Dea Toçi: EDHE MURET FLASIN
Nuk ma kishin thënë as e kisha ditur
sa peshë të rëndë mban vetmia,
në çdo gllënjkë ujë që rrëkëlleja
do dëgjoja vëngër përtypjet e mia.
As që flasin muret jo nuk e dija
ato s’kanë shpirt, mend e as zë,
nëpërmjet tyre godet vetmia
e unë shoh mendjen se si po më lë.
S’është asgjë tradhëtia, hiçgjë dhe baltosja
hedhur kanë mbi mua muaj edhe vite,
por kur nga vetmia heshtur u prangosa
një fytyrë më shkonte e tjetra më vinte.
Jetë më lër mes ujqërish, mes tyre atje
nga gjuhë shtriganësh do mësoja fjalë,
mes katër muresh vetëm mos më le
në dialog të tyre do çmendem ngadalë.
Please follow and like us: