Albspirit

Media/News/Publishing

Ndrek Gjini: Një studim i ADN-së zbulon origjinën e shqiptarëve

Origjina e popullit shqiptar ka qenë një enigmë për shekuj me radhë për gjuhëtarët dhe historianët. Shqiptarët shfaqen për herë të parë në dokumentet historike në shekullin e 11-të, ndërsa gjuha shqipe është një nga degët më enigmatike të familjes indo-evropiane.

Një studim i ri gjenetik i kryer nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka hedhur dritë të re mbi këtë çështje komplekse.

Studimi analizoi më shumë se 6000 (ADN) – gene të lashtë nga Ballkani dhe rajonet përreth, duke përdorur teknika të avancuara bioinformatike.

Rezultatet tregojnë se shqiptarët e sotëm rrjedhin kryesisht nga popullsitë e Ballkanit Perëndimor të periudhës romake, me një përzierje shtesë nga grupe të lidhura me sllavët.

Gjetjet kryesore të studimit janë:

Vazhdimësi gjenetike

Popullsia mesjetare e Shqipërisë tregon një vazhdimësi të madhe gjenetike me popullsitë e Epokës së Bronzit dhe të Hekurit për më shumë se 2500-3000 vjet. Kjo provon se rajoni i Shqipërisë së sotme shërbeu si një strehë e AND – genit ballkanik perëndimor gjatë periudhës së trazuar të shpërbërjes së Perandorisë Romake dhe shpërnguljes së popujve.

Ndikimi i kufizuar i ndryshimeve demografike

Ndryshe nga rajonet fqinje si Kroacia dhe Serbia, popullsia mesjetare e Shqipërisë u ndikua minimalisht nga ndryshimet demografike gjatë periudhës romake. Analizat tregojnë se shqiptarët mesjetarë ruajtën rreth 85% të prejardhjes së tyre nga popullsitë e Epokës së Bronzit dhe të Hekurit të Ballkanit Perëndimor.

Përzierja me grupe sllave

Studimi zbuloi një përzierje të kufizuar me grupe të lidhura me sllavët. AND dhe modelet gjenetike sugjerojnë se popullsia mesjetare shqiptare mund të ketë pasur rreth 15% prejardhje të lidhur me sllavët. Kjo përqindje është shumë më e ulët krahasuar me popullsitë fqinje ballkanike, ku prejardhja sllave arrin 50-65%.

Vazhdimësi e prejardhjes atërore

Në mënyrë të veçantë, prejardhja atërore e shqiptarëve tregon vazhdimësi nga popullsitë e Epokës së Bronzit të Ballkanit, përfshirë ato të njohura si ilirë. Kjo gjetje mbështet hipotezat që lidhin shqiptarët me popullsitë e lashta ilire.

Ndikimi i kufizuar i migrimit lindor

Ndërsa shumica e popullsive ballkanike tregojnë një zhvendosje të konsiderueshme gjenetike drejt Mesdheut Lindor gjatë periudhës romake, shqiptarët ruajtën një profil gjenetik më të ngjashëm me atë të Epokës së Hekurit.

Heterogjenitet në periudhën pas-mesjetare

Kampionët (mostrat) që u morën  nga Shqipëria qendrore dhe verilindore e periudhës pas-mesjetare tregojnë një heterogjenitet të lehtë, me disa individë që shfaqin më shumë përzierje me grupe të lidhura me sllavët.

Këto gjetje ofrojnë një kuptim të paprecedentë të proceseve historike dhe demografike që çuan në formimin e shqiptarëve të sotëm.

Ato ndihmojnë gjithashtu në lokalizimin e zonës ku u zhvillua gjuha shqipe.

Studimi sugjeron se gjuha shqipe ka të ngjarë të jetë zhvilluar në një zonë që përfshin Shqipërinë e sotme dhe pjesë të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë veriore.

Kjo zonë përputhet me shtrirjen e popullsive që tregojnë vazhdimësi gjenetike nga Epoka e Bronzit deri në Mesjetë.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se lidhja midis gjenetikës dhe gjuhës nuk është gjithmonë e drejtpërdrejtë.

Ndërsa gjetjet gjenetike ofrojnë një kontekst të rëndësishëm, ato nuk mund të përcaktojnë përfundimisht origjinën e saktë të gjuhës shqipe.

Hipotezat gjuhësore që lidhin shqipen me ilirishten ose me gjuhë të tjera ballkanike të lashta mbeten ende të debatueshme.

Studimi hedh dritë edhe mbi ndikimet e ndryshme kulturore dhe demografike që kanë formësuar popullin shqiptar përgjatë mijëvjeçarëve.

Ky studim tregon se shqiptarët janë rezultat i një historie komplekse që përfshin vazhdimësi të gjatë, por edhe ndërveprime me popullsi të ndryshme.

Gjetjet e këtij studimi kanë implikime të rëndësishme në historitë e shkruara me militantizëm e nacionalizën të shteteve të Ballkanit dhe origjinës së popujve të tij.

Ato provojnë shkencërisht rëndësinë e Shqipërisë si një zonë unike që ka ruajtur një vazhdimësi të jashtëzakonshme gjenetike përgjatë mijëra vitesh, pavarësisht ndryshimeve të mëdha demografike dhe kulturore në rajonet përreth.

Ky studim shkencor i ADN-së së lashtë ofron prova të forta për origjinën e shqiptarëve nga popullsitë e lashta të Ballkanit Perëndimor.

Studimi konfirmon vazhdimësinë gjenetike të kësaj popullsie për mijëra vjet dhe ndihmon në sqarimin e debateve të gjata rreth prejardhjes së tyre.

Ndërsa shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, këto gjetje shkencore na afrojnë më shumë se kurrë me zgjidhjen e enigmës së origjinës së popullit shqiptar.

Burimi:

Ancient DNA reveals the origins of the Albanians

Leonidas-Romanos Davranoglou*1

Aris Aristodemou*2

David Wesolowski*3

Alexandros Heraclides*4

1 – Oxford University Museum of Natural History, University of Oxford, UK; Leonidasromanos.davranoglou@oum.ox.ac.uk

2 – Independent researcher; aenaristo@gmail.com

3 – Independent researcher; eurogenesblog@gmail.com

4 – School of Sciences, European University Cyprus, Nicosia, Cyprus; a.heraclides@euc.ac.cy

Source:

https://www.biorxiv.org/content/10.1101/2023.06.05.543790v1.full.pdf

NDREK GJINI, MA, University of Galway, Ireland.

Please follow and like us: