Eda Merepeza: In memoriam Zoica Haxho
(një ngushëllim mikut tim Emil Asdurian për humbjen e nënës së shtrenjtë)
Zonjën Zoica Haxho e kujtoj në rininë time, kur studioja në gjimnazin “Sami Frashëri”. Ajo banonte në pallatin përballë shkollës dhe shpesh e shihja të kalonte në trotuar, ku dukej sikur nuk e prekte, por fluturonte… si një flutur. Unë banoja një rrugicë pranë dhe balerina e njohur shihej me krenari nga ne bashkëqytetasit e saj. Kohët kaluan, shumë nga ne emigruan. Nuk kisha dëgjuar prej shumë kohësh për balerinën tone të madhe, deri sa arrita në Pekin. Atje lexova një intervistë të koleges sime kineze Çang Çuo marrë koreografes së famshme Jiang Zuhui, për seksionin shqip të Grupit Mediatik të Kinës. Ajo kishte vizituar Shqipërinë për here të pare në vitin 1964, për të ndihmuar në vënien në skenë të baletit “Detashmenti i Kuq i Grave”. Intervista ishte realizuar në 50 vjetorin e vënies në skenë të baletit “Detashmenti i kuq i grave”, i pari i shfaqur jashtë vendit. Stacioni i parë i tij ishte Shqipëria.
Koreografja Jiang Zuhui në intervistë kujton:
“Kur studioja në Moskë kisha një shok që quhej Panajot Kanaçi. Marrëdhëniet tona ishin shumë të mira. Ai ishte mbi 10 vjet më i madh se unë, prandaj me shaka e thërrisja “xhaxhi”. Në ato kohë ai më ndihmoi shumë dhe duke e njohur Panajotin mendova se nuk do të kisha shumë vështirësi në Shqipëri. Balerinët kryesorë shqipëtarë ishin mjaft të talentuar. Zoica Haxho kishte aftësi të larta vallëzimi. Ajo kishte formim bazë të shkëlqyer dhe trupi i saj ishte i mirë. Bënim shaka dhe thonim se ajo kishte 7 shpirtra si një mace. Më ka lënë përshtypje të thellë se ishte një artiste shumë ngulmuese dhe me pasion. Unë flisja rusisht me të dhe me artistët e tjerë shqiptarë, pasi ata kishin studiuar kryesisht në Rusi. Në vitin 1967 një trupë balerinësh shqiptarë vizitoi Kinën. Balerinët shqipëtarë Agron Aliaj dhe Zoica Haxho morën pjesë në shfaqjen tonë. Artistët kinezë i pritën mirë dhe thanë se aftësia e tyre ishte e shkëlqyer.”
Balerina e parë Zoica Haxho është themeluese e shkollës shqiptare të koreografisë dhe e baletit modern shqiptar. Më 28 nëntor, në moshën 91 vjeçare, “flutura” u nis rrugës së dritës.