MAKSUT GJOÇA, MJEKU POPULLOR, PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË
(Në respekt dhe mirënjohje të mjekut popullor lab Maksut Ruhan Gjoça (15.1.1911- 9.5.2003), të propozuar për dhënien e titullit të lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”, mjek i cili ka meritur nderimet më të larta nga qindra mijëra familje, që shëronte më shumë se 450-500 të dëmtuar në vit. Kontributi i mjekut popullor Maksut Gjoça ishte tërësisht vullnetar për më shumë se gjysëmshekulli dhe që ka qenë shërues i halleve të populli të më shumë se 25 mijë të sëmurë, edhe pse shëruesi i kockave, dhe gjithë frakturave të njerëzve, ortoped i klasit të lartë në gjithë Labërinë, edhe në qytete e fshatra të tjera të jugut të vendit si nga Gjirokastra, Tepelena, Memaliaj, Këlcyra, Përmeti, Leskoviku, Saranda, Delvina, Vlora, Himara, Fieri etj. Një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të Labërisë gjykon se mjeku popullor Maksut Gjoça meriton një bust në Zhulat).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Në kuadrin e 112 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar dhe të 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, Nderi i Kombit, Dega e Tiranës në mbështetje të statutit pika “Titujt e nderit”, që i referohet: “..vlerësimit, ..për figurat e ndryshme labe për kontribute të veçanta … në të mirë të trevës së Labërisë”, bëri një propozim të veçantë strukturave drejtuese të të Labërisë, për dhënien e titullit “Personalitet i Shquar i Labërisë”, për Maksut Ruhan Gjoça mjekun popullor duarartë të Labërisë. Ky titull akordohet për: “..figurat e ndryshme labe për vlera e virtyte morale e atdhetare të trashëguara, për kontribut sinjifikativ sipas fushave…”, të caktuara, bazuar në kontribute reale, ku natyrshëm u përbashkuan me mirëkuptim unanim.
Bir i Zhulatit historik me tradita atdhetare e patriotike
Maksut Ruhan Gjoça ishte lindur më 15 janar 1911 në Zhulat të krahinës së Kardhiqit, në një familje me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Ambienti familjar ku u lind dhe u rrit Maksut Gjoça ishte një vatër me prush atdhetar, i kultivuar në dekada. Paraardhësit e tij kishin marrë pjesë në luftrat e krahinës së Kardhiqit dhe më gjerë të Labërisë në luftë kundër pushtuesve. Maksuti mbartëte mbi supe një histori të gjatë dhe të lavdishme të mençurisë dhe të trimërisë nëpër breza, që kishin luftuar në mbrojtje të truallit arbëror. Misioni i oxhaqeve familjare në Zhulat, Fushëbardhë e gjithë Labërinë ishte që t’i çonin edhe më përpara traditat e të parëve, mision që vijon edhe sot e kësaj dite.
Gjyshi i Maksut Ruhan Gjoçës ishte Asllan Gjoça, i njohur në historinë lokale krahinore dhe më gjerë veçanërisht në trevën labe. Fakt është se Asllan Gjoça dhe Shahin Boçi nga Zhulati bënin pjesë në çetën e Bilbilenjve (që u varën më 1858 në Janinë, të trembëdhjetë bilbilenjtë). Por nga ana tjetër fakt ishte se Bilbilenj luftëtarë që kundërshtonin me rrebelim dhe me forcën e armëve kishte me dhjetra e qindra në Zhulat, Fushëbardhë dhe në të gjithë Labërinë. Kështu kur u dorëzuan bilbilenjtë flaka e luftës kundër pushtuesve vijonte të ishte e gjallë falë trimërive dhe zotësive të shumë bilbilenjve të tjerë që “mbinin dhe rriteshin” në të gjithë miedisin popullor, sikurse ishin edhe Asllan Gjoça dhe Shahin Boçi nga Zhulati. Nga fisi i shquar “Gjoça”, fisi i Maksutit ka qenë edhe Rakip Gjoça, Mersin Gjoça dhe shumë të tjerë. Nga kujtimet e Çoban Gjoçës dhe të Kapo Gjoçës, mësojmë se Gjoçajt nuk luftuan vetëm në Delvinë dhe në luftrat për mbrojtjen e vilajetit të Janinës, por edhe ku e lypte nevoja me kapedanë të tjerë kur shkuan për të mbrojtur kufijtë në drejtim të Malit të Zi bashkë me Zenel Gjolekën, Hodo Aliun Nivica, Gjikë Thanasi, Jani Ligori, Osmën Kuci, Halim Toto Progonati, Lato Sinan Danaj etj. Është fakt se, “Forcat e çetave trime të Labërisë u dhanë një mësim të mirë trupave malazeze në disa krahina shqiptare në Mal të Zi. Kudo vendi i luftimeve ishte i veshur në shkëmb, ku edhe gurët mund të përdoreshin i veshur të armëve. Malazeztë artilerinë e tyre e kishin vendosur në vende kyçe. Gjylet e armikut nuk të lejonin të bënin këmbë përpara, porn ë kushtet e vështira të terrenit luftëtarët e Zhulatit, Fushëbardhës dhe mbarë Labërisë së bashku me mbi dy mijë malësorë shkruan faqe lavdie në mbrojtje të truallit arbëror. Kënga e popullit trashëgon historinë: “..Mbahu, mbahu Halim (Toto) nuri,/Se vjen Hodo (Aliu) trim desturi,/Me dymijë djem prej guri,/Me dymijë malësorë,/Gjithë me kordhë në dorë,/Labëria ja bën forë,/Çeta trime labërie,/Martina se çu ka hije…”. Historia flet qartë se Rakip Gjoça i sprovuar luftrave në kohën që Oso Kuka luftonte më 1861 në për idealet shqiptare nga shumë treva shqiptare shkuan edhe nga treva labe dhe një prej tyre e shquar ishte çeta që drejtohej nga Rakip Gjoça. Çeta e bijëve të Labërisë shkroi faqe heroizmi në më shumë se tre javë përballje në fushëbetejë duke shpartalluar forcat malazeze që kishin mbështetjen e rusëve. Në ditët e fundit të luftimeve Rakip Gjoça dhe Shefi Lonari plagoset rëndë në fushëbetejë. Miq e bashkëluftëtarë i transportojnë me anije nga këmbët e kalasë së Rozafës në Shkodër përmes Bunës dhe detit deri në Himarë (një varjan popullor thotë në Sarandë), ku ndërroi jetë. Trimi nuk qahen në Labëri por u këndohen këngë. Dhe në fakt kënga shërben si dokument autentik si të ishte dokument (RHK-dokument me rëndësi historike kombëtare): “Qaj more Zhulati në gropë,/Për disa trima të fortë,/Për Rakip Gjoçën me kokë,/Me këllëç që vin gjashtë okë,/Shefi Lonari me shokë,/Që vanë por s’u kthyen dotë,/Rakip Gjoça pallëlari,/Bashkë me Shefi Lonarin,/Çe mori plumbi në ballë,/Me mandile ja mbajnë gjaknë,/Lebër çe çkulët bajranë,/çe ngulët në istikamë,/Ku mbrojtët kufijtë tanë/..”. Nuk rresht gurra popullore për trimërinë e bijëve të Zhulatit, kur thotë: “Asllan Gjoça kapedani,/shumë vjet të humbi name,/s’dole më në shesh mejdani,/pusinë ta bëri Agai,/Armët ti gjeti Selami, /Hakën ta mori Ruhani,/Pa ngrihu o Asllan sorkadhi,/Dil se erdhi behari,/Bar e gjethe çu mbush mali,/Të dalësh si keshe zananë,/me Shahin e me Xhemalë,/me bilbilenjtë me pallë”. Ndërkohë edhe brezi i ri rritej me këngët e trimërisë së zhulatit sikurse kënga thotë: “Të xhumanë,/që me natë,/vjen një ulurimë e thatë,/Thanë u vranë zhulatë,/Dyzetë e gjashtë mandatë,/Kush Lufton përpush në Gjashtë, Idriz palla vetëtima,/Mbi udhë poqën lazaratë,/Briti Idriz Alidhima,/Përpjetë o burra o trima,/atje ku Lufton martina”. Zhulati që drejtohej nga kapedanë e trima ngeli në kujtesën e gjithë brezave dhe veçanërisht në brezin e Maksut Gjoçës.
Gjurmë historike e gjenealogjike të oxhakut të shquar të Gjoçajve
Asllan Gjoça, kapedan i Zhulatit, i njohur që para dy shekujsh kishte lindur Selam Gjoçën, Ruhanin (babain e Maksutit) dhe Iblo Gjoçën. Tradita familjare vijonte. Edhe matresat e krushqitë Gjoçajt i bënin me sua të fismë. Kështu e bija e Asllanit, Iblua ka qenë e martuar në Fushëbardhë dhe kishte fëmijë Asqeri Veliun, Shuko Veliun, Beshir Veliun i cili kishte vajzë edhe Afenë që ishe martuar me Fejzo Kasëm Golemi). Ruhan Gjoça ka qenë martuar me Rusi Gavoi dhe që kanë lindur dy djem Asllanin dhe Maksutin si dhe katër vajza: Shefiko, Hido, Xhefile, Manxhare. Asllan Ruhan Gjoça ishte lindur në vitin 1891 dhe në moshën 25 vjeçare është vrarë nga andartët grekë në vitin 1916 (dhe që në bazë të ligjit meriton titullin “dëshmor”), ndërsa Maksuti pati një jetë të gjatë dhe të vështirë duke jetuar në disa rregjime: në Republikën e parë (1925-1928), në Monarki, Luftën Çlirimtare shqiptare, në rregjimin socialist dhe në demokracinë e pas viteve ’90-të. Vajzat e Ruhanit dhe motrat e Asllanit dhe Maksutit kishin një rreth krushqie e miqësor të gjerë si Shefiko Gjoça u martua me Diftir Hoxha nga Vergoi; Hido Gjoça u martua me Muharrem Çako nga Kopaçeza; Xhefile Gjoça u martua me Zoto Bedo dhe pati dy djem Reizim dhe Mahmut Bedo që ka rënë dëshmor në luftën për çlirimin e Tiranës në nëntor të vitit 1944; Manxhare Gjoça u martua me Novruz Birçaj në vitin 1914 kur e vendosën në Vlorë (pas ikën nga vatrat e tyre nga pushtuesit andartë dhe ushtarë grekë). Lidhjet e krushqive, miqësore dhe faresisnore ishin në rrethe të përzgjedhura që kishin qenë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së truallit shqiptar, që sikurse i thonë në Labëri, “lidhjet ishin bërë në sua të fisëm”. Maksut Ruhan Gjoça eci në rrugën e të parëve, të babait të tij Ruhanit dhe të gjyshit Asllanit. Ishte një zanat i mjekut popullor që ishte trashëguar brezave. Maksuti bëri pak shkollë në filloren e asaj kohe në vëndlindje në Zhulat, më tej punoi në punë bujqësore dhe blektorale për ta ndihmuar familjen për të rregulluar sadopak mirëqënien ekonomike. Ai u martua me Fatime Delo Çela dhe pati këta fëmijë: Çoban Maksut Gjoça i vitlindjes 1943 i cili ka qenë arsimtar, Kapo Maksut Gjoça i vitlindjes 1949 i cili ka qenë teknik duhani në kooperativë dhe aktualisht është kryeplak i fshatit Zhulat (2024); Ruhan Maksut Gjoça i vitlindjes 1960, i cili punonte traktorist por trashëgoi edhe zanatin e mjekut popullor si babai (Maksuti), si gjyshi (Ruhani), si stërgjyshi (Asllani), Sara Maksut Gjoça (1945-2019) që ka qenë martuar me Taip Aliko dhe Filxhane Maksut Gjoça e vitlindjes 1956 dhe që është martuar me Fetan Tata në qytetin e Libohovës.
Luftëtar i rreshtave partizanë, mitralier në BrVIII Sulmuese
Jeta e Maksut Gjoça është jeta e një atdhetari të spikatur pasi në vitet e luftës antifashiste nacionalçlirimtare u lidh fort me idealet çlirimtare dhe u bë pjesë e formacioneve antifashiste duke marrë pjesë edhe në BrVIII Sulmuese, brigadë e cila u krijua në 25 prill 1944, në Sheper të Zagorisë ku nis udhëtimin luftarak kjo njësi partizane e përzgjedhur me 915 luftëtarë, 66 ishin gra e vajza antifashiste (46 ishin të moshës fare të re, prandaj edhe thirreshin “Partizanë-pionierë”). Ata vinin nga repartet egzistuese, përkatësisht nga batalionet “Çamëria”, “Perlat Rexhepi”, “Koto Hoxhi”, “Misto Mame”, “Thanas Ziko”, “Dëshnica”; Grupi i Parë i Kurveleshit, Grupi i Tretë, dhe nga zona e Mallakastrës. Brigada VIII Sulmuese, ose edhe e etiketuar “Brigada e Parë e re”, ku bënte pjesë edhe burri luftëtar nga Zhulati Maksut Gjoça, në gjithë rrugëkalimin e saj u ndodh në 383 ditë e netë luftime në 113 lloje luftimi të shkallës taktike dhe taktiko-operative, disa prej tyre janë kryer jashtë kufijve teritorialë në Mal të Zi, Bosnjën Jugore në përbërje të Divizionit të VI Sulmues, që faktikisht shkroi histori suksesi. Maksut Gjoça sikurse gjithë shokët e tij bashkëluftëtarë përballoi me sakrifica por me sukses 3700 km. rrugëtim në marshim-luftimi; mori pjesë në çlirimin e disa qyteteve kryesorë, si: Gjirokastër, Berat, Lushnjë, Tiranë, si dhe çlirimin e fshatrave dhe krahinave të ndryshme. Maksutit në rrugëtimin-luftarak i është dashur që në acarin e dimrit të kalojë 14 herë lumenjtë kryesorë të vendit por edhe në Mal të Zi e Bosnjë përgjatë veprimeve luftarake në vend dhe deri në Vishegrad dhe më tej pas realizimit të detyrës dhe misionit fisnik përtej kufijve administrativ të Shqipërisë u kthyen në Strugë më 1945 dhe më tej erdhën në trojet e tyre shqiptare fitimtarë. Maksuti ka qenë mitralier i njohur i kësaj brigade. Maksuti ka qenë në moshë të pjekur 34 vjeçare në luftë dhe ishte një luftëtar i njohur i brigadës. Edhe pse pati merita të mëdha në luftë, nuk ishte njeri euforik dhe kërkues për të “vjelë” përfitime për vete dhe familjarët e tij. Ai nuk kërkoi kurrë nga ajo që kishte bërë në shërbim të Atdheut, si luftëtar i radhëve të para dhe si çlirimitar në Luftën Antifashiste, por ju përvesh punës edhe në frontin më të vështirë, edhe kur kompleksiteti i kohës e vuri para sprovave të mëdha të jetës, edhe për çështje që nuk i kishte bërë kurrë.
Fajësi që nuk u vërtetua kurrë. E drejta zhytet por nuk mbytet
Pas çlirimit nuk e përkëdheli kurrë fati edhe pse luftoi trimërisht në vijën e parë edhe u dënua me krejt të padrejtë dhe që vuajti një dënim krejtësisht të pavërtuetuar për një periudhë gjashtë vjeçare (1949-1955), edhe pse nuk e pranoi kurrë fajësinë dhe në fakt fajësia nuk ju vërtetua asnjëherë. (sipas vendimit nr. 28, Kolegji Ushtarak që e dënoi për “bashkëpunim me të arratisurit (që në fakt ishte një absurditet”, me 10 vjet burg. AISKK, Fondi 1, Viti 2014, Dosja 7, Fletët 124-125). Është një fakt shumë i njohur se nga viti 1956, kur Maksut Gjoça ishte 45 vjeç e deri sa ishin kooperativat punoi pa ja përtuar punës në shumë pozicione pune dhe nga më të vështirat e mundshme. Nga ana tjetër nuk ju nda kurrë malit dhe kodrinave ishte i kudogjendur dhe nga mbledhësit më të apasionuar të bimëve mjekësore kuruese, edhe si shëronjës dhe për rregullimin sado pak të ekonomisë familjare. Të ardhurat i kërkonte vetëm në rrugë të ndershme dhe kishte bërë kompromis me vetën që do ecte përpara vetëm me djersën e ballit dhe vetëm me ndershmëri, krendar dhe dinjitoz në jetë. Por një ndër vetitë e tij të rralla dhe që ka ngelur në kujtesën e popullit është padyshim ajo e mjekut të apasionuar popullor, detyrë që e ka bërë krejtësisht në mënyrë vullnetare pasi nuk merrte kurrë shpërblim por veç falënderime. Nga viti 1956 e deri sa ndërroi jetë në 9 Maj të vitit 2003, për gati një gjysëmshekulli ka qenë në shërbim të njerëzve, një mjek popullor nga më të njohurit në krejt jugun e vendit, pasi ishte njohës i detajuar për çdo lloj fracture dhe që ishte melhem për dhjetra qindra e mijëra raste jo vetëm në Labëri por edhe përtej saj pasi ishte shëronjësi i parë i frakturave.
Mjeku popullor e humanitar i shquar Maksut Gjoçës në kujtimet popullore
Edhe mjekët e spitaleve në jug të vendit i besonin më shumë mjekut popullor e humanitar të shquar Maksut Gjoçës aq sa i besonin edhe vetes. Nuk është e rastit që për Maksut Gjoçën në dhjetra qindra komente të rrjeteve sociale shkruajnë tërësisht konsideracione pozitive. Kështu Dervish Mikel Onjea edhe një prej nismëtarëve të parë që kërkoi të nderohej mjeku popullor Maksut Gjoça shkruan: “Sa herë kam biseduar me bij e bija të Zhulatit dhe Fushëbardhës por edhe më gjerë për Maksut Gjoçën, këtë njeri human të krahinës së Kardhiqit, të cilin e kam pasur shumë merak që nuk i kanë dhënë një titull nderi qoftë edhe pas vdekjes. Xha Maksuti ka qenë mjeku human popullor që shëronte eshtrat e thyera të nxjerra e të strangulisura. Aq human ishte sa unë e kam konsideruar gjithmonë si një Baba Teqeje. Shtëpia e tij priste e përcillte mysafirë e hallexhinj nga të gjitha anët e Labërisë. Ai të gjithë të largëtit i mbante për darkë e për të gdhirë aty, ndërsa fshatrat për rreth pasi ju rregullonte eshtrat e thyera i mbante për drekë pastaj i përcillte, shtëpia e tij nuk kishte perde e çarçaf pa u grisur për të lidhur gëzhdallat e njerëzve. Shteti në atë kohë e kërkoi ta kishte mjek për eshtrat në spitalin e Gjirokastrës dhe i ofroi edhe një shumë të mirë të hollash si rrogë, por xha Maksuti nuk pranoi që të punonte në spitalin e Gjirokastrës. Ai tha, unë do t’i shërbej komunitetit sa të kem mundësi do t’i shërbej këtu nga shtëpia ime këtu nga Zhulati im. Ja pra, ky ishte xha Maksuti aq mikpritës aq bujar e aq human dhe askush nga komuna, shoqatat apo bashkia nuk e ka vlerësuar kurrë. Por unë besoj se drejtuesit e Labërisë dinë të vlerësojnë, të bëjnë premtime dhe t’i mbajnë patjetër. Ata do të interesohen për ta bërë Personalitet të shquar të Labërisë ashtu sikurse Maksut Gjoça e ka merituar prej kohësh me punën e përkushtimin e tij ndaj njerëzve, ngado që të vinin ata. Porta e tij qëndroi gjithmonë e hapur për zgjidhjen e halleve popullore deri në frymën e fundit. Prandaj edhe mirënjohja për të është e pakufijshme. Unë po ju vë në dispozicion të SHAK “Labëria”, një foto të Maksut Gjoçës, që e disponoj këtu në arkivin tim në Teqenë Bektashiane të Turanit ku shërbej. Edhe një herë respekt dhe mirënjohje mjekut popullor Maksut Gjoça!”. Zaho Golemi: Një mjek popullor i talentuar që njihte profesionin e frakturave në detaje, që ka shërbyer gjatë dhe pa shpërblim si ish-mjek popullor mjaft i njohur në Zhulat, Fushëbardhë, krahinën e Kardhiqit, Rrëzomës, Kurveleshit e mbarë trevën labe, por dhe në disa rrethe jugore të vendit si në Gjirokastër Delvinë, Sarandë, Vlorë, Tepelenë, Përmet e deri në Fier, për shërbim vullnetar dinjitoz pa shpërblim në përmbushjen e misionit të mjekut popullor që ndërhynte edhe kur mjekët profesionistë të jugut të vendit dorëzoheshin, për vetitë e larta të humanistit në shkallën më të lartë, si dhe një prej burrave të nderuar e respektuar, mjaft njerëzor në zgjidhjen e halleve popullore, me kontribute të shumta, përfaqësues i cilësive më të larta të trevës së Labërisë. Është një ndër figurat më të njohura zemërbardhë dhe më të respektuara të Zhulatit historik. I Biri i Maksutit, çobani tregon se babai mjekonte rreth 450 deri 500 të sëmurë në vit përgjatë pothuaj gjysëmshekulli punë, ndërsa punën e parë që kishte bërë ishte ajo kur ishte 18 vjeç dhe në fakt kur kishte thyer këmbën Mufit Mustafai nga Kaparjeli. Meqë babai i tij Maksuti ishte i sëmurë, shërbimin e parë si mjek popullor e bëri i biri i tij Maksuti 18 vjeçar që ishte pikërisht viti 1929). Nderimi dhe respektimi i kësaj figure të madhe popullore të mjekësisë popullore është detyrim për brezat sot por edhe për të ardhmen”. Jaço Kuci: “Xha Maksutio ishte mjeshtër human. Shtëpia e tij ishte kthyer në një infiermjeri, qe priste dhe shëronte njerëz me probleme sidomos të kockave. Meriton bust në Zhulat për kontributin e tij të pa lodhur, natë e ditë”. Vasjar Ziaj: “Xha Maksutin e kishim “doktorrin” e krahinës njeri human me zemër të madhe e të bardhë, i pa përtuar e që vetëm Ai të bente derman dhe gjeje shërim. Ai e fitoi respektin me pune e përkushtim. Ndaj ka respektin e gjithë krahinës së Kardhiqit, Rrëzomës e më gjerë”. Mërkur Kazo: “Respekt maksimal për këtë personalitet, mjek popullor i talentuar, meriton gjithë komplimentat e një njeriu me shumë vlera i paharruar do jetë në mendjen dhe zemrën e të gjithëve neve”; Shamet Graçi: “…ishte një burrë i mbrekullushëm human dhe duarartë në detyrën që ushtronte respekt!”. Mustafa Bello: “Xha Maksuti ishte njeri i rrallë mjek popullor, shumë i mirë i cili e ushtroi profesionin e tij që nga Vlora, Fieri, Tepelena, Përmeti, Gjirokastër e Sarandë, prandaj do të ngelet i pa harruar kujtimi i tij”. Zeqo Cama nga Fushëbardha por që nga Kanadaja shkruan: “Ishte vërtet njeri i mrekullueshëm, i qeshur e i komunikueshëm me të gjithë, një ortoped popullor me kontribute të vyera”. Vjollca Veizi: “Maksut Gjoça ishte një burrë fisnik babaxhan popullor që u gjendjej njerëzve për hallet e tyre në çdo kohë nate apo ditë do ngelesh në breza i paharruar për të mirat e tua që ke bërë pa asnjë lloj interesi na ke shpëtuar jeten”. Shqiponja Zogo: “ishte me të vërtetë nje burr i rralle qe bente per te gjithe respekt ishte i pa zëvendsueshëm”. Beqare Durmishi: “Respekte pa fund për atë njeri zemërbardhë, i pa lodhur kurrë si ditën dhe natën. Ai nuk ishte vetëm për fshatarët, po për çdo njeri që i kërkonte ndihmë, prandaj dhe do të ngelet i paharuar xha Maksuti”. Elton Hoxha: “ishte vertet një njeri shumë i mrekullushëm dhe një duarartë në shërbimin e njerëzve për zanatin e tij që ushtronte”. Haxhiu Tina: “Respekte për xha Maksutin! Kurrë nuk u lodh e nuk u mërzit dera e tij nga pritjet me kohë e pa kohë të nevojtarëve që trokisnin edhe në orët e vona. Uau zogu, ciu ciu dhe krak dora apo këmba shkonte në vend me shumë mjeshtëri dhe profesionalizëm! Respekte pa fund për të dhe kujtime veç të mira!”. Abdyl Zani: “..Ishte mjeshtër për kockën, por mbi të gjitha ishte njeri i mirë; ai meriton të kujtohet dhe të mos harrohet kurrë, pasi ishte njeri human që nuk e njihte urrejtjen por veç dashurinë njerëzore duke ndrequr duar, këmbë e brinjë”. Lana Çabej: “Xha Maksuti ishte njeri i rrallë jo për fshatarët dhe gjithë rrethin e tij por për të gjithë Jugun, i kishte duart flori dhe dy fjalë të ngrohta dhe fap këmbën a dorën ta çonte në vend i paharruar do mbetesh në mendjen dhe zemrat tona i paharruar kujtimi i tij! Trifon Golemi: “Maksut Gjoça ishte një mjek popullor, usta i kockave dhe mjeshtër i mjekësisë popullore nga Zhulati që me bimët mjekësore shëronte plagët dhe sidomos thyerjen e kockave. Ai ishte profesionist me fantazi tepër të zhvilluar që aplikohen edhe sot në mjekësinë moderne. U shërbente bashkëfshatarëve por dhe nevojtarëve të shumtë nga Fieri, Vlora, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra e Saranda e më gjerë dhe po të kishe lidhur frakturën te Xha Maksuti, automatikisht spitali të jepte raport mjekësor pa të bërë as radiografi as nuk ta zgjidhnin plagën; besueshmëria e mjekëve ndaj tij ishte njëqind për qind. Një fakt shumë i njohuri është se: frakturat që lidhte Xha Maksuti, automatikisht spitali të mbështeste me raport mjekësor pa radiografi, por nga ana tjetër as që merrnin guximin që ta zgjidhnin plagën. Po të vije nga dikush tjetër, fraktura zgjidhej, bëhej radiografi, hidhej në allçi dhe pastaj jepej raporti; por me Xha Maksutin sjellja e krejt mjekeve ishte me një respekt maksimal, pasi ato që lidhte Xha Maksuti nuk zgjidheshin më po liheshin siç i kishte lidhur Ai, madje i rirregullontete ato që ishin zenë keq nga ndërhyrjet e mundshme në spitalet e shtetit. Ai njihej si mbledhës i spikatur i lules dhe kokrrës së murrizit, ilaçeve popullore, dhe duart i kishte të gjakosura; por punën e bërë nuk merrte dhe nuk pranonte kurrë shpërblim nga askush, ishte i njohur në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë, por dhe në Tepelënë, Përmet, Leskovik, Vlorë e deri në Fier e Patos. Kudo ku nuk ndërhynte dot mjekësia profesionale e shtetit dhe dorëzohej pas taj ndërhynte mjeku popullor Maksut Gjoça. Nexhip Onjea: “Maksut Ruhan Gjoça edhe kur ishte në shtrat dhe i sëmurë vijonte të shëronte pikërisht të sëmurët që nuk rreshtën kurrë të vinin në shtëpinë e tij në Zhulat, njësoj si të venin në një spital që bënin derman. Sa e sa njerëz kanë gjetur shërim në gjysëm shekulli punë në shërbimin vullnetar mjekësor si mjek human popullor që ishte, prandaj edhe do të kujtohet përherë për atë punë të madhe si shëronjës i mijëra vetëve nga popthuaj gjithë jugu i Shqipërisë. Hallexhinjtë ja gjenin shtëpinë dhe ai shpalosi profesionalizmin dhe njerëzillëkun e humanizmin më të madh jo vetëm për Zhulatin e Fushëbardhën, por për mbarë Labërinë dhe përtej saj, prandaj respekti dhe mirënjpohja mbarëpopullore është plotësisht e përligjur”.
Vlerësimi për mjekun popullor: “Më mirë vonë se sa kurrë”
Jeta e Maksut Ruhan Gjoçës kaloi përmes një kalvari të gjatë dhe të stërmundishëm edhe kur ndonjë cmiraxhi e sulmonte me krejtësisht të padrejtë. Por ai ngeli duarartë dhe zemërbardhë deri në frymën e fundit duke qenë stoik në qëndrimin e tij human e dashamirës edhe pse ishte më shumë se një doktor që shëronte dy herë edhe me fjalën e ngrohtë e dashurinë njerëzore por edhe me profesionalizmin e spikatur si mjek popullor i ndërhyrjes dhe bashkimit të kockave. Edhe kur thyheshin kockat, ai vendoste zemrën dhe shpirtin për t’ju gjetur pranë të sëmurëve dhe në fakt vetëdeklaronte se: “në vendin ku është thyer një herë nuk thyhet më kurrë për së dyti”. Ai ngeli i gjallë me imazhin e labit njerëzorderi kur u shua fizikisht më 9 maj 2003, edhe pse sikurse thotë një maksimë proverbiale labe, “njerëzit që kujtohen nuk harrohen kurrë”. Për këto arsye kryesia e Labërisë, në Tiranë por dhe kryesia e Përgjithshme të Shoqatës “Labëria” ka vendosur që Maksut Ruhan Gjoçës (pas vdekjes), t’i jepet titulli “Personalitet të shquar të Labërisë”, me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar dhe të veçantë, si ish-mjek popullor mjaft i njohur në Zhulat, Fushëbardhë, krahinën e Kardhiqit, Rrëzomës, Kurveleshit e mbarë trevën labe, por dhe në disa rrethe jugore të vendit, për shërbim vullnetar dinjitoz pa shpërblim në përmbushjen e misionit të mjekut popullor që ndërhynte edhe kur mjekët profesionistë të jugut të vendit dorëzoheshin, për vetitë e larta të humanistit në shkallën më të lartë, si dhe një prej burrave të nderuar e respektuar, mjaft njerëzor në zgjidhjen e halleve popullore, me kontribute të shumta, përfaqësues i cilësive më të larta të trevës së Labërisë”, një titull tashmë i mirëpritur në Zhulat, Fushëbardhë, në krahinën e Kardhiqit e Rrëzomës dhe më gjerë në të gjithë Labërinë.