Hysen Kobellari: Pjata ime me fytyrë gruaje
-Poemth-
1.
Pjata ime ka fytyrë gruaje, femre;
Fytyrën e botës kam përpara,
në formë truri, jo në formë zemre.
Unë jam qielli, babai i diellit,
mbi pëllëmbë perëndish vendos ushqimin, bukën…
Atje ku hamë, mbjellim,
luajmë si plaka me furkën.
Dhe pres fjalën e saj:
-Të bëftë mirë, hallall e paç!
Buk e krip e zemër…
Mos e hëngërsh! Plaç.
Ha, të hëngërt flama! Të zëntë grykën.
Asnjë punë s’ke bërë; rrykën e pykën.
Po pjata s’flet. Falsin pandehmat e mia;
mbi pjatë s’dua të vë mollë,
fytyra jote bëhet e kuqe, e kaltër…
Mashtrimi i mollës më përndjek, si gjarpër!
Pjatë me fytyrë gruaje, qenka kjo?!
Lum kush e ka,
Mjerë kush e do!
2.
Më shikon. Të shikoj.
Merremi vesh, po nuk kuptohemi,
gjithë fjalët e botës janë vjetëruar e nuk mjaftojnë
dhe unë bëj çdo përpjekje,
për të shprehur ndjenjat e një burri,
përpara kësaj pjate!…
Si të jesh përpara një govate,
ku lahet një krijesë
gjysma jetë, gjysma vdekje.
3.
Kjo pjatë është një skenë,
ku të gjithë luajnë si dinë e si munden,
ku dalldis e llapashitet jeta e burrave.
Ku njerëzit ndihen të gajasur;
Ha çfarë hanë të pasurit,
Që të ndihesh i pasur!
Unë dua të ha,
ti do të hahesh, por jo plotësisht;
S’të mbarova kurrë dot përfare,
pjata ime e përjetshme,
me fytyrë lozonjare!
4.
Ti e di që unë jam shpëtimtari yt;
unë e di që ti je shpëtimtaria ime,
po kurrë s’ia kemi rrëfyer këtë njëri-tjetrit;
as ti, as unë.
Etja dhe uria të bëjnë të biesh padashur në gjunjë…
Ti mund të ma rrëfesh teksa falem përpara kësaj pjate
me fytyrën tënde!
Po të dëgjoj me vëmendje.
5.
Nuk e di pse, kjo pjatë me fytyrë gruaje
është plot shije, qoftë edhe bosh.
Mjafton ta shohësh me dashuri e përvuajtje
dhe do ta kuptosh…
Burra! Shikojeni pjatën më fytyrë gruaje
dhe jo gruan me fytyrë pjate.
Se këtë bëni tërë jetën gabimisht,
ndaj jeni zero me bisht!
Jem i revoltuar dhe mos më thoni:
– Ti ishe mirë, ç’pate?!
Gabimi juaj në shpirt më gërvish…
Fytyrë gruaje në pjatë, pranë teje po marrohem;
Kushdo që të jesh, nuk e di…
Kam nevojë dhemshurisht të shkarkohem,
Jam i mbushur plot me dashuri…
6.
Përpara pjatës sime me fytyrë gruaje
gëzohem dhe trishtohem thellësisht;
Grua, misterin e jetës, ruaje!
Midis Dhisë edhe Deles,
rrugë të mesme, zgjidh!…
Skëndebeu ynë, shenjt dhe shenjë e Zotit,
Adam me besë të rëndë,
Dhinë mbante mbi krye
dhe Delen ndër këmbë…
7.
Në pjatën time me fytyrë gruaje
vendos një kokërr gruri
dhe them: Nderin, për veten tënde, ruaje!
Bie në boshllëkun e natës që brenga ma pruri;
rrëshqas në një ëndërr të ngrirë, të turbullt,
si vezë surbull
dhe ndjek fluturimin e shkurtër të patës…
Burri kujton fëmijët dhe mbetet i mekur;
Fëmijët janë shkak për të jetuar
dhe për të vdekur!…
8.
Ah, sa kot që vuaj!
Grua, që ke zaptuar bashin e pjatës time,
më këshillo,
më thuaj:
Jetën, merre siç vjen dhe bëje si do!
Po ti hesht dhe kyç gabimet e tua;
sytë e tu dinakë më shpojnë si dy gjilpëra,
krimba që hyjnë në të verdhin ftua
dhe thua:
“Aq dita, aq bëra”!
Dhe lot e qesh me mua,
siç bën me zoçkën një fajkua…
9.
Përpara pjatës me fytyrë gruaje
bëhem pre e meditimit,
fëmijë që sapo nis të zbulojë jetën,
që ndjehet fajtor për fajet e njerëzimit
dhe vuan tek thotë të vërtetën!…
Pastaj bëhem plak i regjur, fort i mësuar
e krejt gjërat i marr me shaka;
Njeriu i paralajmëruar është gjysmë i shpëtuar!
Moj, ti, që më vështron me egërsì,
sikur më jep mandatën;
Buzëqesh pak, se gjithsesi,
tash mund ta thyej pjatën!
10.
Trupi do paqe,
Zemra do shkaqe,
Truri do shfaqe!…
Shtrues tavolinash!
Shtrojuni grave të hanë
në pjata me fytyrë burri!
Ta dinë se kanë përpara një fushë minash.
Ta shihni si do marrosen,
bujisur pandehmash, urie, epshi,
tek rreken të zgjidhin një rregull treshi…
Ah, me pirunat – shpata sa të lumtura ndihen,
duke synuar sytë e verbër të burrave,
si korbat që fluturojnë
e bien…
Tetor 2024, Shenorock, New York, SHBA.