Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Vezaj: Bostoni vishet kuq e zi

Shqiptarët e Massachusetts-it mbushin sheshin e Bashkisë së Bostonit me flamurin kuq e zi!

Qindra shqiptarë të komunitetit tonë u bashkuan rreth VATRES dhe MassBesa-s për të ngritur flamurin me shqiponjën dykrenare, për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ceremonia e ngritjes së flamurit filloi me leximin e proklamatës së firmosur nga Kryetarja e Bashkisë së Bostonit, znj. Michelle Wu, e cila u lexua nga përfaqësuesja e bashkisë, znj. Lisa Menin. Këtë proklamatë në gjuhën shqipe e lexoi moderatorja e eventit, Jorida Qirollari, njëkohësisht Zëvendës Presidente e organizatës MassBesa.

Ngjarja vijoi me intonimin e himnit amerikan dhe atij shqiptar, duke shoqëruar ngritjen e flamurit kuq e zi krah atij amerikan në sheshin e Bashkisë së Bostonit, ku ishin mbledhur qindra shqiptarë.

Pas ngritjes së flamurit, folën:

• Kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj,

• Presidenti i organizatës ( Massachusetts Albanian American Society) MAASBesa, z. Sokol Lushllari,

• Përfaqësuesi i shoqatës “Çamëria”, z. Klajdi Haruni,

• Anëtari i bordit të MassBesa-s, z. Eduard Lazri.

Të gjithë, njëzëri, uruan shqiptarët për këtë ditë të shenjtë për kombin tonë.

Eventi u pasurua me poezi të recituara nga fëmijët e shkollës shqipe “Besa”: Sophia Balta, Reece Dhroso, Luan Hoxha, Sophia Negra, Jaxson dhe Grayson Hensei, Julian dhe Lauren Gaçe, etj.

Gjithashtu, vatrani Petrit Alibeaj recitoi poezinë “Himni i Flamurit” të shkruar nga Fan Noli, ndërsa poezi të tjera u recituan nga vatrania Lindita Meçe me autor shkrimtarin Namik Selmani dhe poezin “Fol moj shqiponjë fol” e recituar nga Sami Ajdini.

Ngjarja u zbukurua me këngë të interpretuara nga grupi i shoqërisë “Laberia” dhe rapsodët me çifteli, vëllezërit Delia.

Në përfundim, moderatorja Qirollari, në emër të VATRES dhe MassBesa-s, falënderoi të pranishmit, grupin Cunat e Bostonit, Shoqata Laberia USA dhe veprimtarin Neritan Nathan Xherimeja për organizimin e paradës me makina të stolisura me simbole kombëtare, të cilat përshkuan gjithë Bostonin dhe përfunduan në sheshin e Bashkisë.

Ngjarja u mbyll me këngë dhe valle tradicionale në një atmosferë të gjallë dhe emocionuese të luajtura nga DJ. Ledio, duke shënuar kështu një nga eventet më të bukura të viteve të fundit. Si dhe çdo moment është fiksuar nga aparati fotografit Bujar Veselaj!

Please follow and like us: