Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një përurim i trefishtë për dëshmorët e Shqipërisë
Në këtë 80 vjetor të çlirimit të Atdheut, dhimbja e shqiptarit Mehmet Gëzhilli për të rënët e kombit në luftë me pushtuesit është kthyer në forcë për qëndresë e për të dokumentuar çdo gjë që la brezi i antifashistëve të cilët në rininë e tyre kishin aspirate dhe ideale. Ai vjen në këtë përurim të trefishtë me: ekspozitë me krijime artistike të heronjve dhe të dëshmorëve të LANÇ “Luftëtarë dhe artistë”, në promovimin e antologjisë poetike “Ju kish lindur nëna për një botë të re” dhe albumit “Luftëtarë dhe artistë”. Të tre këto gëzime në dukje të thjeshtë, porn ë përmbajtje është respekti për të rënët, që shprehet në shpirtin human dhe patriotizmin e tyre për një jetë të re…
Për një vit rresht Mehmet Gëzhilli në këtë moshë, ka trokitur disa herë në dyert e Bashkisë Tiranë, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit, si dhe në Shtëpinë Botuese “Argeta LMG” për realizimin e këtij projekti, që sot e përgëzojmë dhe e vlerësojmë për mundin dhe përkushtimin në kujtim të atyre që në themele të Shqipërisë së Re vunë jetën e tyre. Të falënderojmë me shpirt se na ke dhënë një mësim të mirë të gjithëve, si duhet të punojmë për të lartësuar veprën e artistëve që ngelën dëshmorë në përjetësi.
Gazetari veteran me përvojë, për vite e vite ka studiuar dhe dokumentuar jetën dhe veprën e dëshmorëve të Atdheut. Ai i nisur nga respekti dhe mirënjohja për të gjithë dëshmorët që me pushkë e me penë janë flijuar për kombin, i kanë vënë vetes mision të hulmuntojnë, studiojnë e të popullarizojnë veprën e tyre në shërbim të pavarësisë, të lirisë e të çlirimit të Atdheut.
Idenë se “mbi gjakun dhe eshtrat e dëshmorëve ngrihet dhe mbijeton Atdheu”, Mehmet Gëzhilli ja ka përkushtuar punës humane e atdhetare në interes të rujatjes dhe të nxjerrjes në dritë sa më shumë të çdo gjëje që i përket jetës, veprimtarisë dhe sakrificës sublime të dëshmorëve të rënë për Shqipëri.
Për të gjithë të rënët në epopenë e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare letërsia artistike e ka thënë fjalën e saj në romane, drama, tregime, skica, poezi, monografi, biografi të letrarizuara, etj., për të cilën forcat krijuese e studiuese kanë marrë mirënjohjen e popullit, sepse ato janë mesazhe pavdekësie që letërsia i lë kombit.
Misioni fisnik i Mehmet Gëzhillit ka qenë dhe është përkushtimi ndaj veprës së Dëshmorëve të Atdheut, për të ndriçuar gjurmët e jetës e veprës të bijve e bijave të popullit që në luftën e madhe Antifashiste kryen akte të pashembullta heroizmi. Ata lanë botën e tyre shpirtërore për ne…
Pavdekësia e dëshmorëve është e lidhur më pavdekësinë e veprës së tyre. Dëshmorët tanë duke mbjellë jetën e tyre, mbollën farën e madhe të lirisë dhe na lanë edhe të dokumentuar shpirtin e tyre të dlirë dhe fisnik për një jetë të re…
Nderimi ndaj veprës së dëshmorëve, në çdo formë mbetet një detyrim moral me përmasa shenjtërimi sepse ideali i tyre ka qenë ideali dhe ideologjia e kombit. Ëndërrat e tyre qenë përparimi e forcimi i Atdheut, bashkimi i kombit tonë të shumëvuajtur, por të papërkulur. Këto ishin motive shtytëse për forcimin e shoqërisë sepse dëshmorët e rënë në luftë kundër pushtuesëve janë nderi dhe lavdia e kombit.
Të lalënderojmë me zemër i nderuar Mehmet Gëzhilli për këtë punë të bërë me dashuri dhe shpirt fisniku, për të nderuar dhe lartësuar dëshmorët e Shqipërisë!