më 28 nëntor 1945, Shoqata për Bashkëpunim Kulturor Shqipëri-Jugosllavi, e përkujtoi «Përvjetorin e mbledhjes së Dytë të KANҪ të Jugosllavisë» si “Festa Kombëtare e Jugosllavisë Demokratike Federative”, kurse të nesërmen, më 29 nëntor, Enver Hoxha ishte i pranishëm në festën e organizuar nga Legata Jugosllave në Tiranë me rastin e 29 Nëntorit jugosllav si “data   e Festës së Madhe Kombëtare të Jugosllavisë”, siç shkruante Bashkimi i 30 nëntorit 1945. Hoxha i dërgoi Titos një mesazh “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”.

Nëntor 1946. Në përgjigje të urimeve të marra për 28 nëntorin, E. Hoxha dhe O. Nishani uronin përzemërsisht Mareshalin Tito dhe Ivan Ribarin për 29 Nëntorin “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”. Për herë të parë Hoxha fliste haptas për 29 Nëntorin si “ditë feste e përbashkët”. Me mirënjohje të thellë, me lavdërime sipërore dhe me cilësime të paqena, pra me një servilizëm të pështirë, ndër të tjera i shkruante Mareshalit: “Në këtë ditë të lumtur për popullin tuaj, kur populli shqiptar feston po ashtu ditën e çlirimit të plotë të Shqipërisë, (…) me një dashuri dhe mirënjohje të thellë mendon për popujt vëllezër të Jugosllavisë së re që e ndihmuan aq shumë fitoren  e kësaj lirie, kësaj indipendence dhe sovraniteti që sot po e gëzon (…). Prandaj sot, në këtë ditë feste të përbashkët, populli shqiptar brohorit për popujt e dashur vëllezër të Jugosllavisë së re, brohorit për Ju, z. Mareshal, miku i dashur dhe i shtrenjtë i popullit tonë”.

Në përpjekjet për venitjen e vlerave kombëtare shqiptare bënin pjesë hapat e mëtejshme që 29 Nëntorit  njëherazi si festa e Ҫlirimit dhe e përbashkëta me Jugosllavinë, t’i jepej vendi i parë, mbi 28 Nëntorin. Bashkimi i 1 dhjetorit 1946 jepte lajmin: “me rastin e festës sonë kombëtare (…) Gjeneralkolonel Enver Hoxhës i kanë ardhur telegrame urimi (…)”. Ligje të nxjerra nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për “falje dënimesh” apo për dekorime “për merita të LNҪ” cilësoheshin “me rastin e Përvjetorit të Ҫlirimit të Shqipërisë, 29 Nëntor 1946”.

Nuk kanë munguar reagime. Në Plenumin e KQ të dhjetorit 1946 u tha se “Për 29 nëntorin, që është festa e revolucionit, gazeta e murit (në Spital) ngre 28 Nëntorin si ditë e Ҫlirimit. Kjo është një çështje e rëndë”.

Nëntori i vitit 1947, shënoi apogjeun për 29 Nëntorin shqiptar. Në mesazhin e 29 nëntorit drejtuar popullit Hoxha e deklaronte si “Dita më e shënuar dhe më madhështore në gjithë historinë e popullit tonë”, slogan që mbeti një tabu gjatë regjimit komunist. Po atë ditë gazeta Bashkimi botonte artikullin «29 Nëntori – festë për dy popujt tanë» dhe telegramin që Hoxha i dërgonte Titos me rastin e përvjetorit të shpalljes së RPFJ, ku i shkruante: “Kjo ditë kaq e shënuar për popujt tuaj, koincidon  dhe bashkohet me festën e Ҫlirimit të vendit tonë (…). Një koincidencë dhe një bashkim të tillë populli ynë nuk e quan aspak të rastit (…)”.

Pra del qartë se, në mbledhjen e 9 nëntorit 1945 të KANҪ, dita e çlirimit është korrigjuar, e diktuar, për të qenë e njëjtë me atë të Jugosllavisë e cila, edhe sipas strategjisë rusomadhe, e priste me krahë hapur të shtatën  republikë të ardhshme, Shqipërinë. 

Pas prishjes me Titon, 29 Nëntori mbeti vetëm si datë përkujtimore e Ҫlirimit të Shqipërisë. Më pas u quajt dhe si Dita e fitores së Revolucionit Popullor e më pas edhe si dita  që shënonte fillimin e një epoke të re, të epokës së socializmit, më saktë si datë e fitores së komunizmit në Shqipëri. 

Një trajtim më i zgjeruar i çështjes, me referenca, jepet në librin tonë Histori e Shqipërisë 1945-1948: Nën sundimin jugosllav pa pushtim, me titull në kapak: Sundimi pa pushtim: Shqipëria 1945-1948. Tiranë 2014, ISEJ: 61-67.

Please follow and like us: