Albspirit

Media/News/Publishing

BRISHTËSIA E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS MBI PAVARËSINË E SHQIPËRISË PËRGJATË SHEKULLIT XX

Akademik Beqir Meta

Pjesa e dytë…

Dy fuqitë kryesore- Britania e Madhe e veçanërisht Franca, kishin qenë në anën e kundërshtuesve të krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, Italia që tashmë ishte një fqinj fitues, nuk kishte rival të fuqishëm kundërbalancues në Shqipëri siç kishte qenë më parë Austro-Hungaria, prandaj ajo kishte ndryshuar në mënyrë drastike edhe politikën e saj, duke vënë si objektiv revizionimin fondamental të vendimit të vitit 1913. Pra, situata ishte shumë më e pafavorshme se në vitin 1913 për çështjen shqiptare. Megjithatë ishin krijuar ose fuqizuar disa faktorë të rinj, të cilët, deri diku, do të ndikonin për ruajtjen e shtetit shqiptar, pra edhe të vendimit të Konferencës së vitit 1913. Këta ishin:

-Dalja në skenën botërore dhe europiane si Fuqi e Madhe e SHBA, e cila nuk ishte e lidhur me traktatet e fshehta europiane dhe kishte një platformë më demokratike për arritjen e paqes europiane.

-Vështirësitë në rritje për të arritur kompromis midis Italisë, nga njëra anë dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene e Greqisë nga ana tjetër. Ky ishte një rivalitet i ri që kompensonte disi, por jo mjaftueshëm, mungesën e rivalitetit austro-italian para lufte, i cili kishte qenë faktor themelor për krijimin e Shqipërisë së pavarur.

-Pas Luftës ra mjaft interesi i Britanisë së Madhe për të zbatuar Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe për të kënaqur orekset territoriale italiane, çka u manifestua në braktisjen graduale të këtij angazhimi, veçanërisht pas qëndrimeve kundërshtuese të Presidentit Wilson. Po kështu edhe Franca e kishte rritur rivalitetin me Italinë për dominimin në Mesdhe  dhe nuk ishte e interesuar të përkrahte aspiratat italiane, ndonëse ishte e detyruar nga nënshkrimi i Paktit të Fshehtë të vitit 1915.

-Evoluimi dhe konfirmimi i këtyre faktorëve do të ringjallte vendimin thuajse të vdekur të vitit 1913, duke organizuar një konferencë tjetër Ambasadorësh e cila konfirmoi, me pak ndryshime, vendimin e vitit 1913.

Megjithëkëtë duhet theksuar se vendimet e Konferencës së Londrës 1913 dhe Konferencës së Ambasadorëve të Parisit 1921 u cenuan nga Greqia gjatë viteve 1923-1926 kur ajo spastroi etnikisht gjithë rajonet e Maqedonisë Perëndimore (Follorinës, Kosturit, Voshtinës, Janinës, Selanikut, etj) nga popullsia shqiptare në kuadër të shkëmbimit të popullsive greko-turke.

Pas këtyre dy vendimeve ndërkombëtare erdhën sfida të tjera të mëdha që lidheshin me zhvillimin e raporteve ndërkombëtare, të cilat ishin dinamike dhe ndryshuan gradualisht në vitet 1920-1930.

Pikësëpari, fuqizimi dhe agresiviteti i dy fuqive europiane që mëtonin revizionizmin e sistemit të Versajës ishte faktor kryesor. Rikonfirmimi i Pavarësisë së Shqipërisë më 1921 kishte qenë agregat i këtij sistemi në fillimet dhe njëkohësisht në apogjeun e tij. Por kriza e tij që do të rezultonte me Luftën e Dytë Botërore do të prekte edhe komponentin shqiptar.

Raporti i forcave që u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fund të saj, si dhe interesat e ndonjë Fuqie të Madhe europiane (Britania e Madhe), sërish krijuan hije dyshimi dhe rreziqe për ruajtjen e vendimeve të vitit 1913 e 1921. Por gjithsesi kjo mbeti vetëm një tendencë, pasi ky element kundërshtues u kundër balancua nga politikat antirevizioniste të Fuqive të tjera të Mëdha, në radhë të parë nga SHBA. Gjithashtu, rindarja e botës sërish në dy Blloqe ishte një element tjetër i frenimit të tendencave revizioniste kundrejt vendimeve të viteve 1913 e 1921.

 Por edhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj vendimet e Londrës 1913 dhe Parisit 1921 u cenuan sërish. Mund të konsiderohet një sfidë ndaj këtyre vendimeve spastrimi i plotë etnik i shqiptarëve nga Çamëria në vitet 1944-1945. Gjithashtu, një cenim tjetër ishte edhe ricopëtimi i territoreve shqiptare të ceduara Serbisë nga Konferenca e Londrës dhe dhënia e një pjese prej tyre Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që sot përbëjnë Trevat Lindore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. 

 Sfida më e madhe historike ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës erdhi në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI, duke bërë të mundur që jetëgjatësia e tyre të mos e arrinte shekullin. Lufta e NATO-s kundër Serbisë e çlirimi i Kosovës prej saj në qershor 1999 dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga SHBA dhe Fuqitë e Mëdha ishte pothuajse zhvleftësimi i këtyre vendimeve. Kjo ishte rezultat i ndryshimit drastik të raporteve ndërkombëtare të shekullit XX, i bashkimit të Evropës që ishte faktori kryesor i këtij ndryshimi. Të gjitha Fuqitë e ish Bllokut Qendror ose Trepalësh të vitit 1913 dhe 3 nga 4 Fuqitë e ish Antantës ishin forca kryesore e këtij ndryshimi. 

Por do të ishte e pasaktë nëse nuk do të përmendim edhe faktin se vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913 u sfiduan edhe nga vetë shqiptarët, në kuptimin negativ të fjalës por edhe pozitiv në raport me interesat dhe të drejtat e kombit shqiptar.

 Mungesa e centralizimit politik, zhvillimi i pamjaftueshëm i ndërgjegjes kombëtare në shtresat e ulëta të popullsisë, nacionalizmi i pazhvilluar në nivelin e duhur, i dobët, i përçarë, struktura sociale e pazhvilluar, veçanërisht ndarjet klanore, krahinore, fetare, mungesa e një klase politike të zhvilluar që të kuptonte dhe të udhëhiqte me qartësi dhe largpamësi procesin e vështirë të shtet-formimit, mungesa e një popullsie të arsimuar e me përvojë politike, e të tjerë faktorë të ngjashëm më këto, ishin pengesë  e madhe për konsolidimin e shtetit shqiptar gjatë shekullit XX, ishin gjithmonë një rrezik potencial dhe real për zhbërjen e tij, pra edhe të vendimeve të Konferencës së Londrës. Këta faktorë të brendshëm bëheshin edhe më të rrezikshëm pasi amplifikoheshin nga ndërhyrjet gjithfarësh të fqinjëve agresivë. Ngjarje të tilla të dhimbshme si Kryengritja në Shqipërinë e Mesme e viti 1914-1915, Lëvizja vorio-epirote në të cilën morën pjesë edhe mjaft shqiptarë ortodoksë grekomanë; kryengritjet antiqeveritare dhe grushtet e shtetit gjatë viteve 1921 -1924, që kulmuan me kryengritjen e qershorit 1924, Lufta civile në vitet 1943-1944, ishin ngjarje që rrezikuan seriozisht dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Madje një hije rreziku u shfaq edhe gjatë ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1997.

Por shqiptarët do të ishin gjithmonë sfidues ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës dhe të asaj të Parisit përgjatë gjithë shekullit XX dhe pas tij edhe në aspektin pozitiv ose afirmativ pra të tejkalimit të tyre dhe bashkimit të trojeve kombëtare në një shtet të vetëm. Sfida më permanente do të ishte rritja e ndërgjegjes së tyre, se ata ishin një komb i ndarë padrejtësisht, rritja e dëshirës së zjarrtë për tu bashkuar në një shtet kombëtar dhe për të jetuar në liri. Kështu gjatë gjysmës së parë të shekullit XX u krijuan organizata e grupe nacionaliste irredentiste ku më e shquara ishte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që kishin në thelbin e programit të tyre pikërisht këtë aspiratë. Por ndodhi përgjatë shekullit XX që shqiptarët u përpoqën me armë dhe diplomaci t’i arrinin këto synime, pikërisht gjatë e në fund të Luftës I Botërore, gjatë Luftës II Botërore dhe në momentin e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në dy rastet e para ata u përpoqën të shfrytëzonin tronditjen e sistemit të Versajës në favor të tyre, duke shfrytëzuar Fuqitë që në Londër kishin mbajtur një qëndrim më pozitiv ndaj të drejtave të tyre dhe që pranuan krijimin e një shteti shqiptar, të cilit do t’i bashkoheshin shumica e territoreve të banuara në shumicën dërmuese nga shqiptarët, që Konferenca e vitit 1913 ua kishte dhënë fqinjëve. Ata do të dështonin në këto përpjekje pikërisht për arsye se kishin zgjedhur të ndërtonin përpjekjet e tyre, duke u bazuar në mbështetjen e Bllokut humbës të luftës. Ndërsa në rastin e fundit, ata arritën me sukses që ta reviziononin në themel vendimin e vitit 1913 ndonëse jo tërësisht. Kjo u arrit jo vetëm si rezultat i vullnetit dhe përpjekjeve të paepuara të shqiptarëve por edhe si rezultat i ndryshimeve drastike të raporteve ndërkombëtare kur disa Fuqi evropiane, dikur anëtare kryesore të Bllokut të Antantës, (Britania e Madhe dhe Franca), dy Fuqi të Bllokut Trepalësh (Gjermania dhe Italia), nën udhëheqjen e një Fuqie të Madhe jashtë evropiane (SHBA) pranuan, ndonëse me shumë vështirësi, të reviziononin në themel vendimin e Konferencës së Londrës së vitit 1913. Pra vetëm kur shqiptarët gjetën momentin dhe anën e duhur ku të mbështesnin përpjekjet e tyre, thelbi i vendimeve të Konferencës së Londrës 1913 u tejkalua, ndonëse jo e gjithë arkitektura politike që krijoi kjo Konferencë për çështjen shqiptare u zhbë.

Please follow and like us: