Albspirit

Media/News/Publishing

Sefedin Pustina, Kryetar i Qeverisё sё pёrkoshme tё Dibrёs, shtator 1913

Sakip Cami

Sefedin Pustina lindi në Dibër në një familje me tradita atdhetare, pronar i një kulle dhe çifligu në fshatin Livadhi të Strugës. 

Ai mori pjesë aktive si udhëheqës popullor në Kryengritjen e Shtatorit 1913, e cila ishte kryengritja e parë antiserbe me përmasa të gjëra, që popullsia shqiptare e trevave lindore dhe verilindore (Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare) të aneksuar nga Serbia e Mali i Zi, ndërmori për t’u bashkuar me shtetin e pavarur shqiptar.
Kryengritja e Shtatorit 1913 apo e Dibrës u shkaktua nga pasojat politike dhe ekonomike të coptimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, si dhe nga politika e dhunës, shfarosjes dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare, që Serbia dhe Mali i Zi zbatuan në teritoret e aneksuara të Kosovës dhe në viset lindore dhe veri lindore të Shqipërisë.

Ajo u organizua dhe drejtua nga udhëheqësit kosovarë që ndodheshin në shtetin shqiptar, në Vlorë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Elez Isufi, etj.
Kryengritja filloi me sulmin në një front të gjërë nga Dibra e Ohri deri në Prizren e Gjakovë. Më 20 shtator u hodhën në kryengritje forcat e armatosura të popullsisë së Dibrës së Poshtme (Peshkopisë), midis të cilëve kishte dhe mjaft dibranë e kosovarë të shpërngulur të drejtuar nga Elez Isufi, që më 22 shtator 1913 çliruan Peshkopinë.
Më 23 shtator 3000 kryengritës, së bashku me popullsinë e qytetit çliruan Dibrën e Madhe.

Në udhëheqje të kryengritjes në krahinën e Dibrës përveç Elez Isufit u vunë atdhetarët Shaqir Jegeni, Sadullah Strazimiri, Riza Gjakova, Shyqyri Jegeni, Qamil Daci, Sefedin Pustina, etj.
Pas çlirimit të Dibrës forcat kryengritëse i vazhduan veprimet e tyre luftarake kryesisht në tri drejtime. Numri i kryengritësve në këto momente arrinte në rreth 12 mijë vetë që u ndanë: në drejtim të Mavrovës dhe më tej drejt Gostivarit; në drejtim të Kërçovës dhe në atë të Strugës dhe të bashkoheshin me forcat kryengritëse të cilat drejtonin nga Qafa e Thanës për të çliruar Strugën e Ohrin.
Kryengritësit, pasi çliruan qytetin e Dibrës së Madhe, më 23 shtator 1913 pa humbur kohë formuan Qeverinë e Përkohëshme Provizore prej gjashtë vetësh, kryesuar nga Sefedin Pustina, e cila në këto momente dramatike u mor me organizimin dhe koordinimin e veprimeve luftarake.

Kryengritja e Shtatorit 1913 ishte fitore politike, ushtarake dhe morale. Si e tillë u shoqërua me ndryshime të tjera cilësore. Kjo krijoi kushtet për shkatërrimin e administratës së ngritur nga serbët dhe ngritjen e administratës së re, me cilësi e obligime të reja.

Siç del edhe nga korespondenca e parë e saj me Prefekturën e Elbasanit dhe me kryetarin Aqif Pashë Biçaku, ajo njihet me emrin “Qeveria Provizore e Dibrës”. Ndërkaq Ismail Strazimiri, pak vite më vonë të njëjtën “qeveri” e quan “komision administrativ”, emërtim ky më i pranueshëm.
Qeveria e Përkohëshme e Dibrës ndonëse jetoi pak, afro 10 ditë, në kushte tepër të vështira, kreu një aktivitet të admirueshëm.

Një sërë letrash, korespondencash e telegramesh dëshmojnë angazhimin e saj në drejtim të kurorëzimit me sukses të kryengritjes, për ngritjen e përsosjen e pushtetit të lidhur me Vlorën, për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, për problemet social-ekonomike dhe ç’ka është më e rëndësishmja, për të kundërshtuar vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha lidhur me kufijtë.

Një sërë dokumente hedhin dritë në faktin se “Qeveria e Dibrës” ose e Sefedin Pustinës, u lidh me Qeverinë e Përkohëshme të Vlorës në mënyrë indirekte, nëpërmjet Prefekturës së Elbasanit dhe të Aqif Pash Biçakut, Prefekt i saj. Nëpërmjet saj ajo i bënte prezent sukseset e kryengritësve shqiptarë dhe shqetësimet e mëdha, të cilat, në më të shumtën e rasteve, shpreheshin në nevojën për armë dhe minicion. Krahas kësaj me ngritjen e administratës së re, ajo insistonte në nevojën që ka për njerëz të zotë, që të dijnë të punojnë, pasi siç theksohej në një telegram, punët më me vështirësi e me rrezik paraqiteshin tani e tutje.
Ndonëse me mundësi tepër të kufizuara, kryesisht për nevoja urgjente pune, u morën masa për rregulimin e rrjetit ndërlidhës me Strugën. Përpjekje u bënë për organizimin e xhandarmërisë dhe të shërbimit shëndetësor, duke kërkuar 2-3 mjekë, etj.

Duhet pranuar se Qeveria Provizore e Dibrës jetoi afër dhjetë ditë dhe punoi në kushte tejet të vështira. Madje ishin këto arsyet që nuk u mundësuan lidhjet me zonat e tjera të Dibrës dhe me fshatrat që gravitonin në qytet. Vetëm nga një korespondencë e Sefedin Pustinës, kryetar i Qeverisë Provizore (të Përkohëshme) të Dibrës me prefektin e Elbasanit, Aqif Pashën, mësojmë se në Dibër të Poshtme vepronte një komision i thjeshtë administrativ, por edhe ky siç u theksua më sipër u ngrit si rezultat i përpjekjeve të prefekturës së Elbasanit. Telegrami në fjalë shkruan për nisjen e Elez Isufit me dibranët në Gostivar, në ndjekje të forcave serbe.
Kryengritësit, numri i të cilëve shumë shpejt arriti në 12 mijë veta, vunë nën trysni dhe para dorëzimit garnizonet serbe në Tetovë, Kërçovë e Resnje, si dhe u shtrinë në trevat lindore shqiptare deri në afërsi të Shkupit.

Kryengritja e Shtatorit 1913 përfshin gjthashtu rrethin e Lumës, ku kryngritësit të drejtuar nga Ramadan Zaskoci e Qazim Lika, çliruan këtë krahinë dhe në harkun kohor 30 shtator deri 4 tetor u hodhën në sulm drejt Gjakovës e në zonën e Prizrenit, ku veprimet luftarake udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Hysni Curri, Isa Boletini, Bajram Daklani e të tjerë. Gjatë këtyre luftimeve pati disa qindra të vrarë nga të dyja palët. Kryengritja, aty nga fundi i muajit shtator u shtri dhe në vise të tjera të Kosovës, të krahinës së Drenicës, në rrethin e Mitrovicës, madje edhe në trevën Veriore, në krahinën e Hotit, Grudës, Tuzit dhe Gucisë.

Pra në këto kushte  nëudhëheqje të Kryengritjes së Shtatorit 1913 u vu një komision i posaçëm që mban emrin Qeveria e Përkohëshme e Dibrës e drejtuar nga atdhetari Sefedin Pustina. Gjithë dokumentacioni i kësaj qeverie përshkohet nga kërkesa e bashkimit të këtyre viseve me Shqipërinë. Në thirrjen drejtuar Fuqive të Mëdha më 15 tetor 1913, Qeveria e Dibrës kërkoi nga Europa që “t’u jepte Shqiptarëve të drejtat të rronin të lirë në Atdheun e tyre të njëshëm”.
(Prof. dr. Nebi Dervishi, historian, Universiteti i Tetovës).

Sefedin Pustina ishte një  ndër personalitet më me autoritet në Dibër. Gjatë veprimtarisë së tij atdhetare propagandoi e luftoi fuqishëm për shkëputjen nga Turqia dhe arritjen e pavarësisë kombëtare.

Në shkurt të vitit 1899 bëri shumë punë në organizimin, drejtimin dhe ecurinë e kuvendit të Dibrës.Edhe nё Kongresin e Dibrёs,korrik 1909, kontributi i  tij qe i dukshëm. Mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme kundër Perandorisë Osmane në  qershor 1912.

Qeveria e Vlorës e dekretoi kryetar të Qeverisë së Përkohshme të Dibrës. Sefedin Pustina ёshtё kryevendori i parё shqiptar, nё Dibёr pas 500 vjet robёri turke.

Pas masakrave serbe, në tetor të 1913, Sefedin Pustina kthehet në Tiranë, ku më 1914 Esat Pasha e arrestoi së bashku me Haxhi Vehbi Dibrën, Ramadan Pustinën, Hamit Dacin, Ymer Rusin, Faik Ballancën, Izet Pitarkën, Liman Camin etj.[1]Në Elbasan Esat Pashë Toptani burgosi Hafis Sherif Langun dhe Hoxhë Hasan Moglicën.

Me miratimin e Këshillit komunal të qytetit të Dibrës së Madhe, busti i Sefedin Pustinës është vendosur në qendër të qytetit.


[1]Haki Stërmilli Dibra në prak të historisë, Faqe 188, Botim M&B, viti 2023.

Please follow and like us: