FRANO KULLI: MJEDJA… I PLOTË, I PACENSURUAR DHE ARISTOKRAT
Frano Kulli, portret nga Pashk Përvathi
E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojëshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë. Synimi ynë gjithashtu ka qenë që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve rreth veprës së tij. Po kemi dashtë gjithashtu, që të sjellim në editorinë shqiptare edhe një Mjedje “aristokrat…” siç ai në të vërtetë është, për lexuesin më sqimatar, ani pse nuk është nuk është më i shumti.
Ky botim i veprës së Ndre Mjedjes është, pa kurrfarë mëdyshjeje botimi më i plotë dhe më autentik i veprës së autorit, që i vjen për herë të parë lexuesit të tij edhe pse, në njëfarë mënyre, nëse i referohemi vetëm një rendi kronologjik i bie që të jetë i treti.
Për herë të parë një përmbledhje të plotë të veprës poetike të Ndre Mjedjes e kemi në vitin 1982. E titulluar “Ndre Mjedja-vepra” e përgatitur nga akademik Sabri Hamiti dhe botuar nga “Rilindja” në Kosovë. Në Tiranë një botim i tillë është ai i vitit 1988 i përgatitur nga studiuesi Rinush Idrizi dhe këto të dy përbëjnë dy botimet më gjithpërfshirëse të veprës së poetit, deri tek ky i yni. Ato vijnë mbas përmbledhjeve të pjesshme: “Vjersha dhe poema”, sjellë nga Llazar Siliqi, 1953, “Juvenilia dhe vepra të tjera” nga Mark Gurakuqi, 1964, disa të tjera botime të pjesëshme nga Vehbi Bala, Dhimitër Shuteriqi etj.
Ndërkaq “Juvenilia”, përmbledhja e parë dhe e vetme e Mjedës, qe botuar qysh në vitin 1917, në Vjenë, kur ai ishte 51 vjeç, në kulmin e pjekurisë së vet letrare… E mirëpritur sa s’ka.
E çmuar dhe e vlerësuar asohere edhe prej një tjetri, kolos të letrave shqipe, At Gjergj Fishta: ”Qé nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe…-shkruan për të Fishta-Prandej kjo vepër ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në përpilim të k’saj vepre.
Prej asaj kohe e këndej nuk kemi pasë tjetër botim a ribotim të veprës së plotë të Poetit, megjithatë vepra e Mjedjes, ka qenë gjithnjë e pranishme edhe në shkolla, që nga koha kur përgatitte vetë tekste leximesh. Edhe në periudhën e sundimit të komunizmit poezia e Mjedjes, si dhe botimet studimore e monografike rreth mjeshtrisë e artit të tij, kanë qenë përherë pjesë e historisë së letërsisë shqipe, si dhe objekt studimi i lëndës së letërsisë në shkolla andej e këndej kufirit ndërmjet shqiptarëve.
Porse, siç do të konstatohet prej studiuesve të tij në ndonjë rast “Mjedja, megjithaté ka qenë i keqlexuar e për pasojë i keqreceptuar, në kuptimin që leximi ka qenë i deformuar për shkak të këtyre kufizimeve dhe të shmangjeve prej tekstit origjinal, aq sa perfeksioni stilistikor i Mjedjes i ka lejuar censorët ta bëjnë këtë. Na e bën me dije kështu, përgatitësi i botimit të 1988 në Tiranë, Rinush Idrizi: “…Nga Instituti i Gjuhësisë dhe letërsisë-shkruan ai– u propozua pa asnjë ndrojtje e brejtje ndërgjegjeje, në mos artistike, intelektuale, që botimi i poezisë së Mjedjes të bëhej sipas kritereve të Kongresit të Drejtshkrimit, për të unifikuar ortografinë e gjuhës së Mjedjes… Dhe ashtu u bë, duke injoruar edhe mënyrën e botimit të veprës së Mjedjes që ishte bërë nga studiuesi më i saktë i tij [para kongresit të drejtshkrimit] Mark Gurakuqi, i cili ishte marrë për bazë edhe në botimin e Kosovës. [1982]“.
Me këtë botim, përmbledhje autentike e përgatitur nga “Botimet Fishta” kemi dëshiruar e synuar që ai, përposë se të plotësonte mungesën më se tridhjetëvjeçare të Mjedjes në hapësirën e leximit edhe t’i shërbejë sa të jetë e mundur pasurimit të bibliotekave si dhe enteve të tjera të leximit e përmirësimit të teksteve shkollore. Synimi ynë gjithashtu ka qenë që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve rreth veprës së tij. Po kemi dashtë gjithashtu, që të sjellim në editorinë shqiptare edhe një Mjedë “aristokrat…” siç ai në të vërtetë është, për lexuesin më sqimatar, ani pse nuk është nuk është më i shumti.
Përreth Mjedjes dhe veprës së tij ka pasë analiza e studime të hollësishme në kohë e rrethana të ndryshme. Ne kemi zgjedhur si pasthënie për botimin tonë punimet e prof. Kolë Ashtës, që nisin që në vitin 1940, në revistën “XIV, Aprile”, dhe vijojnë deri në vitin 1942 me botimet në revistat “Shkëndija”, në Tiranë dhe në “Kumbona e së Diellës”, Shkoder. Kolë Ashtës, që do vite më pas , saktësisht më 1955-ën do të hartonte “Fjalorin e veprës së Mjedjes”, i cili arriti të shohë dritën e botimit vetëm do muaj më parë, njëheri me veprën për të cilën po flasim sot.
Gjithashtu kemi parapëlqyer që, në vend të hyrjes të jetë një ese e shkurtë e Ernest Koliqit, e botuar 35 ditë mbasi autori ndërron jetë.
Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë.
Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne. Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.
Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.
Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”
* * *
Vepra letrare e Ndre Mjedjes, në këtë botim, i paraqitet lexuesit e strukturuar në dy vëllime. Vëllimi i parë përmban: Juvenilia, esenë e At Gjergj Fishtës “D. Ndre Mjedja, Juvenilja” , Vjersha të papërfshira në Juvenilia, Vjersha të mbetura në dorshkrim si dhe artikulli i tij shtjellues teorik: Përmbi poezi përgjithësisht.
Në vëllimin e dytë do gjeni poemat e papërfshira te “Juvenilia”: “Lissus“, Scodra, Liria, Vjershat për fëmijë, Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedjes dërguar albanologut Gustav Meyer në vitet 1892-1893, si dhe Bibliografinë e veprave të Mjedjes.
E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë.
Janë sjellë, për herë të parë edhe strofa që, për shkak të rrethanave censuruese të kohës nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparshme dhe ato shënohen në foosnote respektive. Besoj dallohet lehtasi, se i vetmi motiv censurues ishte “blasfemia” e përdorimit të fjalëve Zot, besim, kishë e k’shtenë e ndonjë tjetër.
Ma t’madh shqyptarin qi tui luftue
Per fen’ e Krishtit, mi t’mira t’motshme
Na la ça s’mundet veç me marue
Fen’ e kshtên’ t’sotshme
ILIRIA E EPIRI (Kang’ për mot qi vjen) Lissus- dorëshkrim
Ati i ynë, qi rri në qiell,
Permbí gjith shka ké krijue
Émnin t’ând tuj e békue
T’a permêndin qiella e dheu
AGIMI
Në det, mbî dhe, gjithkahna
Mûndit e punës fitimin;
E përmbî djers’ bekimin
I madhi Zot e lëshon
KANGA E GJELIT (vjersha për fëmijë)
Çou bulk e zotni
Kukuku-ruku!
Se motin qi â shkrî
Se gjêni mâ ju.
DASHTNIJA NDAJ PRINDEN (vjersha për fëmijë)
Prej jush êmnin s’parit ndjeva
T’atij Zot, qi rri në qiell:
E verteta porsi diell,
Nder sy t’mi prej jush m’veton
AGIMI
Ati i ynë, qi rri në qiell,
Permbí gjith shka ké krijue
Émnin t’ând tuj e békue
T’a permêndin qiella e dheu.
FILLOJ TOKA ME U PERTRI
Puno, bulk, puno; hitija
Ka me t’dhanë jet’ e pështim;
Vet’ prej qielle Perêndija
T’çon mâ t’dashtunin bekim
MBRAMJA
E bulku lodhshëm
Prej mùndit t’vet,
Zotit i falet
Per hae e shëndet
I VORFNI
O djelm qi delni – Me gra, me trima
Mathun e veshun – Për bukuri
M’u pasë dek’ baba, – Me ken’ jetima
A kish me kênun – për ju mjaft zi ?
Jam dáth e deshun – jam i pashëndet
E kush të mjerit – Dorën s’ja njet
NDIHMA E ZOTIT PËR FËMI
Njashtu prej qielle
Fëminë e soditë,
E natë e ditë
Ruej, o Zot ,ti
DORA E TËNZOT
Me t’pëvujt e me dashtni
T’madhit Zot t’ja puthim dorën:
A t’çoj diellin a t’çojn borën
Për t’mirë t’on gjithë her’ punon
Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit, por edhe në të gjitha botimet e tjera përpos atyre shkollore.