Zana Tako: Gjethet e vjeshtës
Gjethet vjeshtuke lodrojnë
dhe dëfrejnë shpirtin tim,
më marrin përdore,
më ftojnë në vallzim.
*
Bëhem një prej tyre,
lëkundem, zbavitem,
si gjethe ndihet shpirti im,
herë bie lehtë,
herë ngrihet në fluturim.
*
Ndjesi e mallit më merr në heshtje,
e sekretin e zemrës ia tregoj gjethes së rënë,
buzëqesh gjethja e lot me shpirtin tim,
më flet ëmbël, vallëzo me mua në fluturim.
*
Fëshfërima e saj tek ngrihet nga flladi i erës,
më përkëdhel mallin,
ëndrrën e pranverës.
*
Tapeti i gjetheve shtruar në lëndinë,
dhurata më e bukur,
që nuk shtrohet në çdo stinë.
*
Mbi të rendis dëshirat e mia,
e gjethet i shpupurisin me ledhatime,
mosni gjethet e mia,
se dëshirat janë edhe kujtime!
*
Mos m’i largoni e mos m’i trembni,
se janë të brishta shumë,
gjethet vjeshtuke,
fillojnë e shumohen pa zhurmë.
*
Më rrethojnë e më zbukurojnë,
ngjyra-ngjyra bukuri,
ngjyrat e tokës, ngjyrat e jetës,
shkruajnë brenda shpirtit,
fjalën dashuri!
Dhjetor 2024