Poetja Irma Kurti boton librin e 26-të në gjuhën italiane
Libri titullohet: “Guardo il sole dietro la finestra” (Shoh diellin pas dritares) dhe mban logon e shtëpisë botuese “Ivvi Editore”.
Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton librin e 26-të në gjuhën italiane. Përmbledhja me poezi titullohet: “Guardo il sole dietro la finestra” (Shoh diellin pas dritares” dhe mban logon e shtëpisë botuese “Ivvi Editore”. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini. Libri përmban 85 poezi dhe shumë prej tyre janë shkruar gjatë kohës së pandemisë, atëhere kur jeta e gjithsecilit ishte e kufizuar brenda mureve të shtëpisë.
Në parathënien e shkruar nga Vesna Andrejevic lexojmë: “Poezia e Irma Kurtit është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, sa prek menjëherë telat e zemrës me një lloj ‘naiviteti’, pikërisht atë që kanë vetëm fëmijët dhe poetët. Vargjet e Kurtit udhëtojnë poetikisht në dy binarë kryesorë: në të parin mbizotëron tema e vetmisë dhe, si rrjedhojë, ajo e tjetërsimit njerëzor që shihet përmes kaleidoskopit poetik të shpirtit të vetmuar të poetes.
Binari i dytë poetik i përmbledhjes, më i ndjeshmi dhe më prekësi që përshkon gjithë poetikën e Kurtit, ka të bëjë me përshkrimin e trishtimit dhe humbjes personale, me shpirtin që pikon dhimbje. Në fakt, e gjithë përmbledhja i kushtohet kujtimit të prindërve, tashmë engjëjt mbrojtës, të cilët janë larguar në një tjetër dimension, prej nga ende i frymëzojnë ndjenja të thella dhe unike poetes, duke vëzhguar gjithmonë çdo hap lirik të sajin”.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më e mirë e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhepërkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 26 në italisht, 16 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 21 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 17 vende të botës.