Albspirit

Media/News/Publishing

1921/BETEJA E LAN LURËS DHE TËRHEQJA E SERBËVE NGA TERRITORET  SHQIPTARE

Sakip Cami

103 vjet më parë

 Situata politiko – ushtarake e vitit 1921

Pas mbarimit me sukses të luftës së Dibrës të gushtit 1920, me 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve sipas kufijve të vitit 1913.

Jugosllavia duke shfrytëzuar një klauzolë të vendimit të Lidhjes së Kombeve  për  ratifikimin  e kufijve  nga kjo datë e në vazhdim, nuk i largoi fuqitë e veta ushtarake nga Shqipëria. Ajo kishte për qëllim që të depërtonte në kufirin e Tre Qafave, “Qafën e Buallit”, “Qafën e Murrës” dhe “Qafën e Merkurthit”, si hap të parë që më pas të  depërtonte drejt  Durrësit, ëndrrës së vjetër për dalje në Detin Adriatik.

Nisur nga këto veprime të qeverisë jugosllave, qeveria shqiptare ju drejtua Lidhjes së Kombeve me një kërkesë për një komision ndërkombëtar, pasi Jugosllavia po vazhdonte agresionin e saj drejt vendit tonë. Jugosllavia për të mos rënë në sy të Lidhjes së Kombeve e paraqiti atë si çështje të bejlerëve shqiptarë që luftojnë për pushtet duke ju referuar kështu bajraktarit të Mirditës Markagjoni që më 17 korrik 1921 kishte shpallur në Prizren Republikën Autonome të Mirditës. Qeveria e Tiranës nuk mund ta lejonte këtë akt irredentist dhe nisi drejt Mirditës trupat e saj qeveritare.

Ismail Strazimiri[1], bashkëkohës dhe bashkëluftëtar në këtë luftë në kujtimet e tij shkruan:” Me nji urdhër të kryeministrit Iljas Bej Vrioni, të ministrit të brendshem Sulejman Delvina dhe të ministrit të luftës Selaudin Shkoza,  Elez Isufi u nis për me u marrë vesh me Marka Gjonin.Elezi shkoi në Lurë dhe dërgoi  Ibrahim Gjocin ke Marka Gjoni për ta caktue vendin e kohën e takimit. Kur u kthye Ibrahim Gjoci e njoftoi  Elez Isufin se Marka Gjoni kishte dredhue dhe nuk dëshironte me hy në marrveshje me qeverinë. Serbia u përpoq që të dërgonte në Mirditë për të ndihmuar bajraktarin Markagjoni trupa shqiptare që komandoheshin nga Taf Kaziu, Halit Lleshi , trupa të cilat nuk arritën në Mirditë dhe nuk e ndihmuan dot bajraktarin e Mirditës. Për këtë Serbia dërgoi për në Mirditë trupat e saj për të ndihmuar .

Profesor  Kristo Frashëri [2] te Historia e Dibrës, faqe 363 shkruan se Jugosllavia e nxiti politikisht dhe e ndihmoi financiarisht kapedanin konservator të Mirditës  Marka Gjonin që të organizonte një kryengritje të armatosur kundër shtetit shqiptar, rebelim që filloi në fund të qershorit të vitit 1921. Meqenëse kapidani nuk pati mbështetje në masë as edhe nga mirditorët e tij u detyrua të arratisej në Jugosllavi. Kthehet përsëri për të marrë fronin, por hasi në rezistencën e malsorëve dhe luftëtarëve të Reçit, Dardhës, Çidhnës dhe Lurës që drejtoheshin nga Elez  Isufi.

Në qershor të vitit 1921, për të përballuar në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektive problemet e shkaktuara në Mirditë u formuan edhe 3 batalione të lëvizëshme që vareshin direkt nga Ministria e Luftës dhe komandanti i operacionit Ali Rizai. (AQSH Fondi i kryeministrisë D II-15/1, viti 1920, f.81.)[3]

Me ardhjen në fuqi të qeverisë së “Grupit të shenjtë” qeverisë që kryesohej nga Iljas Bej Vrioni u vendos që të mos lëshohet asnjë pëllëmbë territor dhe të kundërpërgjigjej me luftë të armatosur. Natën e 31 korrikut  forca  mercenare  e udhëhequr nga Halit Lleshi e Taf Kaziu përpiqen të kalojnë në Kodër Leshe e Zall Dardhë për t’i ardhur në ndihmë “Qeverisë së Mirditës”. Misim Ahmeti, Ismail Strazimiri, Kalosh e Lazem Zajazi, Dik Xhelili dhe 30 luftëtarë të armatosur kalojnë në mbrojtje të malit të Karmës. …Ndërkohë vijnë në ndihmë të Misim Ahmetit derjanë e recjanë: Ramadan e Islam Cerpja, Selim Hysa, Rrahman dhe  Elez  Rasha, Imer Topuzi, Xhetan Hakik Cerpja, Hysni Hakiku, Selim e Osman Manie Rushit Dalipi nga Zall Dardha. Nga Reci vrapuan Sheh Halimi, Zenel Troci, Dali Meci, Dasan Leka, Ahmet e Selman leka, Bajram Lusha me vëllezër, Adem Toshi, Mazllëm Troci, Halil Meci, Mahmut Laci etj.[4] Forcat e Elez Isufit kaluan në mbrojtje në Qafën e Gëlqeres.

Beteja e Qafë Gëlqeres në  Lan Lurë

Pala serbe  njoftoi  komandën shqiptare në Arras se në rast se nuk lirohej Arrasi e gjithë katundet për rreth tij brënda 24 oreve, do t’i bombardonte dhe do t’i sulmonte për t’i pushtuar. Kur panë autoritetet  serbe  se shqiptarët nuk e morën në konsideratë  notën  e tyre verbale  dhe nuk i liruan teritoret, me 18 shtator 1921 filluan me bombarduar  me topa e me msye me ushtri të rregullt. Gjëmimi i topave serbe  dëgjohesh deri në thellësitë  e Lurës. Me nji here u çue Elez  Isufi dhe me nji fuqi që mbodh aty për aty u nis me shkue në ndihmë të Arrasit. Pa humbur  kohë e thirri të nipin Suf Xhelilin e kapiten Rizain që të vinin në ndihmë  me forcat  që dispononin. Ndër kohë, lëshoi kushtrimin edhe në Dardhë  e në Reç.
Kur arrit i populli i Dardhës dhe i Reçit, simbas kushtrimit të marrë  dhe batalioni i kapiten Ali Rizait e fuqija e Suf Xhelilit, u nis lufta e egër në mes të shqiptarëve e të serbëve që kishin sjell njiqind topa të vegjel e të mëdhej të cilët i përdoren në këtë levizje. Raportet zyrtare të dhëna  prej komandantëve të kufirit  vërtetojnë se vetëm në ballin e Lurës janë përdor tridhjetë topa. Për ballë frontit të Dibrës serbët kishin përdorur  regjimentet 12,17,18,19,25,27, dhe 28, përveç forcave serbe të ardhun nga Prizreni për tu përdor  kundra ballit të Lurës . Ismail Strazimiri, dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në këtë betejë  në librin e tij me kujtime e përshkruan me detaje atë: Përballë kësaj mizorije serbe të armatosun gjer në dhembë qëndroi fuqia e dibranëve  me rreth  njëqind e sa  vetë nga Arrasi, Sina e Epër, Sina e Poshme, Grykë  Noka, Çidhna, Mustafe   si dhe me  nja njëqind e sa vetë nga Dardha, Reçi  e Lura. E tërë fuqija e dibranëve  përbëhej nga 200 – 300 forca dhe nga nji top dhe disa mitroloze që ua morën me luftë serbve.Me gjithë forcat e qeverisë të komanduara nga Ali Rizai bëheshin 400 burra të armatosur.
Luftëtarët herë herë shkëputeshin për të parë fëmijët e tyre që i kishin  strehuar  ndër shpella, pyje e bjeshkët e nalta dhe që po vuanin nga uria dhe të ftohtit.

Përmbi katundin Sine e Epër e Sinë  e Poshtme të Dibres ngrihen male të larta,  ku kishte organizuar pritë Murat Kaloshi me nji fuqi dibranësh, çidhnakësh e të tjerë duke bërë një qëndresë heroike. “Nga ana e Lurës, pa rreshtun, serbët mësynin vazhdimisht, por hasën në rezistencë e luftëtarëve dibranë që luftonin në pozicionet e tyre dhe në vendin e tyre që e njihnin pëllëmbë për pëllëmbë. Suf Xhelili me vetëm njëzet e shtatë trima e zbrapsi sulmin e nji fuqie serbe që përbëhej  prej katërqind ushtarësh duke e kaluar matanë Drinit dhe duke i marrë edhe armatimin, një top dhe disa mitroloza. Zotësia e trimërija e komandant Ali Rizait ishte e jashtëzakonshme. Malësorët dibranë e admironin atë për drejtësinë dhe guximin. Me 26 tetor 1921 serbet arritën të kapin dy pika strategjike, Shkallën e Deshve dhe Sharrën e Zogollit dhe e prenë rrugën prej nga  i shkonte ushqimi e municioni forcave tona  në Lurë. Në këtë mënyrë  pozita e Lurës gati mbet e rrethueme dhe e rrezikshme, mbasi nuk i shkonte më as ushqim as edhe municion.

Një ndeshje e ashpër u zhvillua te vendi i quajtur “Guri i shqipes” ku luftonte e komandonte trimërisht  Abdulla Cara.
Në këtë përleshje ra heroikisht Abdulla Cara, Ibrahim Cara dhe u plagos Ramadan M. Prenci. Në Lukan  e Qafë Murrë bënë rezistencë forcat e komanduara nga Llan Destani (Ndregjoni). Mbeti i vrarë Rustem Dervishi dhe u plagosën Llan Destani, Ramadan Biba, Zenel Nika, Llan Doda dhe Rrahman Dobra nga Mati.

…Beteja e Lan-Lurës, 28 tetor 1921, qe një nder beteja nga më te fuqishme, më e egër e vendimtare, që përfundoi me ngadhënjimin e armëve shqiptare. Në të vërtetë për të ardhur deri tek 28 tetori forcat serbe e bashkëpunëtorët e tyre rrogëtar nga njëra anë dhe forcat vullnetare e kombëtare shqiptare nga ana tjetër zhvilluan luftime të përgjakshme në 18,19,20,21,22,23 shtator 1921 dhe 1,18-28 tetor 1921.Në këta luftime ushtrisë serbe iu vranë 615 ushtarë.

Me 28 tetor 1921, ditë e premte forcat serbe dhe ato mercenare  u hodhën në sulm vendimtar. Luftime të ashprea u zhvilluan te Guri i shqipes ku luftonte Abdulla Cara. Forcat atdhetare kishin zënë pikat kyce ku mund të kalonte armiku si në Qafë Gëlqere, Lan Lurë, Suka e Dardhës, Kaprat e Recit .Ahmet Lekës, Rrem Lushës e Can Lalës u ishte besuar shtegu më i rrezikshmë sepse ata ishin luftëtarë me shumë përvojë në luftimet kundër serbve 1912 – 1920.

Për ta populli ngriti kangën:

“Ahmet Leka e Rrem Lusha/Po luftojnë si dy arusha/

Ai Can Lala trim me fletë/Vdekun len, sa herë po qet”[5]

Prijësa të tjerë u shquan në këto luftime si :Elez Isufi, Dine Hoxha,Murat Kaloshi, Dull Cara ,Sadin Kërçova, Selim Perlepi, Ibrahim Gjoci,Suf Xhelili,Sejdi Rrahmani, Ramadan Mehmet Prençi, Hasan Fali Marku, Selman Ahmeti, Islam e Maliq Liman Prençi, Ramadan Hasanin, Dali Lami, Hysen Hasani e Hysen Shehu.

Fitorja e arritur me forcën e armëve solli dhe fitoren politike. Qeveria jugosllave, e cilësuar si agresore ndaj Shqipërisë, u shtrëngua t`i tërheqë trupat nga treva dibrane, pasi la mbi 30.000 ushtarë të vrarë në Dibër gjatë 9 vjetëve (nëntor 1912 – nëntor 1921).Vetë autoritetet jugosllave kanë pohuar për katastrofën e ushtrisë së tyre në Dibër.

Në kujtimet e botuara në Beograd,në 1937, për luftërat shqiptaro serbe, një nga ish komandantët me emër të trupave serbe kundër viseve shqiptare, në vitet 1912-1921 dhe Ministër i Luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore e bashkëpunëtor i Hitlerit, Millan Nediq, ka shkruar: “Ne u larguam nga ty, o shqiptar, që të mos jesh varr i përgjithshëm i yni. Djemtë më të mirë i lanë eshtrat nëpër shkëmbinjtë tuaj”.

Më 10 dhjetor në Bllatë të Dibrës u ngrit flamuri shqiptar. Haki Sharofi, i entuziazmuar nga fitorja e Luftë së Lanë-Lurës, shkruajti poezinë “Drin, o lum i gjanë, Plaku i Malësisë”, që u bë dhe himni i “Djelmnisë dibrane”:

Historiani  Fatos Daci [6]  e përshkruan me detaje dhe me emra këtë betejë  me heroizëm të të pashoq. “Beteja  e fundit me ushtrinë  pushtuese serbe u zhvillua në Lanë-Lurë, në vendin e quajtur Qafa e Gëlqeres. Qeveria serbe, në tentativë që të zinte vijën strategjike Qafë-Buall, Lanë-Lurë e Qafë-Murrë dërgoi në këtë rajon 5400 ushtarë, që rreshtoheshin në 12 regjimente  me 31 topa. Ndërkohë, më parë në Reç-Dardhë ishin pozicionuar edhe 2000 mercenarë të Tafë Kaziut e të Halit Lleshit për synimin për t’i shkuar në ndihmë të ashtuquajturës Republikë  të  Mirditës të Gjon Marka Gjonit.

Përballë tyre ishin rreth 400 vetë të forcave qeveritare të komanduar nga Ali Rizai dhe rreth 700 forca vullnetare të Reçit, Dardhës e Lurës. Prandaj, më 26 tetor 1921 serbët nisën përpunimin me artileri të zonës ku do të zhvilloheshin luftime me forcat qeveritare e vullnetare dibrane. Kjo situatë vazhdoi dhe më 27 tetor, ndërsa më 28 tetor shpërtheu lufta frontale  mes dy palëve. Beteja u zhvillua shumë e ashpër. Lurasit e reç-dardhasit luftuan me heroizëm e trimëri të pashoqe. Lufta u bë dhe trup me trup. forcat dibrane dhe ato qeveritare e ndalën përparimin e ushtrisë serbe te Qafa e Gëlqeres.

Disa nga të rënët në luftën kundër serbit në vitet 1918-1921:

1) Halil Selman Elezi-Zall-Reç, vra në Gjegje të Lumës; 2) Bibe Mark Markola-Vlashe, Lurë, i masakruar dhe vdiq; 3) Isuf Ajazi-Lurë, i masakruar në Qafë-Mërkurth; 4) Llan Ali Dervishi-Lugje i vra në Qafë-Resk; 5) Can Sula-Zall-Dardhë, i vrarë në Qafë-Resk; 6) Osman Fali Pitarka-Grykë- Nokë; 7) Halit Bajram Hysenaj, -Kraj-Reç; Murat Bajram Hysenaj-Kraj-Reç; 9) Bajram Xhelil Lleshi-Çidhën; 10) Halil Zenel Doçi-Çidhën (Kastriot); 11) Halit Shan Gjeçi-Çidhën e Poshtme; 12) Rushit Xhelil Spata-Blliçe; Xhil Bajram Tola-Blliçe; Zahide Xhil Tavani-Arras; Hasan Tole-Çidhën; Abdulla Ibrahim Cara-Bardhaj-Reç; Vahide Rushit Tola-Çidhën e Poshtme; Halit Lusha-Arras; Adem Hoxha-Çidhën; Rexhep Sadik Tola-Blliçe; Dogjan Zenel Dervishi-nga Lugjejt, u vra në vitin 1921, të kuadruar me forcat e “Batalionit të Drinit” të drejtuara nga Elez Isufi dhe Ali Riza Kosova, kundër forcave të Gjon Marka Gjonit në Mirditë.

(F.Daci)

Ushtria serbe me 8 Dhjetor 1921, u tërhoq në kufirin e përcaktuar prej konferencës së ambasadorëve, në Londër dhe i liruen tokat shqiptare të Dibrës.

Luftuan si luanë të vërtetë  gjithë ushtarët e civilat, shkruan Ismail Strazimiri dëshmitar okular, ndërsa evidenton oficerët që morën pjesë në këtë luftë.
Më 9 nëntor 1921 Konferenca e Ambasadorëve  e quajti Jugosllavinë agresore dhe hodhi poshtë pretendimet e saj për “vijën strategjike”. Megjithatë ajo vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira, provokime që dështuan me turp.
Ushtria  serbe me 8 Dhjetor 1921 u tërhoq  në kufirin e  përcaktuar  prej konferencës së ambasadorëve, në Londër dhe i liruen tokat shqiptare të Dibrës. Me 10 dhjetor 1921 fuqit tona kombëtare hynë në Diber, Peshkopi e në Lume si ngadhnjimtarë tue pasë në ballë komandantin e pergjithshëm Elez Isufi dhe Kapiten Ali Rizain, dy burra të çmueshem që meritojne çdo nderim për trimëni, burrërine e atdhedashuni e tregueme kurdoherë e veçanarisht gjatë kohës kritike që vazhdoi lufta.
Hymni i djelmënisë dibrane

Në Lurë dhe në këtë kohë u këndua për herë të parë “Hymni i djelmënisë dibrane” [7]të shkruar nga Haki Sharofi dhe të  muzikuar  nga Sami Gonxhe

Drin, o lum i gjanë, Plaku i malësisë
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë ?
Kurrë nuk durohet kjo robëni
Dibra e Mojsiut asht Shqipëni

Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhen shpresë

Lurë o vend i naltë, vend i trimënisë !
Aty u banë fjalët, besa e lirisë:
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit
Dibrani lirue, si ka qenë motit

Çohi burra, çohi !
Gjithë me besa besë !
Dhe lirinë festoni
Me të madhen shpresë !

Dibra historike, me lufta valë- valë,
Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë.
Ke pasur kreshnikë, por ke edhe sot,
Ai për Shqipni, gjakun s’kursen dot.

Në kuadrin e 100 vjetorit të betejës  së Lan Lurës, këtë hymn e ka  ripërgatitur dhe rimuzikuar  Prof. Isak  Shehu dhe e kanë kënduar tenorët e mirënjohur Arif Vladi dhe Kastriot Tusha. Hymni është në You Tube dhe është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm muzikor, por edhe historik.


[1] Ismail Strazimiri, kujtime

[2] Kristo Frashëri, Historia e Dibrës, faqe 363

[3](AQSH Fondi i kryeministrisë D II-15/1, viti 1920, f.81.)[3]

[4]Moisi Murra, “Misim Ahmeti, trimi i Dardhës trime, faqe 98-99, bot . 2004

[5]Xhemal Laci, Gazeta “Ushtima e Maleve, 16 tetor 1982.

[6] Fatos Daci , Beteja e Lan  Lurës

[7] Haki Sharofi, Sami Gonxhe, Hymni i djelmënisë dibrane

Please follow and like us: