Albspirit

Media/News/Publishing

Pajtim Sejdinaj: Udhëtim në rrugët e viteve

 Gozhdët

Atë natë e ftova për darkë narratuesin. Sapo ishim kthyer nga një udhëtim i largët i viteve. Me Ëngjëllin e Durimit e lamë të bënim një udhëtim një ditor nëpër Shqipëri. Për të soditur Shqipërinë. Me Ëngjëlli e Durimit ishim bërë miq për kokë. Ëngjëlli i Durimit më ishte ndodhur pranë për të mirë dhe për të keqe.

S’isha ngritur akoma nga gjumi. Ai i erdhi në dritare.

– Po çohu o gjumash! Kemi për të bërë një eskursion të bukur! – më tha ai. – Do të shetisim nëpër Shqipëri! – më tha duke qeshur. – Kam sjell dronin! Do të udhëtojmë me të!

U ngritëm të tre unë, nipi dhe narratuesi. U veshëm shpejt e shpejt. Thashë me vete: “Do të  jetë udhëtim i bukur, s’kisha udhëtuar asnjëherë nëpër Shqipëri me dron”.

– Rrofsh! – i thathë.

I hipëm dronit dhe u nisën. I ramë Shqipërisë rreth e qark me dron. Nëpër Shqipëri më zuri syri ca gozhdë të ngulura. Nëpër pikat strategjike, në vend të burimeve të naftës, mineraleve, gjithë vijën bregdetare, në vendet arkeologjike, në male lumenj, burimet ujore. Pothuaj në të gjithë Shqipërinë gozhdët e ngulura i  ngjanin si ato gozhdët e krehërve që krehnin plakat leshtë kur qethnin bagëtitë. Pyeta Engjëllin e Durimit.

– Po këto gozhdë ç’janë?!… – Janë gozhdët e “Nastradinëve”! – më  tha Ëngjëlli. – Si? Nuk të kuptova! (Unë e kisha kuptuar mirë, por doja që bashkëbiseduesi të hynte drejt e në thela).

– Po ja ti je dhe i vjetër! Sa të huaj ke parë që kanë hyrë në Shqipëri? – më pyeti Ëngjëlli.

S’numërohen! – tha narratuesi. Nipi po dëgjonte. – E të gjithë ata kanë ngulur nga një gozhdë dhe vijnë për të varur “xhaketën si Nastradini” – na tha Ëngjëlli.

– Po ato nuk kanë një ngjyrë! – pyeti nipi.

– Ato me flamuj të huaj i kanë ngulur Nastradinët e huajt! – u përgjegj narratuesi. – Ato me ngjyrë  laramane i kanë ngulur Nastradinët shqipëtarë!-  na tha Ëngjëlli duke qeshur.

– E kuptova! – i thashë unë. – Po nuk u thonë gozhdë, por u thonë  “koncesion”! – tha Ëngjëlli i Durimit. – Të të bëj një pyetje? – i tha nipi.

– Bëj sa të duash! – i tha Ëngjëlli.

– Po ne si shqiptarë a kemi të drejtë të ngulim “Gozhdë” në trojet tona që na i grabitën në vitin1913 e më mbas? Edhe vazhdojnë të na grabisin edhe sot?!…

– Është e drejta juaj! – tha Ëngjëlli i Durimit. – Por politikanët shqiptarë nuk e kanë mendjen që të kërkojnë trojet e grabitura dhe të ngulnin gozhdë për të mos u shkulur më. Por e kanë mendjen që gozhdën t’ia ngulin njëri-tjetrit! – tha Ëngjëlli  i Durimit.

– E kuptova! Por sa do të vazhdojmë kështu – tha nipi.

– Shqiptarët e dinë! – tha Ëngjëlli i Durimit.

– Edhe sa do të durojmë? – pyeti nipi.

– Edhe Durimit po i vjen fundi! – tha narratuesi.

U kthyem në shtëpi. Me shpresën se një ditë edhe ne do t’i ngulim gozhdë në trojet e grabitura për të varur xhaketën për gjithmonë.

Please follow and like us: