Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: TRIUMFI GLOBAL I MARRËZISË SË DEKOMPLEKSUAR

POHIMI I LUMTUR I BUDALLALLËKUT DHE INJORANCËS SË PRANUAR DHE INTEGRUAR, SI VLERË SUPREME

Shikuar nga poeti anarkist: Skënder Sherifi

Lexues dhe lexuese fisnikë të nderuar dhe të shpupëluar, koha në të cilën jetojmë është larg atmosferës epike, lirike apo romantike, filozofike, poetike apo erotike, me nuanca, finesë apo elegancë të rrallë… Jo, është më shumë vulgare dhe pornografike, pasi janë trashësia, banaliteti, të gjitha anët e thjeshta dhe primitive, limite kafshërore, të cilat më në fund kanë triumfuar… dhe ka pak rëndësi, a ishte uji i kulluar apo i pa kulluar, apo, a u deshëm gjer në pafundësi, ngaqë sot duhet të mendojmë për fëmijët tanë të abandonuar dhe të cilën botë, jemi duke ua dhuruar?

Eh po, i dashur Marcel Proust dhe Jean D’Ormesson, më falni zoti Kont, po ashtu edhe ju, Zonja Markize de Sévigné: por për një fjali të bukur, një mendim të paharrueshëm, një moral të hollë fabule, alla Jean de la Fontaine, një aplikim i ndërlikuar të një folje në mënyrën lidhore, një pezullim nostalgjik alla Duras, plot pendime, një gjuhë të çliruar, e cila vallëzon si tek Boris Viani apo Claude Nougaro, një kthesë sintaksike mjeshtërore dhe mesjetare, si tek François Villon, Ronsard apo Georges Brassens, një shpërthim dridhës, një humnerë apo një marramendje gjuhësore ‘Made in Louis Ferdinand Céline’, një çrregullim ndjenjash alla Rimbaud, një cunam poetik i slamuar apo i rapuar, si tek miku im Léo Ferré: për të gjitha këto pasuri shpirtërore, do na duhet të presim ku me e ditur deri kur?

Tani është koha e lehjeve, belbëzimeve, fjalëve një-rrokëshe dhe shkurtimeve, kodeve morse dhe kodeve të tjera anonime, e rizbulimit të alfabetëve të lashta, madje dhe të gramatikave fillestare, e rifiskimit të abetarëve… Moda po na fton në rikthimin tek fiset antike dhe të riteve të Lascaux-së, prehistorike, tek grafitet dhe vizatimet, tatuazhet, llomotitjet dhe shkarravitjet, ngjyrosjet dhe skicat, lëvizjet e dikurshme pa sinjalizime, grumbujt e parave dhe gulçimet, sharjet dhe shuplakat pa paralajmërime, imponimet e dhunshme plot ulurime.

Që nga Azreti Nur, testamenti i vjetër dhe i ri, i gjetur në pluhër mbi gur, mi ke me borxh 100 kuintal ar dhe grurë! Mos harroni, që po kujdesem për prindërit e tu tash 20 vite! Dhe koha e mirësisë kristiane, ka kaluar… Eh po, të dashur njerëz… duhet të shmangim vdekjen me gojë hapur dhe këmbë përpara, pasi sapo kemi kaluar etapën e shtatë dekadave, në xhiron çikliste të Francës, me një pension muti sa për të mbijetuar… Pavarësisht, që isha Remboja i zonave malësore, po shkrihem me Tabarly dhe Kersauson në kaltërsinë e oqeanit të fundit, përballë peizazheve hyjnore!

Le t’iu rikthehemi, jo odatarëve të oborreve, por rrugëve një drejtimshe, udhëzimeve të sjelljes strikte, kornizimëve rigoroze, diktimeve skandaloze, kushtëzimeve të përhershme, propagandimeve kohë pas kohe, rishikimeve dhe mohimeve të kujtesave të kaluara, të historisë së shkruar apo të pa shkruar, të përjetuar ose të dëshmuar, të etërve dhe nënave, të stërgjyshërave në mjegullnaja… Po, po, të gjithçkaje që kemi pas besuar, mes euforive dhe zhgënjimeve, fitoreve dhe disfatave, ngritjeve dhe rrëzimeve, dekonstruktimit dhe dezinformimit, mes fetvave dhe gulageve, ekzekutimeve dhe dajreve.

FALEMINDERIT zoti DANTON! Lista e ardhshme e pushkatimeve, do t’iu komunikohet pas rrebelimit të Shoqatës të Frontit Çlirimtar dhe të Festivalit të Tallavahanës nëpër hane për pesë dinarë, eventualisht lëvizjes të një kundër revolucionari të pamend në Rostov mbi Don, i cili do eksplodojë ca muaj më vonë, ulur në një avion. Shiko ti djalë: duhet të punosh fort dhe me seriozitet, sepse llafollogjia me orë të tëra, nuk ta siguron një portofol të mbajmë në Dubai, as në Hong-Kong. Punë dhe ambicion o bir, se na more fytyrën!

Rrroftë Ora e dekadencës dhe e degjenerimit global, me disa formula hiper të rafinuara në stilin e Proustian dhe Niçean, që do i studioni për javën tjetër: “Ta shkërdhej racën, kulturën dhe qytetërimin tënd, more bir kurve – ose me elegancen anglofone: “Gett off from this place, asshole and motherfucker”! Shembulli par ekselencë i mirëkuptimit paqësor dhe i respektit reciprok…

–  Ah bravo, kjo ishte e shkëlqyer i nderuari Big shef… shumë mirë, ju jeni përgjigjur horrit, se e ka merituar. Prandaj, keni fituar një mbrëmje të paparë dhe të paçmueshme gastronomike me prostitutën tuaj, te Joël Robuchon, me 32 yje kulinare nëpër botë, në restorantin e tij në Paris… ” Ron-ron-makaron”, aty do ngopemi dhe kërcejmë me ca bufonë! Me një vepër të tillë, zoti Drejtor Gjeneral, do të hyni patjetër në koleksionin e famshëm “La Pléiade” dhe do të merrni Çmimin Nobel në vitini e ardhshëm. Ndërkohë po ju propozoj “NJË JAM SESSION muzikor, me Princin dhe Michael Jackson”! Kam njohur plot albanezë për dreq gjatë jetës time dhe ca libanezë të tjerë nga Kosova… porse ky hut, sinqerisht, nuk është në terezi. Të duket sikurse truri i tij, është duke ju zvogëluar dhe metamorfozuar në turshi. Pos asaj, ky trullan predikonte rishikimin e Kushtetutës, kur gjithë populli ishte i zhytur në amnezi. Ndoshta do na vjen nga Kozmosi i pazbuluar, një Dritë plot shkëlqim!

Epo mirë, le t’iu rikthehemi të gjithë së bashku kurseve tona të violinës, sepse nuk bëhet askush një mjeshtër i madh duke shitur mend nëpër lokale… Po ku e lamë bisedën tonë, more idiot? Se nuk fitohet doktorata krejt kot!

–  Po flisnim për shoqërinë, i madhi Shef dhe evolucionin e saj! A kishte me të drejtë ai plaku i çmendur Darvin kur na barazoi me një majmun në savanë? A mos jemi duke u zhytur të gjithë, pa e kuptuar se qysh, as pse, por të shtyrë nga një puls thanatosi primitiv i pa sfond, në një kaos dhe konfuzion total, në një formë shpërbërjeje pa asnjë zgjidhje, në një botë pa pikë, as presje, pa sens, as moral, në një shthurrje dhe shenjtani vrastare të paskaj? – Ah, bravo të qoftë ti djalë… për një emigrant i Mërgatës së Qyqeve, pa asnjë ditë shkollë, ia ke qëlluar për mrekulli. Por duhet me ta blerë një diplomë për Drejtësi, Ekonomi apo Mjekësi, siç kanë bërë gjysma nëpër Shqipëri. Po, jam përafërsisht dakort me ty, sepse kemi dalë nga binarët fare dhe nuk po i shihet fundi. Jemi në hibernim, në një lloj letargjie e stërzgjatur… Na duhet një elektroshok serioz, një tronditje e vërtetë, një zgjim brutal herët në mëngjes me zërin e borisë… diçka për t’u rikthyer plotësisht në realitet dhe për ta rizotëruar gjer në fund gjithë arsyen tonë logjike dhe racionale… Me pak fjalë, duhet t’i shohim dhe të ballafaqohemi me gjërat ashtu siç janë! Një stazh pune 1 vit me talebanët e Kabulit ose me Abkazianët, për 6 muaj nëpër fshatrat e thella të Kaukazit, do na i rivendosë mendtë aty ku duhet. Po, duhet urgjentisht t’iu japim fund ëndërrimeve të kota, auto-mashtrimeve dhe trillimeve, dredhimeve të historisë, supozimeve dhe mitomanisë. Mjaft më duke e fshehur pluhurin nën tapet, ose futur kokën në rërë, ngaqë jemi tani të rritur dhe të vaksinuar. Qysh refuzojnë burrat e pjekur, me një bazament të fortë kulturorë dhe moral, me sensin e përgjegjësisë që duhet ta kenë, që ta shohin, ta kuptojnë dhe ta trajtojnë realitetin objektiv ashtu siç është, i cili është tepër i dukshëm dhe evident dhe të cilin e kanë aty para sysh? Por e kthejnë kokën, kinse nuk ekziston dhe imagjinojnë çfarëdo përralle tjetër më simpatike dhe e pranueshme. Me falni pak, o miq dhe bashkatdhetarë, por zgjohuni dhe lëvizni, e dreqi ta haj atë nder, se na morët në qafë! A është gjithë kjo rrëmujë ajo që duam? A mos jemi gjithë të abonuar në mjegull, kaos, absurditet dhe paqartësi të përjetshme? Po pse? A s’mundemi për të vepruar pak ndryshe? Gjithë këto shekuj punë, mundim dhe investim, brenda Kombit dhe Shtetit tonë, a i bëmë për një rezultat banal të tillë? Nuk mund ta besoj! Po hyjmë në një epokë të turbullirave ekstreme, një përplasje të Kontinenteve dhe të Qytetërimeve: “Veri-Jug, Të Pasur-Të Varfër, Diktatura-Demokraci” dhe mund të shtojmë sigurisht, edhe pretekstin e feve, sipas qejfit të çdokujt. Këto do jenë ato konfrontimet e ardhshme mbi këtë planet blu!

Dhe largpamësia juaj, baras me një gjel deti, na bëri gjithë kombin krenar. Vazhdoni kështu dhe do të përplasemi ballë për ballë me Murin e Zërit!Faleminderit, zoti Adolf, po e shoh në kokën tënde aq të errët, një vizion apokaliptik dhe kataklizmik. Por çfarë halli ke, o i shkretë? Pse gjithë kjo urrejtje dhe gjithë ky shkatërrim? – Për një defekt psikologjik? Si mendoni?

–  Po, po, duhet t’i pushtojmë të gjithë, o Shef suprem… “ein, zwei, drei, thas is the finale solution… gazi do na lehtësojë”!

–  Da, da, Jozef, e di që gjithë psikopatët e kësaj bote njihen në dhunë dhe në vetëshkatërrim… e kanë një monstruozitet makabër pa limit dhe për ata, ca milionë të vdekur më shumë apo më pak, nuk paraqet asnjë problem! Ma thërrisni gjyshen time, sepse papritmas, e humba fillin e kombinimit tim… Se ne shqiptarët jemi gjithmonë në zhurmë, në hutim dhe në trullim. Kam pa shumë pak heshtje, meditim apo koncentrim… duhet për ta mbushur gjithë atë boshllëk global shpirtëror, kulturor dhe kombëtar, me çka do të vijnë! Është e vërtetë që në këtë çorodi dhe injorancë të mbivlerësuar, gabelhane të afishuar, e cila na ka asfiksuar, në karnavalin dhe bixhozlandin tonë të pafund, në gongun përfundimtar: HISTERIA, ÇMENDURIA DHE AMNEZIA kanë triumfuar! Nudo në rruzullin tokësorë: kush jemi dhe kush ishim dikur?

Por siç e dini, në Europë, e kemi pasur me kohë, një histori të gjatë dhe të lashtë, një trashëgimi të rëndë të lidhur me qytetërimin tonë. Gjurmët kulturore, apo historike janë kudo të pranishme në muzetë tona, tempuj, kisha, manastire, katedrale, kështjella, institucione, biblioteka, në formën e artit, arkitekturave, shkrimeve dhe arkivave të tjera. Këtu, përpos disa eksepsioneve, çdo gjë është e faktuar dhe e dokumentuar… Nuk ka përralla dhe thashetheme! Është trashëgimia e një pasurie të tërë, e cila na është transmetuar nga familjet tona, miqtë, shkollat, universitetet dhe e cila është shënuar natyrshëm dhe përfundimisht brenda nesh si një bazament referencial normal, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme. Kjo na dallon me shtetet afrikane… Sepse, këtu në Paris, Bruksel, Romë, Berlin, Madrid, Vjenë, Amsterdam, Londër, ne jemi produkt i atij brumi, jemi formuar nga ky lloj realiteti. Ky fenomen vepron si një lloj kujtese kolektive mijëravjeçare unike, brenda kësaj Europë gjeniale në thelbin apo përmbajtjen e saj dhe e cila është e jona. Dhe kemi arritur sot deri në këtë shkallë, përmes këtyre demokracive të papërsosura, pa dyshim, qoftë në versionin e tyre francez, zviceran, gjerman, Beneluks apo skandinav – por të gjitha shumë më të mira dhe më efektive, nëse bazohemi në rezultatet konkrete të arritura, sesa të gjitha sistemet e tjera politike të pranishme në të katër anët e globit.

Çurçilli na pat lajmëruar të gjithëve para Futbollit! A e ka dikush prej jush një cigare Monté Kristo, të mbështjellur në kofshët e kubanezeve dhe një konjak të vjetër? – Okay, zotëri kryeministër, a doni diçka tjetër? Jo, jo zhdukuni, e mos t’’iu shoh deri nesër! Nuk i harroj, sigurisht, të gjitha dështimet tona të mëdha dhe vrimat e zeza, ose padrejtësitë tragjike të historisë, por gjithsesi është Demokracia, ajo që ka triumfuar deri në këtë ditë të nëntorit 2024. Por, deri kur? Ja ku qëndron pyetja esenciale! Sepse, kanë luftuar dhe sakrifikuar gjenerata të tëra njerëzish për ta fituar dhe për ta përpunuar… pastaj, dihet mirë që asgjë nuk është ashtu e garantuar për jetë dhe detyra jonë është pikërisht që ta mbrojmë atë Demokraci në afat të gjatë. Sepse, re të errëta po mblidhen dhe sinjalet aktuale nuk janë aspak premtuese. Ka luhatje të mëdha dhe natyrisht, rrezikshmëri potenciale, nëse do vijmë për t’i menaxhuar si të ishin hajgare. Prandaj, të nderuarit miq dhe armiq, është ardhur tani koha për të qenë 100 për qind të kthjellët dhe për ta rifituar tërësisht kontrollin mbi arsyen tonë analitike dhe racionale, pa u dorëzuar ndaj çmendurive të kohës dhe të gjitha formave të shkeljeve apo devijimeve që po pushtojnë përditë ekranet dhe neuronet tona në proces shkrirje. –  Ah po, më thoshte nëna ime sufiste me inteligjencën qiellore, shiko, more bir, për çdo ditë duhet me e vnuar trurin në lëvizje, në punë, në hulumtim të një informacioni, të diçkaje, sa për t’u pasuruar me një element të ri… përndryshe ke marrë fund! Se nuk jemi bagëti, vetëm me ngrënë, me pi dhe me dhie! Bravo, Xhevahire Sadria, se ke merituar për t’u ulur në ballë të Oxhakut me Burrat e Malësisë, Lumës, Dibrës dhe Mirditës, afër Abas Kupit, Ali Binakut dhe Muharrem Bajraktarit.

Ne kemi qenë gjatë kohëve të kaluara shpeshherë të abonuar në ultësinë, frikacakërinë, meskinërinë, hipokrizinë e padurueshme dhe me paburrërinë e pashpjegueshme, para disa momentëve kyç, përballë të cilave kemi qenë tepër të ligj dhe kemi demisionuar, me politikën e Mynihut dhe me dorëheqjet e llojeve të ndryshme. Por tani, prapë sot, para Putinit, o lexues, e nesër para Pingut! Për një herë të vetme, duhet të tregojmë dinjitet dhe përgjegjësi, të veprojmë si qenie njerëzore të ndërgjegjshme, të cilat e zotërojnë perfekt  situatën aktuale, në mënyrë që të pozicionohemi siç duhet përballë rrymës së historisë dhe sfidave të tashme, të cilat janë shumë larg për të qenë të këndshme apo ngushëlluese. Po, po, jemi para ca vitesh mjaft të vështira! Dhe pritet prej nesh, një reagim dhe një përgjigje dinjitoze, e jo laperhane.

Por si, mister Ferdinand? Duke u treguar më në fund të aftë për të marrë disa vendime dhe për t’i mbrojtur ato pa u dridhur, për të mbrojtur atë që besojmë?

Themelet tona të përbashkëta të vlerave dhe të qytetërimit demokratik, mënyrën tonë të jetesës dhe vizionin tonë global për shoqërinë ashtu siç e konceptojmë dhe e imagjinojmë ne të ardhmen? Ne nuk mund t’i shesim, as t’i mohojmë gjithë këto vlera dhe parime, të cilat na përbëjnë si europianë, me stilin dhe identitetin tonë specifik. Ngaqë, nuk kemi pse të bëhemi Rus, as Kinez, as Amerikan tek e fundit. Bile do të ishte sipas meje e padenjë, amorale dhe e tmerrshme, nëse përseri do zhveshim brekët dhe do dorëzohemi para idiotësisë groteske, e cila do na propozohet! Pastaj, duhet ta kuptojmë, që nëse dikush Iks ka vendosur për me të na invaduar, pushtuar, sunduar apo skllavërruar, ose po e çojmë gjer në ekstrem, për me të na shkatërruar me themel: a do shpëtojmë sipas jush, duke u dridhur dhe duke u pshurrur nga frika? Mirë e keq, të veprojmë si burrat deri në fund dhe pikë!

Megjithatë, shoqëritë perëndimore europiane kanë ardhur gjer në atë pikë konfuzioni dhe pastrimi truri sot, sa që çuditërisht: nuk po guxojmë më të mendojmë lirisht, të kritikojmë, të pyesim, të refuzojmë apo të pranojmë diçka logjike dhe të arsyeshme, nga ankthi që mos po gjykohemi ose paragjykohemi nga pjesa irracionale e shoqërisë. Pra, de fakto, ka fituar errësia mbi dritën dhe absurditeti mbi logjikën e shëndoshë! Çka për mua, i formuar në lirinë e lirë absolute parisiane, është e pa kuptueshme dhe e pa konceptueshme. Nuk po flasim më për asgjë, nuk po debatojmë seriozisht dhe profesionalisht gjer në fund mbi asnjë temë, (se kinse kjo nuk bën, kurse kjo tjetra është delikate, jo konsensuale apo tabu) vetëm, po bëjmë zhurmë dhe spektakël narkotik dhe objektivisht, po i lëmë ashtu ne vetë, nga heshtja dhe mos reagimi ynë, si qyqana patetikë, gjërat më delirante dhe anti njerëzore, anti demokratike që të ndodhin realisht, që të rrjedhin dhe të na imponohen gradualisht dhe më pas të vajtojmë si krokodilat e të habitemi se si është e mundur, që kemi arritur këtu ku jemi? Po pra, një shoqëri debile dhe histerike, të ndarë, të thyer, të çnjerëzuar, komplet indiferente, e formuar në komunitete, të gjitha intolerante, cinike, egoiste, të pa kulturë, të polarizuara anë a matanë, sa që askush nuk dëgjon më askënd dhe mezi arrin sot të dialogojsh apo të shkëmbejsh një mendim me një njeri normal, i cili të pranon dhe të respekton ashtu siç je, pa të paragjykuar apo të klasuar në një kategori Ypsilon. Sot moda të thotë: “Këtë tip të huaj, nuk e njoh, nuk është si unë, nuk më intereson, ai vjen këtu vetëm për të përfituar dhe për të imponuar ligjin e tij dhe për këtë arsye, nuk kemi më asgjë për të ndarë! Rikthejeni nga ka ardhur dhe hidheni në det. Shtoni mure Berlini, fortifikata, bllokada, çka të mundeni, që të rrimë qetësisht mes veti, duke deliruar brenda Jurasik Parkut tonë. Filmoni, regjistroni, incizoni, kontrolloni kënd të mundeni me mjete elektronike”.

Mirë e keni, janë shumë larg vitet hipike, pop, rock dhe utopike! Ja pra, ku na kanë çuar konkretisht ca dekada të tëra frikacakërie dhe dorëheqjesh nga përgjegjësitë tona, ngaqë nuk i kemi pas vendosur kurrë pikat mbi “i”-  në të gjitha temat e rëndësishme të jetës sonë së përbashkët në një shoqëri. Po pra, nuk i kemi vendosur rregullat e duhura normale aty ku duhet dhe nuk e kemi kontrolluar zbatimin e tyre praktik, me tolerancë zero. Pastaj, i kemi fshehur apo lënë në heshtje të gjitha problemet qendrore bazë, i kemi lënë si në gjumë apo në harresë, pa i trajtuar kurrë në thelb, sikurse çështja e Emigracionit dhe e fanatizmit politik apo fetar. Dhe dikur pas 50 vitesh na kanë eksploduar në fytyrë duke na dalur komplet jashtë kontrolli. Pra, me e pas bërë të gjithë pushtetarët së pari, por pastaj edhe të tjerët, punën e tyre siç duhet, me një sens përgjegjësie ultra profesionale, por me drejtësi dhe brenda ligjit demokratik, nuk do kishim arritur në këtë gjendje të mjerë dhe kaotike. Kështu do t’i kishim shmangur disa probleme madhore, ose të paktën do t’i kishim frenuar ndjeshëm. Kurse, sot jemi para një realiteti gati  anormal dhe patetik, ku të sundojnë arabët me stilin e tyre brenda Brukselit,  ku çdokush vjen për ta imponuar duke qenë një emigrant fillimisht i pranuar nga mirësia apo humaniteti i një shtet të huaj, 100 herë më i drejtë dhe demokratik sesa i tij, por e merr të drejtën për të refuzuar apo mohuar në një mënyrë kategorike, ty si belg, francez, danez, suedez, në shtëpinë tënde dhe ta propozon si zëvendësim vetëm realitetin e tij komunitar ose edhe më e papabesueshme, mbylljen radikale apo mesjetën e tij regresive, të cilat janë natyrisht kundër lirisë, evolucionit dhe thjesht, oksigjenimit tonë mendor dhe shpirtëror. Thënë edhe më ndryshe, janë komplet kundër sistemit demokratik europianë perëndimor! E pse? Sepse, ua kemi lejuar ne vetë! Dhe i kanë përdorur me kohë të gjitha të drejtat, ligjet dhe rregullat tona demokratike, të cilat ua kemi vendosur në dispozicion dhe i kanë shfrytëzuar për mrekulli, në avantazhin e tyre si komunitet deri në fund. Kështu, që tani i vetmi kundër reagim kundër gjithë këtyre absurditetëve të pafund, është mjerisht ekstremi i djathtë, i inspiruar nga afër apo larg, nga fashizmi dhe nazimi. Pra, një tjetër katastrofë po aq delirante! Ngaqë, e njohim rezultatin… Sepse më thoni: Kush mund të rritet dhe të zhvillohet shëndetshëm dhe krejt normalisht nën një diktat të përhershëm, nën presion dhe imponim? Çfarë e justifikon këtë rikthim brutal drejt të gjitha formave të censurës dhe burgjeve të brendshme apo të jashtme? Mos harroni se kush jemi, o lexues dhe nga kemi ardhur? … Se çka do me thënë tradita dhe kultura europiane ? A mund të shlyhet ashtu pikë së koti për një çmenduri radikale, një verbëri të pa imagjinueshme gjithë ajo traditë, ai thesar gjigant civilizimi?

Sepse, historia do të na gjykojë ashpër dhe fëmijët apo pasardhësit tanë nuk do të na falin, me plot të drejtë. Në një moment të caktuar, duhet ta frenojmë gjithë anën tonë të dobët, duke u tërhequr non stop para çdo problemi, duke dorëzuar terren ndaj kundërshtarëve tanë, për çdo ditë më radikalë dhe agresivë dhe përballë gjithë këtij regresioni debil dhe i pajustifikuar që po na rrethon…  Me një fjalë tjetër, duke i ulur pantallonat në çdo cep dhe para çdokujt, me këtë alibi fals dhe auto-mashtrues që jemi një komb demokratik dhe paqësor. Kurse, në fakt është thjesht nga ligështia dhe karakteri jonë, ajo paaftësia jonë për të afirmuar diçka të sigurt, me dinjitet dhe me një krenari të caktuar, duke e shoqëruar me argumentet logjike përkatëse. Thjesht, me qenë ata që jemi, pa ju nënshtruar askujt, KËTU NË EUROPË, aq më tepër kur njihet pasuria eksepsionale e thesarit tonë kulturor dhe shkencor të mëparshëm. Pse? A mos ishin civilizmet të tjera më të avancuara, më interesante dhe më frymëzuese sesa ai i joni brenda këtij kontinenti të lashtë? Prandaj, nuk ka asgjë të lavdishme, bile është e turpshme, për t’u treguar këtu mjedis Parisit apo Londrës, retrograd, populist, vulgar, injorant, provokator, nxitës të urrejtjes dhe ndarjes, autokrat, dhe të tjera!… Sepse, ne kemi ardhur nga shumë larg, nga Greqia e filozofëve, e dramaturgëve dhe Roma antike që pushtoi botën. Ende na kanë ngelur disa barriera morale dhe kulturore, kështu që nëse noton në një idiotësi të pafund, nga pikëpamja e shoqërisë europiane, nuk mund të ndihesh veçse i nënçmuar, i anatemuar dhe i kompleksuar, me një gjykim moral ultra negativ nga të tjerët, kështu, që ti vetë do e kuptosh që kjo lloj sjellje nuk është e pranueshme dhe madje është tronditëse. Tek ne në Europë, nuk vlerësohet fare!… Pra, nëse vazhdon megjithatë për të qenë mbreti i idiotëve, do të jesh patjetër pak i heshtur, sekret, tinëzar dhe nuk do të bësh shumë zhurmë apo reklamë mbi qëndrimet e tua. Sepse këtu, në këtë kontinent të vjetër, duke pasur parasysh pasurinë e madhe kulturore dhe shkencore që ekziston, duke pasur parasysh trashëgimitë që kemi marrë dhe ndërgjegjen tonë kolektive: duhet sipas traditës së vjetër racionale karteziane dhe kodit demokratik, që çdo mendim apo veprim, të mendohet, shpjegohet, analizohet, justifikohet në një mënyrë logjike dhe intelektuale, me ca argumente… Pra, duhet për t’i bindur të tjerët dhe për ta pranuar idenë e konsensusit! Dhe për të mbështetur në këtë drejtim, do kesh gjithmonë këtu dhe aty, një armatë specialistësh të të gjitha llojeve, për të paraduar duke e bërë reklamën e vetvetes nëpër të gjitha hapësirat publike dhe ekranet televizive. Shkrimtarë, kurvarë, mashtrues, gërmues zemrash, budallenj, tregtarë, filozofë, psikologë, sociologë, politologë dhe të gjithë këta bashkë do ta bëjnë që të funksionojë në drejtimin e duhur dhe të paradiktuar, makina e filtrimit dhe e pastrimit të informacionit, pa e harruar edhe formatimin e trurit të përvluar.

Ajo çka po quhet sot nga zonat e Beneluksit: “Triumfi i mendimit unik”, ashtu siç e propagandon shoqëria globale, ultra liberale dhe konsumuese kështu, që çdo mendim alternativ mund të konsiderohet si një mëkat apo një krim. Nëse je perandori i budallenjve dhe shpërndarësve të kaosit, kjo të vëjë disi jashtë normalitetit, të izolon dhe përfundimisht tribunali mediatik popullor do  të bëhet përmes një fushate informative të caktuar, që të kalosh për një të sëmurë psiqik ose një idiot patetik. Në fund të fundit, këtu në Bruksel apo Amsterdam, do e përfitosh një dënim moral të fuqishëm, në emër të mendimit korrekt dhe të pastër demokratik! Pavarësisht, gjithë teatrologjisë që ka në mes, strategjisë Iks, apo hipokrizisë në disa mjedise të caktuara. Por mirë apo keq, Europa i ka akoma disa tradita prezente dhe i fikson prapë se prapë disa korniza etike dhe disa limite përmes ligjeve të saj akoma demokratike. Është pak e vështirë këtu në Paris, që të aktrosh, të na shesësh mend, apo të tregosh veten “ja kush jam”, me gjithfarë çmendurie, gati për një azil psikiatrik. Sepse nuk vijmë nga një film karikatural me kauboj dhe indianë, apo nga një saga banditësh të të gjitha llojeve që erdhën për të luajtur rolin e pionierëve dhe të aventuristëve, në një kontinent të ri, të prapambetur ose të shkretëtuar.

KURSE, NË AMERIKË NDODH PIKËRISHT E KUNDËRTA dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojnë, të na alarmojnë, sepse është padyshim një modë e poshtër, e cila së shpejti do na përfshijë edhe ne dhe kjo është shumë shqetësuese për të ardhmen e demokracive tona. Në fakt, mjafton të shohim pak analizën e thelluar të 25 viteve të fundit, duke u fokusuar në zgjedhjet tona të fundit dhe duke parë, se si kanë lëvizur dhe si janë zhvilluar votat tona këtu në Belgjikë ose në Francë dhe pastaj në të gjithë Evropën. Është shumë edukative dhe madje instruktive, nëse e interpretojmë siç duhet! Mirëpo do na duhet të dimë t’i nxjerrim nga ky realitet, me leksionet e duhura. Sepse, ne të gjithë e dimë që AMERIKA (SHBA) ose “Ëndrra e Dynjasë” aq është miti i saj gjigant, e ka parapri gjithmonë atë çka ka për të ndodhur herët a vonë, këtu tek ne. Pra, na pëlqen apo s’na pëlqen, e kemi Donald Ttrump në pushtet, në krye të shtetit më të fuqishëm dhe më të ndikueshmin në botë. Dhe kjo duhet seriozisht të na vnojnë në pyetje dhe të na shtyjnë që t’i rishikojmë të gjitha parimet tona, në politikë. Sepse, fitorja e Trump është pa asnjë dyshim legale, porse për mua është edhe fitorja e idiotësisë, e ngritur në shkencë politike, të nderuarit miq dhe e simbolizon injorancën, antikulturën, e cila shpërblehet më në fund, si të ishte diçka krejt normale, me një pushtet dhe një pasuri të paimagjinueshme… Okay, po mirë atëherë: pse të bësh ENA-n, ose të dalësh nga HARVARDI ose OKSFORDI, me një doktoratë në xhep, siç bëri gjyshi im Henry Kissinger me ca shokë të tjerë?

Me siguri, xhaxhi Donald Duck nuk mund të krahasohet fare me shkollën apo me përvojen e Kardinalit Jules Mazarin, e Princit Anton von Kaunitz, i cili ka pas shërbyer për një gjysmë shekulli gjithë oborrin e Habsburgëve, me kontin dhe kryeministrin britanik William Pitt, ose kontin dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Francës Charles Gravier de Vergennes apo Charles-Maurice de Talleyrand, me Princin Klemens Wenzel von Metternich, me Dukën dhe Princin Otto von Bismarck, me ish-kryeministrin britanik Benjamin Disraeli, me shefin dhe diplomacisë dhe të qeverisë ruse, z. Viatcheslav Molotov, me kryeministrin kinez Zhou Enlai, me Zbigniew Brzezinski polak, që u bë ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare dhe politolog amerikan, apo me ish-presidentin karizmatik të Gjeorgjisë dhe super-diplomatin Eduard Shevardnadze, pa i harruar edhe ata tre ish-sekretarët e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, që ishin ganeziani Kofi Annan, egjiptiani Boutros Ghali dhe peruviani Javier Perez de Cuellar… dhe lista vazhdon. Tani, a mund ta imagjinoni se në çfarë rangu apo niveli politik dhe diplomatik ishim… e gjithë kjo për të mbërritur tek Trump!… Një tmerr i vërtetë. Mund t’i thuash vetes me ironi: “Sa e lartë do të jetë rënia” si në filmin e Mark Robsonit me Humphrey Bogart dhe Rod Steiger në 1956… ose si te “Urrejtja” e zotit Mathieu Kassovitz: nuk është rënia ajo që dhemb më shumë, por përplasja me tokën ose aterisazhi! Mirëpo pyetja do ngelet: Waou, po si është e mundur një gjë e tillë në një “demokraci të mirëfilltë” siç pretendohet që është Amerika? A është një ëndërr apo një realitet?

Po, sepse gjatë këtyre dekadave të fundit, veçse kemi koleksionuar rrena dhe mashtrime, propagandime dhe manipulime të opinioneve publike, me një seri tërheqjesh, braktisjesh, rrëshqitjesh këtu e aty, me shumë gjëra të pathëna, pyetje krejt të vërteta, por asnjëherë të formuluara, apo probleme urgjente dhe jetike, të cilat as që janë trajtuar dhe aq më pak zgjidhur. Dhe i kemi lënë të gjitha këto duke u kalbur në një kosh… Porse, me kohën na janë rikthyer në bumerang dhe na kanë infektuar, na kanë helmuar jetën tonë të përditshme. Po, ngaqë mbi të gjitha këto anomali dhe padrejtësi të akumuluara, ka pasur refuzime, zhgënjime, përçmime, arrogancë, mungesë respekti, injorancë, moskomunikim permanent dhe shumë devijime të tjera… duke shtuar kudo edhe përfitimin, plaçkitjen apo korrupsionin. Imagjinojini tani gjithë këto shtete të quajtura demokratike në letër apo në sistemet e tyre politike, porse në aspektin puro praktik, 50 vite me këtë lloj realiteti të përceptuar nga qytetarët!

E gjithë kjo, natyrisht, mbi një kontekst gërdie dhe dëshprimi global, por edhe mbi pasivitetin e tepruar të popujve, të cilët nuk kanë reaguar siç duhet kundër të gjitha këtyre defekteve dhe padrejtësive, aq më tepër kur kanë qenë në një Demokraci, pra ua ka hapur rrugën aventurierëve, uzurpatorëve, mashtruesve, gënjeshtarëve dhe mitomanëve, dallaverxhive dhe provokatorëve të çdo lloji, të cilët me kohën, e kanë gjetur një audiencë të gjerë, mes një publiku, i cili e ka ndier veten komplet të abandonuar dhe të dëshpëruar dhe i cili nuk kishte më asnjë shpresë mbi çfarëdo politikani klasik dhe asgjë për të humbur… Dhe pastaj, kur kjo AMERIKË e thellë, periferike, e humbësve, e fshatarëve apo proletarëve, ajo Amerika e fshehtë e luzerave (loosers), e jo the East and the West Coast, me New-Yorkun, the fift avenue me limuzina dhe Los Angeles me Holivudin, kur nuk mund të binte më poshtë se ku ishin, i kanë thanë vetes: “Pse të mos t’i dëgjojmë këta bufonë, që bërtasin pikërisht ato ide që duam t’i dëgjojmë”? Po, sepse me këto fjalime demagogjie ua kënaqnin egon gjithë këtyre proletarëve modernë US dhe i bënin që të ndiheshin mirë. Dhe duke u nisur nga ky konstatim bazik, e vazhduan analizën dhe filluan të arsyetonin pozicionimin e tyre, pas një masteri nga Sorbona, një birrë dhe një biftek të gjakosur, duke deklaruar gjysmë të dehur: “Meqë Washingtoni na injoron dhe na përçmon, na sheh nga lart pa kuptuar asgjë për situatën tonë, FUCK këta bastardë të elitës së arsimuar, të ardhur nga familjet e mëdha të privilegjuara, të gjithë të korruptuar dhe të lidhur mes tyre me një varg interesash… Atëherë, pse të mos t’i dëgjojmë këta aventurierë, mburravecë dhe mashtrues? Ndoshta ata na kuptojnë… Dhe kush e di, nëse na vijnë në pushtet, me një guxim të papritur, një surprizë të rastit, mund të funksionojnë qeverisja e tyre, qoftë edhe nga një loto apo keqkuptim i favorshëm”! Po pastaj, gjithë këta politikanët klasikë, të cilët na qeverisin mëse një gjysmë shekulli, kinse me 100 tituj dhe diploma, përmes vendimeve dhe veprimeve të tyre praktike, ku e sollën sot shtetin dhe popullin tonë? E pse mos t’i provojmë këta të tjerët, pavarësisht se kush janë… klouna të telerealitetit apo banditë, punë e madhe, veçse të na i përmirësojnë ne rrogat dhe fuqinë blerëse, të merren vetëm me Amerikën, por jo me botën dhe ta luftojnë emigracionin? Pikë!

Dhe me kohën, kur morën një audiencë serioze dhe një miratim nga një publik mjaftueshëm, në rritje e sipër, u bënë atraksioni popullor i mediave amerikane dhe të gjitha ekranet u hapën për ta… Sidomos, ngaqë ishin personazhe të cilët e garantojnë spektaklin dhe klientë të shkëlqyer për televizionin. Pastaj u shndërruar në yje popullorë, duke siguruar audienca. Dhe e kuptuan të gjithë për mrekulli, se sa më provokues, vullgarë dhe “cash” mund të jesh, aq më shumë do bësh bujë dhe do krijosh Buzzin informatik. Ta rikujtoni leksionin bazë që avokati Roy Cohn i dha mikut të tij Donald Trump! Duhet ta shikoni filmin që i është dedikuar, ngaqë është me të vërtetë interesant për ta kuptuar këtë njeri: “Asnjëherë, mos e prano asnjë gabim dhe përforcoji gënjeshtrat e tua me gjithë forcën që ke, se me kalimin e kohës njerëzit do t’i besojnë”.

Në Amerikë, gjithçka fillon dhe mbaron me fjalën e shenjtë: BIZNES dhe sa dollarë ke fituar? Është diçka elementare për t’a kuptuar. Suksesi është e vetmja gjë që ka rëndësi në fund të fundit, ngaqë, mbi këtë ide bazë është ndërtuar miti absolut amerikan. Nuk ka rëndësi as pse, as si, as stili apo mënyrat të cilat i ke përdorur, sepse, gjithçka justifikon arritjen e qëllimeve dhe vetëm rezultati përfundimtar ka rëndësi. Këtu, me logjikën US: ti je ose një fitues ose luzer, ti ose fiton ose humb dhe pikë, si në kazino ose në poker. E thjeshtë, apo jo? Shembulli absolut, i cili admirohet nga të gjithë dhe që i shërben mitit: “S’isha askushi, një anonim i shkretë dhe tani u bëra dikushi përmes pasurisë që kam grumbulluar dhe statutit që kam arritur sot”. Diçka jashtëzakonisht bazike. Nuk bëhet fjalë për një debat në televizionin Arté mes Jean-Paul Sartre dhe Raymond Aron. Këtu veprohet, nuk flitet shumë, nuk harxhohet kohë me bibliografi dhe referenca intelektuale. VEPRIM! Modelet janë Stallone, Rocky, Rambo, Ford, Rockfeller, Howard Hughes e jo Platoni! Pastaj, dikur me vite, gjithë kjo botë dhe kjo logjikë mendimi është normalizuar dhe banalizuar, ka hyrë në normat dhe kodet tona dhe krejt natyrisht është bërë pjesë e kulturës dhe shoqërisë, atëherë pse të fshihemi ose të ndjejmë siklet? I kemi integruar tani të gjitha këto delire, anomali dhe çrregullime si diçka krejt normale. Nëse sot cirku, gënjeshtra dhe provokimi bëjnë bujë, pse të mos shkojmë deri në fund dhe t’ua shtojmë disa tonalata më shumë? Ju po e shihni vetë rezultatin praktik: Kim Kardashiani, Taylor Swifti, Madona, Jay Z apo Kenny West, i nxjerrin komplet jashtë loje dhe i fusin nën terr Tony Morrissonin, Marguerite Yourcenaar, Thomas Pynchon, Kamel Daoudin që fitoj para pak ditësh çmimin Goncourt, Michel Serres, Edgar Morin, etjerë… Sikurse çdo bufon i televizionit që vjen kinse ka shkruar një libër në Shqipëri dhe ia kalon Migjenit dhe Lasgushit me popullaritet dhe me lexues? Gjithë ky bastardim dhe kjo Shoqëri e Spektaklit permanent, i drogon të gjithë me radhë, e krijon artificialisht një masë kinse të lumtur, deri sa t’i dalë narkoza dhe patjetër, do e rrit popullaritetin tënd gjer në qiell, si populist i suksesshëm. YES MAN… Arenat e Jul Çezarit do të vazhdojnë të mbeten aktuale edhe për shumë kohë!

Për të gjitha këto arsye, sot, në anën tjetër të Atlantikut, ngaqë ekziston një tjetër prapasfond kulturor, ose grill referencial në krahasim me Europën, mund të paraqitesh me krenari si një Tip idiot, vulgar, injorant dhe trashanik, duke e shitur këtë kartë vizitë, si një vlerë autentike. Po, ja ku jam përpara jush, i lumtur dhe triumfues që jam po aq budalla, primitiv dhe me po aq kulturë sa kushëriri im nga epoka e kromanjoneve. Dhe kjo është shumë mirë, zonja dhe zotëri, sepse, jam si ju në thelb dhe i urrej të gjithë ata intelektualë mendjemëdhenj të establishmentit, të mbingarkuar me diploma dhe tituj të stërfryrë.

Unë jam një njeri i thjeshtë, i rrugës, i dalur nga populli, një self-made man   që është bërë vetë, duke i sfiduar të gjitha klasat e larta amerikane, të cilat më kanë shpërfillur, ironizuar dhe hedhur poshtë për vite me radhë. Nuk kam asnjë superego frojdiane, e përbuzi psikanalizën, Oksfordin dhe Harvardin, nuk kam komplekse, sepse, sot me një ambicion pa limit dhe me meritokraci, e kam arritur pushtetin absolut dhe pasurinë. Dhe nesër me mua, do fitoni edhe ju ca dollarë! FUCK THEM ALL!  Madje, edhe Elon Musk, miliarderi më i madh i planetit, tani po vjen për të ngranë në dorën time. Imagjinojeni, prej që kam fituar zgjedhjet me 6 nëntor ka fituar mbi 80 miliardë dollarë… a mund ta besoni? A po e shihni se çfarë fuqie kam, more të shkretë? Pra, na rroftë Partia dhe Shefi, Lavdi Popullit, rroftë festa e budallallëkut të përgjithshëm në formën e saj më të pastër, idiotësia e çliruar totalisht nga çdo ndjenjë faji dhe madje e ngritur në piedestal, duke u bërë tash e pas, shembull për t’u ndjekur në një pjesë të madhe të botës. Sinqerisht, o lexues, ky lloj fenomeni është më shumë se shqetësues! Se ku përfudon gjithë ky delir, kjo rrëshqitje tragjike në humnerë… Jemi zhytur të gjithë në një rrugë të gabuar!

Deri dje, në një botë dhe shoqëri normale, si këtu në Europë, nëse i shkelje të gjitha ligjet dhe kodet e sjelljes, nëse ke devijuar përtej të gjitha limitëve, ty të kanë gjykuar, kritikuar, dënuar, analizuar dhe të kanë obliguar të justifikohesh, të japësh llogari, ndonjë shpjegim të arsyeshme dhe të na shprehësh një lloj falje apo pendese. Ta ka imponuar etika e kohës dhe e vendit, konteksti ku ke jetuar… Kurse tani, si me magji, gjithfarë absurditeti po pranohet, madje edhe e paimagjinueshmja, nëse e marrim për bazë, një shoqëri demokratike dhe humaniste, aty ku vepron akoma ligji dhe drejtësia, pa e harruar edhe anën sociale! Dhe befasia e situatës aktuale të len gojë hapur, gati pa reagim… Fillon gati për të dyshuar mbi veten, a jam normal apo anormal? Por më thoni, qysh është logjikisht dhe juridikisht e mundur… me atë lloj sjellje, veprimi dhe fjalori vullgar për të arritur gjer në kulm… se këtu mbretëron për mua një farë misteri që nuk ma kap mendja logjike? Por ndoshta jam gabim?

Një NJERI me 34 dosje gjyqësore mbi shpinë, që ka kaluar në dy procedura për shkarkim, që ka nxitur një rebelim në Kapitol – gati një grusht shteti politik – për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, zgjidhet përsëri sot, shumë demokratikisht dhe pa asnjë diskutim të mundshëm, si Presidenti i 47-të, i shtetit më të fuqishëm në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i koncentruar në duart e tij, po thuajse të gjitha pushtetet: Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Gjykatën e Lartë. Nga pikëpamja logjike, morale, intelektuale dhe racionale: është e pabesueshme, apo jo? Kështu, që të gjitha barrierat janë zhdukur dhe ka eksploduar çdo normë…

Dakort, po e konstatoj me keqardhje. Por çfarë shembulli i jep kjo gjithë botës në lidhje me praktikën e kulturës demokratike, me sensin e përgjegjësisë dhe pjekurisë politike, me sensin e arsyes dhe të masës dhe me aftësinë për të trajtuar sa më drejtësisht çështjet më të rëndësishme të shoqërisë? Sinqerisht, është diçka katastrofale! Një precedent, i cili ka për të pasur sot dhe në të ardhmën pasoja të mëdha dhe ndoshta tragjike. Ky shembull aq delirant dhe i papritur, me fitoren e Trumpit, e demonton komplet, e mohon, e destrukturon, e anulon gjithë logjikën institucionale politike, diplomacinë profesionale e mësuar kudo nëpër Universitete dhe e cila ka qenë në fuqi deri dje, në programin e Europës, por edhe të Amerikës në këto shekujt e fundit. Nesër, do hapet një faqe e ré e aventurave të çdollojit, pse jo edhe logjika e pionierëve si në filmin e Scorsese “The Gand of New-York” rikthimi në primitivizëm, në elemente bazike, çka bile ka filluar tash ca vite kudo në botë.

Po, se edhe ne e kemi përqafuar tani atë modë të çoroditur. Ka shumë kohë që edhe ne, në zemër të Europës, jemi zhytur në budallallëkun më të madh, populizmin, diskursin e ekstremeve, sentencat si: “Këtu gjithçka është duke shkuar keq dhe nuk po shkon asgjë në rregul… ky shtet nuk do bëhet kurrë, nuk kemi asnjë propozim praktik dhe efikas për ta përmirësuar dhe tani po tërhiqemi, po ikim, se nuk duam për t’u investuar për një kauzë kombëtare.  Po pse nuk e kanë bërë të tjerët këtë dhe atë, kurse unë, nuk do bëj asgjë”! Ne kemi banalizuar të gjithë diskursin e urrejtjes dhe të ndarjeve, të gjithë format e racizmit dhe ksenofobisë, e çdo lloj të antisemitizmit, anti-islamizmit dhe gjithë këto pozicionime, të cilat i dënon morali, ligji politik dhe kodi juridik, ngaqë janë anti demokratike dhe përafërsisht fashiste apo radikale, sot, po na shprehen pa tabu, pa probleme, krejt lirisht dhe me një krenari në çdo shesh publik dhe në ekranet tona, sikur të ishte diçka plotësisht normale. Narcizizmi dhe megalomania primare, të bësh premtime imagjinare, të cilat nuk do t’i mbash, të pshurrish mbi të gjithë, të llastosh audiencën në takimet publike, të fyesh kundërshtarët si një laper lagjesh dhe pastaj është fantastike, mund të arrish kundër gjithë establishmentit dhe mendimit të madh të universiteteve, gjer në kulmin e Pushtetit! EUREKA! Mund ta piketosh dikënd që nuk e do dhe të shpifësh lirisht, gjer ta urrejnë të gjithë, me 3 fraza dhe pa i dhënë askujt llogari, sa të jetë INTERNETI në fuqi… Kultura e BUZZIT e ka zëvendësuar kulturën autentike të bibliotekave. Çfarëdo rrene apo fake news kalon dhe printohet në trurin e publikun ashtu siç vjen… dhe pavarësisht nëse personi i anatemuar apo i shpifur, do dalin pas 1 viti juridikisht i pafajshëm dhe i larë nga akuzat, është tepër vonë, sepse imazhi i parë i fajtorit ka dominuar. Konkretisht, ka fituar mashtrimi dhe dezinformimi mbi të vërteten objektive!

Por ti si viktimë e një padrejtësie, çka ke për të bërë dhe si ke për t’u mbrojtur kundër fuqisë së rrjeteve shoqërore, me disa miliona të abonuar. Cilat janë alternativat, kundërpushtetet e mundshme, kundër SILICON VALEVE të Elon Musk dhe Zuckerbergut me shokë? Për t’i filtruar dhe kornizuar duhet një vullnet politik i fortë, i të gjithë Bashkimit Europian, i cili mund t’iu imponojë rregulla strikte dhe taksa në nivelin e duhur. Por sot jemi në një vakuum juridik komplet dhe një përçarje brenda shteteve europiane, të cilat shiten pas interesave të tyre ekonomike, para se me e mbrojtur drejtësinë logjike të përbashkët. Kështu, që nga gjithë ky konfuzion përfitojnë këta manipulatorët e pa skrupull fare! Sepse, me logjikë normale, mund të kontrollohen pa problem dhe mund të filtrohen. Ngaqë, si është e pranueshme që çdokush mundet për të akuzuar, shpifur, sharë, çnderuar çdokënd përmes një fushate të montuar në internet… dhe pa asnjë mundësi legale për viktimen, për t’u mbrojtur dhe kundërpërgjigjur? Dhe nëse e arrin, imazhi i ngelet i degraduar.

Fitorja e Donald Trump dhe ardhja e tij në pushtet me Muskin, i ka fuqizuar të gjitha këto devijime dhe anomali anti-demokratike, 10 herë më tepër. Po, por atëherë, ku qëndron kultura demokratike në gjithë këtë gabelhane? Filozofia europiane, rilindja, humanizmi, drejtësia dhe etika ku janë? E gjithë kjo rrëshqitje e pa limit, mua më shqetëson realisht, se nuk ia shoh fundin dhe e di që herët apo vonë do na shpjerë gjer në katastrofë, do na dalë prej kontrolli. Ku qëndron kufiri i gjithë këtij amoraliteti, degjenerimi, bastardimi i çdo rregulli normal? Vjen një moment ku do t’i thuash vetes: “Po çka është moralisht dhe intelektualisht e pranueshme, legjitime dhe çka nuk është”? Sepse, nëse shkrihen apo eksplodojnë një pas një të gjitha barrierat, kodet dhe normat shoqërore dhe morale, ligjet dhe rregullat demokratike, pse mos të na vijë një Hitler, një Neron ose Pol Pot i ri në pushtet, çka e ndalon? Nëse e favorizojmë kudo anti-kulturën, vullgaritetin, analfabetizmin, kretinërinë, banalitetin, provokimin, perversitetin, autokracinë dhe abuzimet e gjithanshme, më thoni, ku do mbërrijmë? Si do përfundon kjo punë? Imagjinojeni si program: degjenerimi i dekompleksuar, arroganca, maçizmi, egoja e surdimensionuar, narcizismi i pa kufi, manipulimi i autorizuar, aventurizmi i pa kufizuar, mbi një bagazhë kulturor nul? Çka mund të pritet? Mirëpo, pastrimi i trurit gjatë këtyre viteve të fundit, përmes ekraneve të internetit dhe televizioneve e ka bërë efektin e vet dhe sot, çdokujt po i duket anormalja krejt normale dhe debiliteti vlerë kulturore. Dhe çdokush ja jep pa asnjë problem dhe me plot qejf, drejtimin e një shteti, një Trumpi, Bolsonaro, Javier Milei, Berluskoni, Orbani dhe në Francë, për pak ishin duke e çuar një injorant Jordan Bardella 29 vjeçar, pa asnjë bagazh serioz si Kryeministër.

I thashë vetes: A mos jam nën kokaïnë? Por jo, isha i vetëdijshëm plotësisht! Pra, të gjitha këto personalitete njihen mirë, ka mjaft informata, intervista, dokumente filmike dhe libra mbi to… dhe askush nuk mund të afirmojnë nesër apo pasnesër: “Jo, po unë nuk e kam pas ditur se kush janë, se çka propozojnë dhe sesi veprojnë”? Janë argumente të papranueshme! Mirëpo, të gjithë këta lider politikë të çregulluar e dëmtojnë, për mos me thënë e shkatërrojnë gradualisht gjithë demokracinë dhe e përbëjnë realisht një rrezik për më vonë, sepse me stilin e tyre të pafiltruar fare, do ua hapin rrugën të gjitha diktaturave të ardhshme, të cilat do na vijnë të legjitimuara përmes votave të një populli të pamend dhe komplet nën influencë, pra i droguar. Kjo do të thotë shumë qartë, se ky është mesazhi qendror: “Të jem sa më popullor, grotesk dhe vullgar, simpatik, primar, bile edhe primitiv, të provokoj,  të them çka të më kalojë nëpër kokë, të rrej dhe të mashtroj aq sa është e mundur, ta kënaqi publikun tim me fjalët që dëshiron për t’i dëgjuar, ti shaj të gjithë kundërshtarët e mi, të aktroj si në një telerealitet banal dhe do arrij gjer në Shtëpinë e Bardhë duke dhier mbi të gjithë establishmentin dhe dijen e elitave universitare. – “ Waou, super… çfarë fitore e pa imagjinueshme, sepse e kam pasur Zotin me vete dhe popullin”. Dakort, e bravo të qoftë Donald! Më pas, çfarë? – Hej, sun of e bitch, u emërova në krye të shtetit dhe u ula në kolltukun e presidentit amerikan, that’s it: dhe tani mund ta shijoj fitoren, të hakmerrem pamëshirë ndaj të gjithë atyre që më kanë përçmuar dhe luftuar gjatë këtyre vitëve të fundit, pastaj të ujosem mbi çdo inteligjencë të vendit, duke ju thënë horrave: :Unë jam këtu, Big Boss i madh numër 1 dhe ju kam mundur të gjithëve, more grumbull pinguinësh muti me kravata”! Okay, SHEF dhe MBRET DIELL, por me gjithë këtë program, ku do shkojmë? – Biznes and deal, o idiot albanez… a ma ke shitur një ishull në Sazan? Të udhëheqësh një vend, nuk është si në filmin delirant “Reservoir Dogs” i Tarantinos… kjo detyrë i kërkon disa njohuri dhe një përgjegjësi të lartë.  Duhet një eksperiencë profesionale e gjatë dhe një formim pak serioz! Po, e di more Miq, por i kam animuar disa emisione televizionesh me mjaft audiencë dhe sukses… do japi urdhëra preçise dhe do zbatohen… pikë!

Tani, në një Europë, si kontinent i vjetër me këto 2 mijë vite kulturë dhe tradita, gjithë ky iracionalitet, normalisht nuk do duhej për të kaluar. Pavarësisht, që edhe këtu, i kemi gjithashtu një mori personalitetesh, të cilat i kalojnë kufijtë e të pranueshmës në mjediset politike, si Jean-Marie le Pen, Eric Zemmour dhe plot të tjerë, por megjithatë, në budallallëkun dhe fiksimet e tyre, ka gjithmonë një bazë kulture dhe referencash, siç ndodhi dikur me të gjithë këta nazistë gjenocidarë të Reichut të Tretë… ngaqë siç dihet mirë, gjithë çmenduria e tyre vrasëse ishte gjithmonë e mbështjellur me filozofi, letërsi, muzikë klasike dhe Opera. Pastaj, e kemi për traditë nga trashëgimia filozofike dhe psikoanalitike, që të mundohemi t’ua kuptojmë logjikën e funksionimit dhe motivacionet burimore, se si kanë arritur deri në këtë pikë ektreme? Në Francë, të paktën, e kemi budallallëkun ose populizmin relativisht të kultivuar, sepse është një popull i cili nuk vjen nga hiçi absolut, por nga filozofia dhe letërsia.

Por këtu, në Amerikën e Trump mund të arrijë një person grotesk dhe komplet bosh, përpos miliardave dollarë që i ka, sikur të ishte një yll i rock and rollit, në atë Amerikën e thellë, për të cilën nuk flet askush përpos pak para zgjedhjeve, por ku 77 milionë njerëz kanë votuar për të… do me thënë, me 3.5 milionë vota më tepër sesa Kamala Harrisi. Por çka është edhe më e çuditshme për një njeri normal europian, është fakti që paraqitet ai person, pra Presidenti i ardhshëm para publikut dhe para tërë botës, duke e shfaqur me një krenari të paparë, gjithë injorancën, anti-kulturën dhe budallallëkun e tij monumental, ultësinë, vullgaritetin, perversitetin, anën provokuese dhe të trashë, nivelin zero të mendimit dhe të analizës, në një mënyrë komplet cool dhe të dekompleksuar, sikurse të përbënin të gjitha këto cilësi, një vlerë tepër të madhe. Çka është kulmi i ironisë dhe i absurditetit! Naryrisht, mund të na duket në shikim të parë qesharake, kurse në realitet është mjaft tragjike për ne dhe për konsolidimin e Demokracive në të ardhmen. Sepse ky shembull do ua hapë rrugën të gjithë Debilave për t’u futur pa problem nesër në të gjitha skenat politike dhe sferat e pushtetit. Kur është e mundur në Amerikë, pse nuk mund të jetë e mundur më vonë në Europë? Miti është i bukur në aparencë…

“Shikoni, unë jam i ngjizur nga i njëjti brumë sikurse ju, i dashur popull proletar apo katundar, por ja, tani unë arrita të ngjitem në majën më të lartë të shoqërisë, duke u bërë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe do jem patjetër zëdhënësi apo avokati i juaj në Shtëpinë e Bardhë. Pra, a po e shikoni që gjithçka është e mundur në këtë vend të madh dhe të bukur, i krijuar prej Zotit sipas imazhit tuaj”! Tani, si me ju përgjigj gjithë këtij mistifikimi dhe kësaj demagogjie? Aty qëndron pikërisht problemi ynë!

Sepse, ne në Europë, jemi edukuar në racionalitet dhe humanizëm, në atë mëshirën kristiane, e konvertuar në sociale, në nuanca, argumentacione dhe debate kontradiktore, me atë kulturë të vjetër demokratike, të cilën e kemi pas trashëguar. Por nesër dhe në të ardhmen, nëse bazohem në realitetin dhe në kontekstin aktual, nuk do ta kemi shumë lehtë, për të komunikuar racionalisht me gjithë planetin. Sepse, 70 përqind e botës nuk funksionon sikurse ne në Beneluks, porse janë në autokraci apo diktaturë. Pastaj, e kemi bërë një gabim tëpër të madh, duke menduar që do ishte e mundur të bisedonim sinqerisht, si të fliste një holandez me një danez, apo një spanjoll me një portugez, me gjithë këto shtete, e aq më tepër me ato superfuqitë aktuale apo emergjente, të cilat na përbuzin dhe janë totalitare, dhe aq më tepër Rusia dhe Kina, por nesër edhe Pakistani, apo India, Indonezia… mos të iluzionohemi që po na duann të mirën. Po pse? Ngaqë e kanë një kulturë dhe një formim edukativ, një besim radikalisht të kundërt me ne (ata mendojnë dhe veprojnë krejt ndryshe, pikë !) dhe pastaj janë fuqi të mëdha ambicioze, të cilat vetëm dëshirojnë për ta shtrirë kudo influencën e tyre, duke i nënshtruar gjithë të tjerët. Dhe me ato lloj shtetesh përballë teje rreth një tavoline, nuk mund ta zhvillosh një bisedë demokratike dhe transparente, me shpresë për ta arritur një marrëveshje të sinqertë dhe serioze, e bazuar vetëm në arsyen, madje edhe në drejtësinë njerëzore… Sepse nuk funksionon ajo lloj alkimie, ngaqë siç ua thashë më parë, ata në realitet janë të edukuar dhe të trajnuar, në urrejtjen ndaj Europës dhe Demokracisë dhe objektivi i tyre i qartë është për të na sunduar, për ta mposhtur modelin tonë alla Perëndimor… Ata nuk i kemi as miq, as të afërt, dhe nuk janë këtu për të na përkëdhelur, as për të na puthur! Bisedat tona alla borgjeze dhe aristokratike, modelet tona të shoqërisë, vizionet tona demokratike për botën dhe humanizmi ynë, nuk funksionon para Rusit, as Kinezit, por as para partnerit tonë amerikan, mos u hutoni, sepse, e ke si prioritet absolut në program: «AMERICA FIRST» dhe mixha yt, aleati yt SAM do të shkelë për një interes të tij, pa asnjë lloj mëshire siç thoshte dikur Kissingeri: “Amerika nuk ka miq autentikë shpirtërorë, por ka vetëm miq hipotetikë, do me thënë partnerë apo aleatë për disa interesa precize të përbashkëta dhe pike”! Mos harroni, lexues të nderuar, që ata nuk kanë asnjë interes apo respekt, për këto vlera apo modele tona europiane, bile pshurrin mbi to dhe më në fund, nuk kuptojnë asgjë tjetër përveç marrëdhënien e forcës, ose ndonjë deal krejt praktik. Duhet kuptuar që superfuqitë janë sikurse Luani apo Tigri në natyrën afrikane apo amazoniane, janë aty për të dominuar, për ta siguruar një lidership, ngaqë e kanë një apetit të pakufi dhe janë de fakto, ekspansioniste apo imperialiste, nëse do ju jepet ajo mundësi.

Dhe pikërisht, këtë e kuptoi shumë mirë në kohën e tij zoti Ronald Reagan, prandaj, ai fitoi në të gjitha çështjet e nxehta, gjatë mandatit të tij presidencial. Kurse, ne në Europë nuk e kemi kapur akoma tamam atë mesazh esencial. Sepse nuk mund ta konkretizosh ndonjë ndryshim, me biseda të pafundme në një sallon çaji. Një moment duhet për të vepruar si burrat duke i shfaqur kartat e tua si kontinent dhe duke i afishuar pa asnjë hezitim qëllimet e tua politike dhe strategjike, me ato vijat e kuqe, të cilat nuk do lejosh për t’i shkelur!

Pra, me folur si një partner i barabartë me ta, por kjo e supozon patjetër një bashkim serioz në të gjitha fushat kryesore ushqimore, energjetike, industriale por patjetër edhe ushtarake, e jo sikurse Bashkimi Europian aktual, i cili blen 80 përqind materiale amerikane, por jo europiane… e ku është logjika e kësaj strategjie pastaj? Për t’i kërkuar nesër një leje Amerikës, për një përdorim armatimi, sikurse sot Ukraina, me 100 kufizime dhe hipokrizi, apo për të qenë komplet i varur duke e pritur një vegël Iks apo një motorr Ypsilon nga uzinat e tyre?… Më falni, o miq, por unë nuk e kam dëgjuar babain tim, edhe pse e kam respektuar thellësisht, kur kam menduar që nuk e ka me të drejtë dhe jam bërë ai aventurieri anarshist dhe poeti që jam me dëshirën time, e jo me pranuar për më të diktuar një i huaj tek shtëpia jote, ose për jetën tënde. A duam për ta mbrojtur me çdokush sovranitetin tonë si europianë, apo preferojmë për të qenë vasalët apo sherbëtorët e Amerikës dhe të kolonizuar më vonë ekonomikisht edhe nga Kina? Na thoni se çka doni dhe pikë! Realiteti i sotëm nuk është aq i vështirë për ta deshifruar.  Tani, sy ndër sy: çfarë mund të presim të arsyeshëm apo pozitive, ne si europianë të lirë, të supozuar demokratë dhe humanistë, njerëz të qytetëruar dhe të rafinuar me disa tradita, nga një njeri sikurse Donald Trump, apo më keq akoma, nga zoti Vladimir Putini, Xi Jinpingu ose Narenda Modi? Jo, po seriozisht, të jemi të sinqertë? Asgjë të mirë dhe asgjë të vlefshme për ne, kjo është e sigurt!

Pse të humbasim kohën dhe të iluzionohemi kot, në vend që të bashkohemi dhe ta përcaktojmë një strategji të vërtetë së bashku… pra, të përgatitemi dhe forcësohemi sa më mirë. E kuptoj fare mirë, që nuk është lehtë për ne si demokratë të vërtetë, për t’u konfrontuar siç duhet përballë gjithë kësaj çmendurie dhe irracionaliteti aktual, kundër injorancës në rritje e sipër, verbërisë, debilitetit, demagogjisë, fanatizmit, fundamentalizmit, regresioneve mesjetare në shumë fusha, popullizmit, autokracisë, diktaturave dhe kundër superfuqive agresive, të cilat ëndrrojnë për të na skllavëruar. Jo, ka punë dhe mundim të madh për t’ia dalur me sukses! Mirëpo, kjo situatë apo diagnozë e sotit, na detyron tani e pas, për të dalur përfundimisht nga 80 vite naivitet, pacifizëm dhe pasivitet, si të ishte bota një kopsht me lule, si në kohën e atyre hipikëve “Power to Flower”, ndërsa gjithë të tjerët u armatosnin gjer në dhëmbë dhe ëndronin për të na përpirë. Kemi menduar që gjithë planeti tokësor është demokrat, racional dhe njerëzor sikurse ne dhe që do i bindim me liri dhe dashuri, apo një imagjinatë të pa kufi. Bile, unë vetë isha i pari për ta përqafuar atë program, i cili në ato vite 70, më ka pas pëlqyer. Për mua, ishte një utopi poetike, e pa dëm, pozitive dhe konstruktive, e cila t’i hapte disa horizonte dhe disa hapësira lirie. Mirëpo, sot nuk funksionon…

Sepse, duhet për ta konstatuar me shumë kthjellësi, që ne si Europianë demokratë përendimorë, me Amerikanët, Rusët, Kinezët, por edhe Indianët me 1,5 miliardë banorë, nuk jemi aspak në të njëjtën botë… Ata, janë njerëz të cilët jetojnë, mendojnë dhe veprojnë me kode të tjera, në një univers krejt të kundërt me tonin. Nuk funksionojnë të ushqyer me sfondin tonë kulturor shekullor të Rilindjeve humaniste, as me parametrat e demokracivë tona europiane, sikurse ato të Beneluksit ose të Skandinavisë… Atyre nuk ju bënë asnjë përshtypje dhe qeshin me vlerat apo normat tona. Ngaqë ata janë në realitetin e tyre edukativ të strukturuar apo të formatuar, veç për t’i ndjekur po themi instinktet puro të predatorëve dhe të dominuesve, kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar! E jo për ta ndarë një tortë me ne në 4 pjesë të barabarta, duke e pirë një gotë verë dhe duke u përqafuar. Tani, pyetja është e thjeshtë: Përballë gjithë kësaj, një situatë konkrete shumë objektive… ne si europianë me kualitetet që kemi, me çfarë mund t’i kundërshtojmë? Me llafollogji, me djathëra dhe verëra franceze, me çokollata belge, me lojëra basti, me debate televizive, me telerealitete dhe me seriale patologjike? Me Uilliam Shekspirin apo Viktor Hygonë, kinse për t’i impresionuar? Jo, se t’i shfaros John Wayne, Kirk Douglas apo Charles Bronson të dy me një revole dhe një shishe Whisky! Kjo mund të funksionojë vetëm me një MARRËVESHJE në formën e një ideali të bazuar në një marrëdhënie reale force dhe asnjëherë ndryshe. Morali i gjithë kësaj, o fëmijët e mi, kushëri, vëllezër, motra, miq dhe armiq: është që t’i hapim sytë dhe ta dimë mirë se kënd kemi përballë nesh, pa u hutuar? Cilat janë qëllimet e tij dhe çka pret saktësisht prej nesh? – Jo, por do të në imponojnë ligjin e tij të dollarit, të protesksionizmit, të subvencionimit shtetërorë masiv të firmave amerikane duke e dënuar hipokritisht tonin me AIRBUSIN europian e sa firma të tjera dhe duke i mbitaksuar produkten tona në tregun amerikan. Kurse ai tjetri do me na kërcënuar dhe kinezi do me na kolonizuar ekonomikisht? Okay, mirë! Por ne si europianë, si do ju përgjigjemi? Me aplaus dhe me lule? Pra, duhet që të zgjohemi urgjentisht nga gjumi dhe të përgatitemi seriozisht përballë të gjithë sfidave të mëdha që do na presin së shpejti në ekranet tuaja… ha, ha, ha… Por, mos e merrni këtë për diçka të lehtë, sepse kjo është gjithçka të doni, por jo hajgare… Ne jemi duke luajtur për momentin, ndoshta pa e kuptuar as vetë apo pa qenë krejt koshientë gjithë ardhmërine e Europës tonë, të euros si monedhë e përbashkët, të rolit dhe peshës që mund ta ketë Bashkimi Europian nesër në skenën ndërkombëtare dhe gjithashtu po luftojmë kundër modeleve diktatoriale apo totalitare, për ta rifuqizuar ardhmërinë e demokracive tona përballë populizmit, ekstremizmave dhe budallallëqeve të llojllojshme, gjithë atyre mashtruesve gjysmë të luajtur, por nganjëherë edhe super të rrezikshëm, për nga ana e tyre delirante dhe e pa parashikueshme, të cilët pallin si idiotë dhe më në fund triumfojnë.

Pas një trashëgimie mijëvjeçare kaq të pasur dhe të ndritur, e cila ka pas frymëzuar pozitivisht të gjithë rruzullin tokësor, sepse kjo ka qenë Europa, magjike dhe gjeniale, sipas meje, pavarësisht a na pëlqen apo jo… Unë për veten time nuk kam njohur model civilizimi më të pasur dhe më interesant deri sot, askund tjetër… Prandaj, më vjen super keq, kur po e shoh me keqardhje, që ka ra sot kaq poshtë, duke e përqafuar absurdin, duke u përplasur me një farë kaosi psikologjik dhe moral të brendshëm dhe duke notuar në kënetat e boshllëkut, duke u pajtuar me të papranueshmen për një kohë rekord. Ngaqë kemi ra gradualisht edhe ne, duke kopjuar debilitetin amerikan, por jo atë Amerikën grandioze dhe pasionante, të cilën e dua unë, me plot vlera dhe propozime ultra interesante (në film, letërsi, pikturë, muzikë)… por, Amerikën e Trumpit me nivelin e një gjimnazisti në Bathore, siç e përqafuam dikur, menjëherë dhe pa duruar, bile të entuziazmuar, modelin debil dhe degjenerues të Berluskonit. Dhe tani si pasojë e gjithë kësaj politike dhe qendrimi njerëzor: WELCOME në nivelin e Nabilës dhe Kim Kardashianit… Ah Motherfuckers, kjo për mua është poshtëruese dhe shumë dëshpëruese! Po ma shpjegoni, qysh fitoi idiotësia edhe tek ne deri në atë shkallë? E mos të flasim fare për Shqipërinë, e cila është nën zéro. Një No Man’s Land dhe një Disney Land evropian. Një supermarket ballkanik nën qiell të hapur dhe asgjë më tepër! Ah po, ndoshta ju vjen keq… dakort, por ta dini mirë, që mua, edhe më tepër sesa juve, porse kështu e perceptoj me atë backgroundin që e kam. Por nuk mundemi për t’u entuziazmuar me këtë realitet kombëtar, por as evropian aktual, dhe aq më tepër për t’u shndërruar në një aktor hipokrit, i cili rreh shuplakat, mbarë e mprapshtë, për çfarëdo lloj maskarallëku që na propozohet. Fabrika e pastrimit të trurit dhe të drogimit global të një shoqërie po funksionon për mrekulli, me ndihmën e zotit dhe të robit… Bravo, veç vazhdojeni, se e keni mirë… se kush priste prej nesh për të qenë Kanti, apo Spinoza, Da Vinci apo Mikelanxhelo… Verneri apo Rembrandti? Shumë më mirë Karnavali dhe Bixhozlandi, Trullografia dhe Amnezia, Zhurma dhe Turma.

Na duhet vetëm një shkëputje shpëtuese, një pleqëri e madhe mes nesh, një stazh në heshtje totale dikund në Tibet, një meditim në një Teqe sufiste apo  në një Tempull budist, një bredhje e gjatë nëpër Bjeshkë, për t’u rilidhur me vetveten, me kombin, me Europën, me bashkatdhetarët tanë, me botën. Ose do të zhytemi të gjithë pa eksepsion, në një budallallëkëri tragjike dhe një absurditet i pafund, një cinizëm dhe një nihilizëm ekstrem, një lloj skllavërie robotike postmoderne, e cila po na pret krahë hapur, për t’i inauguruar kohët e tashme dhe të ardhshme futuriste, dikund përtej Iksit, të programuara nga inteligjencat artificiale për lumturinë e kërmijëve… duke mos qenë gjë tjetër, përveçse shërbëtorë të zhurmshëm dhe blegërues para gjithë të fuqishmëve! E di që do ngelem i vetmuar dhe i margjinalizuar me kujtimet e mia, me filmat, librat, pikturat dhe muzikat të cilat më kanë pas ushqyer gjithë jetën, me miqtë e rrallë por të shtrenjtë të cilët më kanë pas kuptuar dhe vlerësuar, me të gjitha ato femra magjike, të cilat më kanë pas magnetizuar dhe provokuar. Po, po, sikurse dianauzori i fundit, para apokalipsit të ardhshëm, zhgënjimit monumental, me atë buzëqeshje të Xhokondës në Luvër, duke ju pa përsëri. Do vijë ajo botë të cilën ne keni përgatitur, por kjo do të jetë pa mua, sigurisht! E preferoj atë timen në liri absolute, në vërtetësinë dhe autenticitetin e saj, e ushqyer deri në fund, me sinqeritetin dhe dinjitetin maksimal.

Bruksel, 1 Dhjetor 2024.

Please follow and like us: