Albspirit

Media/News/Publishing

Nikolla Lako dhe një takim me presidentin amerikan Willson

Luan Rama

Një ditë, duke kërkuar librat e albanologut Hyacinthe Hecquard, konsull i Francës në Shkodër në mesin e shekullit XIXmë ra në duar rastësisht dhe një abetare shqipe e botuar nga shtypshkronja “Polyglotte A. Reiff”, në Paris më 1909. Autori i kësaj abetareje të parë në Francë ishte mërgimtari Nikolla Lako, nga Korça, që abetaren prej 36 shkronjash e kishte pagëzuar me emrin “Stërvitjetore për nxënësit shqiptare”. Ky mërgimtar të kujtonte kështu nxënësit ë Petro Nini Luarasit apo mësuesit tjetër të gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovani, që të dy martirë të shkronjave dhe gjuhës shqipe. Me dëshirën për të mësuar diçka rreth jetës së tij, lexova dhe një sërë librash të tjerë të tij, të ngjashëm me të parin, ashtu të vegjël, në ngjyrë blu dhe gri, ku në kopertinë dukej vizatimi i një nëne që i tregonte fëmijës lindjen e diellit, e ku sipër shkruhej : “Arivi dita e diturisë”. E veçantë padyshim ndjenja që të pushtonte kur shihje përkujdesjen e këtij mërgimtari  për mëmëdhenë e tij, për ato shkronja të gjuhës që mbartnin mbi vete aq shumë përpjekje për të mundur një ditë që shqiptarët të flisnin gjuhën e tyre.

Më 1909 – 1910, Lako, ky mërgimtar nga Korça e botonjës, siç e shkruan ai në krye të botimeve të tij, kishte ardhur në Paris nga diaspora shqiptare e Rumanisë, nga Bukureshti e cila kishte pritur në pragun e Pavarësisë, në nëntor 1912 Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin para se të niseshin për misionin e tyre të madh drejt Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë. Ai kishte botuar disa shkronjëtore të gjuhës shqipe. Në fund të librave ai njoftonte gjithnjë për kartpostalet e botuara më parë nga ai, si “Skenderbeu në kalë”, “Ali Pasha”, “Sami beu”, “Shën Gjergji“, „Kisha e Korçës”, “Papa Kristo“,” Çupë shqiptarke”, ” Një shqiptare nga Athina”, “Trup e Bandës së Lirisë”, etj. Më 1909 Lako banonte ende në 19, “Rue Vineuse” të Parisit 16-të. Një ditë kisha kaluar andej për të parë shtëpinë ku kishte punuar e jetuar Lako, i cili kishte qënë më parë në Shoqërinë Shqiptare të Sofjes e pastaj të Bukureshtit. Rruga për tek ai, niste mu në cep të “Musée de l’Homme”, në Trocadero, duke lënë pas statujën e fizikantit dhe politikanit amerikan Benjamin Franklin. Një rrugë me ndërtesa hijerënda e të vjetra, godina klasike të ndërtuara në fund të shekullit të kaluar. Disa dhjetra metra me tutje ishin varrezat e Passy, ku ishte varrosur piktori Manet dhe kompozitori Debussy. Disa vite më vonë, Lako kishte shkuar në periferi të Parisit, në Boulogne-Billancourt, në rrugën “Rond-Point” nr.15. Këtu ai shkroi dhe përgatiti plot abetare, tekste, këndime për nxënësit e shqipes e kartpostale. Abetaret e Lakos shpërndaheshin në emigracionin e pakët shqiptar në Francë dhe shkonin pastaj për në Shqipëri, për shkollat e para shqipe. Veç teksteve, me shumë interes ishin kartpostalet e Nikolla Lakos, ku shpesh, për riprodhimet “tabllo”, siç i quante ai, përdorte gravura në tekstet franceze botuar për Shqipërinë, apo fotografi të fotografëve shqiptarë, si Marubi, etj. Në Boulogne, Lako filloi të nxjerrë dhe gazetën “Opinga” (“La pantoufle”), në 21, « Rue Beranger », gazetë siç e quan ai « e përkohëshme popullore, politike e letrare », si organ i popullit shqiptar që kërkon një Shqipëri të vetqeverisur. Programi i « Opingës », shkruante ai, është dhe do të jetë që në krye e gjer në fund « Opinga për opingën », domethënë mbrojtje me më të madhen paanësi e së drejtave dhe e së vërtetave interesa të popullit shqiptar… « Opinga » nuk duhet të bëhet kurrë vegël e verbër e armikut, « Opinga » numuron për armik cilindo që çart interesat e popullit shqiptar, qoftë i huaj, qoftë shqiptar ». Moto e gazetës, në krye të faqes së parë ishte : « Mjaft o vëllezër shqipëtarë, gjer tani punuat për të huaj/ Çojuni sot o fatbardhë dhe ndihni vetes suaj ». Në këtë gazetë, e cila shitej e shpërndahej në Shqipëri e Amerikë, ai botoi dhe shumë nga kartpostalet si dhe disa tablo të mikut të tij emigrant, piktorit Theohar Gjini. Në një cikël kartpostalesh ai na paraqet fshatra shqiptare si Boboshtica, Dardha, Plasa, etj. Një tjetër cikël është me veshjet kombëtare shqiptare të veriut dhe jugut. 

Lako ishte një intelektual me emër në rrethet e emigracionit shqiptar në Evropë dhe shpesh botoi në gazetën e tij artikuj politikë si « Shqipëria para Traktatit të Berlinit », « Shqipëria pas Traktatit të fshehtë të Londrës », « Ambicjet e politikës italiane », etj. Mjaft interes kishin hartat e tij apo shkrimet etnografike rreth kulturës shqiptare. Lako ishte bashkëkohës i Konicës dhe i Nolit. Në një fotografi të rrallë, Lako dhe Noli kanë dalë së bashku. Lako e vazhdoi për dhjetvjeçarë me rradhë punën e tij patriotike. Ai jetoi në Paris, në një kohë kur Shqipëria u shpall e pavarur dhe kur gjatë luftës së parë botërore ajo u kthye në një shesh lufte për ushtritë e fuqive të medha ndërluftuese. Në shtëpinë e tij ai kishte një koleksion librash të jashtezakonshëm. Në botimin e bibliografisë shqiptare të Emil Legrand, profesori H.Hughe, në “Langues’O”, e falenderon Lakon në hyrje të librit për ndihmën e veçantë në përgatitjen dhe përfundimin e kësaj bibliografije. Lako është ndër botuesit e parë shqiptarë në Francë, në një kohë që emigrantë të tjerë në vende të ndryshme të Evropës nxirrnin gazeta e revista në gjuhën shqipe e në frëngjisht. Në Paris, më 1919, veç gazetës “Opinga”-s, botohej dhe “Zgjimi i Shqipërisë” (“Reveil de l’Albanie”), “Bulletin Albanais”, apo “L’independance Albanais”. Por edhe në Shqipëri botoheshin gazeta e revista në gjuhet shqip e frëngjisht si “Hylli i dritës” (“L’Etoile de la Lumiere”), “L’Epoque Nouvelle”, (“Koha e Re”), “Le Peuple”, “La Ligue Nationale”, etj. « L’Albanie nouvelle » apo « Shqipëria e Re » siç shkruhej në revistë, do të botohej më 25 dhjetor 1931, si një revistë politike, sociale e kulturore, nën drejtimin e G.J. Merturi në Augy, në Oise, jo larg Parisit. Revista shtypej atë kohë në « Rue de Malsherbe » në Beauvais, një qytet i vjetër mesjetar, dhe financohej nga ndihmat e emigrantëve. Para gati një shekulli, “shkronjëtoret” shqipe të Lakos u ngjanin dallëndysheve, që nga brigje të largëta merrnin udhën të shtegtonin drejtë. Përmes revistës, Lako i bënte reklamë dhe shqiptarit tjetër të vendosur në Paris, J. Ashiku, i cili ndodhej në 27, Rue le Peletier. Ai shkruante se Ashiku „fournit tous les timbres d’Albanie“, (furnizon gjithë pullat shqiptare), çka tregon se ai merrej me tregëtinë e pullave që ishin botuar që nga shpallja e pavarësisë, kohës së Princit De Wied apo pulla e Korçës e në veçanti në disa numra rradhazi botohet pulla me portretin e Skënderbeut. Në vitin 1924, Lako krijoi shoqatën e shqiptarëve të Francës të quajtur „Vëllezërit“, me sekretar Kosta Kallogjerin. Bibliotekën e Alandro Kastriotit, sipas amanetit të tij, ai mundi ta sjellë në Korçë vetëm në vitin 1936. Por le ti referohemi për një çst kujtimeve të Nikoll Lakos për takimin e shqiptarëve më presidentin amerikan Uillson:

Takimi me Presidentin Uillson 

“N’ato ditë kisha kënduar në “Dielli” se Wilsoni, president i Shteteve të Bashkuara, do të vinte në Konferencën e Paqes, në Paris, në krye të një delegacioni dhe që shqiptarët kishin vajtur i kishin parë dhe u qenë lutur për të drejtat e Shqipërisë dhe ata u qenë përgjigjur se do t’i shëkonin me më të madhen drejtësi. Nga kjo dyke marë shkak përgatita me të gjitha hollësitë një memorandum mbi Shqipërinë, një hartë ethnografike të Shqipërisë, një hartë ethnografike të qarkut të Korçës me shkallë 1/300.000, fshat më fshat, një hartë të Çamërisë me shkallë 1/300.000, fshat më fshat dhe u paraqita në Wilsoni, i cili për fat të mirë më pranoi; kërkoi nga mua dhe informata të tjera dhe i dëgjonte me vërejtje të madhe; ay vetë nuk fliste frengjisht, po merreshim vesh me dragoman, kurse një vajzë stenografe shumë e shpejtë mbante me stenografi tërë konversasjonin t’onë. Pas një ore e 15 minuta, më dha dorën dhe më tha: “Një kopio të Memorandumit dhe nga një prej këtyre hartave ethnografike t’ja shpijesh delegacjonit amerikan”. E falenderova edhe shkova; erdha në shtëpi dhe pregatita një kopio nga të Memorandumit, nga një hartë ethnografike dhe të nesërmet që në mëngjes u nisa për në Delegacjonin Amerikan. Posa arrimë në Delegacjon dhe pas 5 minutash dolli kryedelegati, i cili na priti me buzëqeshje; i dorëzova kopjen e memorandumit dhe hartat ethnografike; ay hapi hartat i pa dhe më thotë: – Mos ju ka shtyrë ndonjë qëllim politik kur hartuat hartat? – Domosdo, se ne politikisht duam të drejtat t’ona; po ju a jap me të shkrojtur se asnjë dreqëzi nuk është përdorur në hartimin e tyre, po janë bërë vetëm nënë pikëpamje shkencore.

E falenderuam kryedelegatin dhe ikmë. Të nesërmen që në mëngjez mora nga kryedelegati amerikan një pneumatique (letër të shpejtë), ku më shkruante këto: “Për një çështje që ju përket, lutem të paraqituni në këtë delegacjon sa të jetë e mundur më shpejtë”. Pa humbur kohë shkova në delegacjonin amerikan; po këtë radhë jam vetëm. Pas nj’a 5 minutash dolli kryedelegati, po jo me buzëqeshje si ditën e parë, po i mërzitur dhe me turinj lëshuar dhe me një zë të egër, më thotë: – Në hartat ethnografike tuajat, shëkoj se disa fshatëra të banuara prej Grekësh, janë prezantuar sikur banohen prej Shqiptarësh. – Zoti kryedelegat, nuk ka as gjysmë fshati, që të jetë i banuar prej Grekësh dhe t’a prezantoj si të banuar prej Shqiptarësh, dhe do të çuditesha shumë që të dëgjoja të paktën, emërin e një fshati. – Ka plot, po ja ku po të them një: “Gardhiqi” është banuar prej Grekësh, se edhe emëri që është grek e dëfton. – “Gardhiqi”, zoti kryedelegat, as banorët, që janë të gjithë shqiptarë myslimanë, as emëri që është shqip, nuk e dëften; se “garth” (hae) dhe i çquar “gardhi” është (la hae); kur se: “gardhik” (petit hae) i çquar “gardhiku” a “gardhiqi” (la petite hae) është emër thjesht shqip.

Prapa kryedelegatit është një bibliotekë dhe unë që nga vëndi ku ndodhesha, këndova mbi kurizin e një libri: DOZON-MANUEL DE LA LANGUE CHKIPE; këtë librë e kisha në bibliotekën t’ime dhe e konsultoja dendur; Dozon-i, autori i librit ka qënë konsul i Francës në Janinë në kohën e Ali Pashë Tepelenës; ky Dozon-i kish shkrojtur një methodë që mundin ta mësojnë të huajtë gjuhën shqipe. Në funt libri i Dozon ka një radhua me urdhër alfabetik: Frëngjisht-Shqip dhe një tjetër: Shqip-Frëngjisht. I them, pra, kryedelegatit të mundohet të marrë nga biblioteka librin e Dozon-it dhe t’a hapë në fjala: “Gardhiqi” dhe do të bindet për këto që i them. Kryedelegati e mori librin e Dozon-it dhe, me nervozitet po e hap dhe këndon këto:“Gardhiqi”, fshat shqiptar në Epirë; rrieth nga fjala: “garth” (hae), “gardhi” (la hae), nënë këtë emër ka dhe lokalitete të tjera në Epirë. – Po ju them unë, zoti kryedelegat, në Shqipëri ka fshatëra me emëra grekë, ka dhe fshatëra me emëra sllave, rumune a turke, po banorët janë kurdoherë Shqiptarë. Kombet e ndryshme që i kanë pushtuar në kohë të ndryshme, dyke mos mundur dot t’u ndryshojnë gjuhën, kanë ndryshuar emërat e fshatërave. Në Shqipëri të jugut kemi një qytet të vogël që quhet : “Konispol”, emër thjesht greqisht, po banorët janë të gjithë Shqiptarë dhe Myslimanë, të cilët, natyrisht, nuk do të deshnë kurrë të bëhen Grekë. Po të ish e drejtë, pra, që Konispoli, për hatërin e emërit, lipset t’ua epnim Grekëve, që të jini më të drejtë ju Amerikanët, jepjani dhe juve Grekërve Philadhelphinë t’uaj se edhe ajo e ka emërin grek.

Kryedelegati i habitur, më thotë: – Demek Philadélphia qënka emër greqisht; po çdo me thënë? – “Miku i vëllazërisë”. Kryedelegatit amerikan, posa që këndoi çpjegimet e Dozon-it dhe dëgjoi çpjegimet që i dhashë unë, iu kthye fytyra e murrëtuar që kish marrë dhe me buzëqeshje tha: – Ju falenderoj një miliunë herë për këto informata të sakta dhe të vlerëshme që më dhatë, se nga padija, do të kisha bërë keq për Shqipërinë me gjithë që në Shqiptarët e Amerikës u premtuam se do të punonim drejtësi. Shumë i gëzuar m’a shtrëngoi dorën me të dyja duartë dyke më mbajtur për mezi, më përcolli gjer në krye të shkallës, ku më priste një kapitan amerikan…».

Please follow and like us: