Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim A. Emiri: “Në gjunjë para mirësisë”

Prof. Ymer Çiraku

Shpëtim Emirin e kam takuar fillimisht, kur ai si bashkëautor, botoi më 2011 librin “Njeriu, librarit e gazet fisnike”, kushtuar të atit, librarit aq të njohur në Gjirokastër, Alizot Emiri apo Zotja, sikundër thërritej.

Nuk kanë të mbaruar anektodat dhe qesënditë e Zotes me aq humor, “qesh e ngjesh”, si i thonë fjalës.

Unë personalisht e kam njohur këtë librar të pazakontë, qysh kur isha shkollar i tetëvjeçares e pastaj i gjimnazit, sepse ai edhe mua, më kishte përfshirë në atë listën e “privilegjuar”, që duhej të më ruheshin librat e rinj të letërsisë, ato që sapo ishin botuar.

Ai nuk ishte thjesht librarshitës, por i përkushtuar ndaj librit apo “shën librit”, siç quhet shpesh metaforikisht si venerim i lartë ndaj tij, që ai libër të shkonte tek lexuesi i interesuar. Për nxënësit e listës së privilegjuar, sigurisht që merret me mend, se ai kishte komunikuar paraprakisht me mësuesit e gjimnazit – për t’u njohur me interesat e lexuesve të rinj.

Pas disa takimeve miqësore, Shpëtimi më besoi përkujdesjen letrare të librave, që ai i botoi më pas, deri tek më i fundit: “Në gjunjë para mirësisë”.

Mund të them se në renditjen rritëse numerike, si libri i dhjetë ky më i fundit: “Në gjunjë para mirësisë”, vrehet edhe rritja e nivelit cilësor të tregimeve të krijuara prej këtij autori tashmë të afirmuar.

Dua të sjell në vëmendje se libri më i fundit, shoqërohet me një pasthënie të shkrimtarit tashmë të njohur, i vlerësuar si një nga ikonat e humorit shqiptar, Pëllumb Kulla, i cili, nuk heziton që ta vlerësojë këtë libër si një prurje të re “në sofrën e shkrimtarisë”. Edhe këtu, ashtu si në librat e mëparshëm, ndihet kudo e pranishme figura e “inxhinierit”, ku është identifikuar njëherazi autori real rrëfimtar dhe personazhi qendror letrar – në çdonjerin prej tregimeve.

Diku ai është rrëfyesi, që prezanton situatat e të tjerëve dhe diku tjetër, bëhet zëdhënësi i drejtpërdrejtë i përjetimeve të veta shpirtërore – në raporte të caktuara e të larmishme me njerëz dhe me ngjarje.

Autori e ka shënuar qysh në hyrje të librit se këtu, kemi të bëjmë me tregime për njerëz dhe ngjarje të jetuara në rrethana e vite të ndryshme të jetës. Pra, është ajo letërsi e njohur dokumentare e letrarizuar, që krijohet mbi ngjarje reale, ku trilli apo imagjinata, derdhet mbi to si një “parfum” i lehtë sa për ta larguar disi “pëlhurën” e të tepërtave të panevojshme jetësore. Kësisoj, ndihet që të avitet dhe të shijohet magjia letrare, që arrin ta përcjellë natyrshëm e besueshëm personalen – në një trajektore të mirëpritur drejt të tjerëve.

Nuk është e rastësishme që, qysh në titull, ndihet në trajtë apoteoze, vlerësimi e nderimi i lartë i MIRËSISË, në shfaqjet më substanciale e më sublime të këtij virtyti njerëzor, qoftë në planin individual, apo qoftë në planin më të gjerë kolektiv. Sigurisht, që nuk ka moralizime deklarative për ta kërkuar dhe për ta gjetur këtë vlerë njerëzore, nëpër ngjarje dhe situata të stisura, jo bindëse.. Mirësia njerëzore, përftohet fort bindshëm, edhe diku në anë të një xhadeje, ku një fëmije jetim, i bëhen krah shokët më të rritur. Ata tërhiqen e largohen para blerësve (udhëtarë indiferentë të rastit këta pas xhamave të veturave), me kombënguljen e tyre të çiltër fëminore, që edhe shoku i tyre jetim, të ketë mundësi të shesë disa tufa çaji.

Këtu autori përcjell një apel të fortë humanizmi (po citoj): “Udhëtar i rastit qofsh, jo, mos ik pa marrë aromën e malit në ato duaj, mos u largo pa marrë kënaqësinë e syve të gëzuar të fëmijve, që luftojnë të njomë për një jetë më të mirë!… dhuroju sa më shumë dashuri e përsëri do t`u mbetesh borxhli! Vështrimi i tyre i pafajshëm do të të ndjekë… Gëzojini ata dhe shikimi i tyre i qeshur do të jetë një bekim për ty…”.

Nëpër tregimet e librit, ka jo pak situata të tilla, që janë vërtet prekëse për nga përcjellja e situatave të shfaqjes së mirësisë njerëzore.

Në tregime, ndeshen skena të larmishme nga jeta, me gëzimet dhe dramat, me lartësitë dhe me greminat karakteriale të njeriut. Autori nuk preferon të bëjë “gjyqe” klasore apo partiake dhe kjo, sepse ai nuk ka zgjedhur ta marrë për dore lexuesin e tij, për ta drejtuar pastaj atë nëpër rrjedhat e historisë së shoqërisë sonë, të djeshme apo të sotme. Ai si të thuash, komunikon jashtë autoritetit imponues autorial, duke qënë në besë të gjykimit të vet lexuesit. Lexuesi pra, ka ftesën, që ai të përfshihet emocionalisht në të shijuarit, në të vlerësuarit dhe në të interpretuarit e ngjarjeve të pasqyruara.

Mund të them se autori, tashmë ka arritur mjeshtërinë në realizimin e tregimit të shkurtër. Humori, autoironia, por edhe gjendjet dramatike, janë të pranishme dhe të derdhura në një ekulibër të kontrolluar artistikisht, por jo artificial. Veçse jetësor dhe mbresëlënës estetikisht.

Në fjalën time të shkurtër, bëra vetëm disa konstatime mbi vlerat e përcjella në këtë libër të ri të Shpëtimit dhe kjo jo rastësisht. Unë si redaktor i librit, besoj se kam konflikt interesi, që të mund të përfshihem në ndonjë kritikë apo sugjerim, sado i vogël qoftë. Sepse në raportet e bashkëpunimit me autorin, deri në fazën e botimit, kemi patur mirëkuptim të ndërsjelltë. Diku është bindur autori për çka mund të kem sugjeruar. E diku tjetër, jam bindur unë nga argumenti i vullnetit letrar të autorit.

Personalisht unë i kam shijuar krijimet me vlera të autorit. Të këtij libri dhe të librave të tjerë. Janë krijime, që kanë klorofilë jete. Që sjellin besueshëm atmosferën e kohëve. Pa artificialitete, pa stisje.

Dihet se sigurisht që ka vlerën e tij degustatori, që lajmëron shijen e mirë të një vere. Por ama meritën, fillim e fund, e ka fund e krye veçse ai që e prodhoi atë verë, me shije dehëse.

Prandaj: Urime Shpëtim Emiri!

Pas këtij libri të dhjetë, shkalla e krijimtarisë, ka dhe pastë për ty, këmbë të tjera ngjitëse. Në aspektin numerik dhe në atë cilësor.

Dhe në fund dua të kujtoj se:

Në këto kohë të bashkëpunimit me Shpëtimin, kam patur fatin të njoh e të kem fituar një shok e një mik, që i shfaq tërë vlerat e mirësisë njerëzore e qytetare.

Prandaj dhe besoj se nuk është i rastësishëm edhe titulli i këtij libri, që vjen si himn për mirësinë njerëzore.

(Fjala në Akademinë e Shkencave për librin e Shpëtim Emirit “Në gjunjë para mirësisë”).