Sejmen Gjokoli: DERVISH GUMA, GURGULLIMA E KËNGËS BËNÇORE…
Nga libri “KORIFEJTË”-2
Dervish Guma, kthyesi brilant i grupit të Bënçës
Kur Radio “Gjirokastra” nisi të transmentojë këngë popullore nga grupi i “Bënçës” ishte një kohë që shumë dashamirës të këngës labe do të bënin çmos të ndodheshin pranë trazistorëve për të ndjekur nga afër ato tridhjetë minuta mesdite të gjitha me këngë të zgjedhura nga fshatra e krahina të ndryshme të jugut.
Ishin vitet e para të dhjetë vjeçarit të shtatëdhjetës ku grupi i Bënçës, i riu, do të niste rrugëtimin e vet, rrugëtim që vite më vonë do të kthehej në një histori të madhe trashëgimie kulturore shpirtërore.
Qysh prej këngëve të para ajo ç’ka të mbetej në mendje përveç freskisë dhe stilit të të kënduarit ishte harmonizimi i elementëve kryesorë të këngës ku krahas pozicionit të marrësit edhe ai që bënte kthyesin dukej si i prerë për këngët dhe grupin që sa vinte e shtonte dëgjuesit..
Koha e pruri që vite më pas, fillimisht si adhurues e më vonë për pak kohë edhe si pjesë e tij, të njihem e të qendroj nga afër me të gjithë anëtarët e këtij grupi vërtet simpatik, jo vetëm për nga kënga por edhe paraqitja e tyre skenike.
Këtu do të takoja e do të miqësohesha aq shumë edhe me kthyesin që dikur zërin e tij e përcillja përmes valëve të radios e që më kishte mbetur në mëndje, Dervish Gumën.
Pa as më të voglin dyshim ishte fjala dhe kuvendi i grupit, njeriu që me urtësinë e maturinë e tij përcillte vetëm dashuri e mirësi.
Ndërkohë që marrësi virtuoz i grupit Golik Jaupi me ekspresivitetin dhe emocionalitetin e vet dukej se në çdo hap ngrinte “fërtunë”, Dervish Guma mbetej limani.
Të dy me Golikun por edhe me Përparime Zilfajn e Agron Selimin, pa asnjë mëndyshje duhet thënë se arritën të krijojnë kuartetin më harmonik e më kombinativ në historinë e këngës polifonike shqiptare.
Këta të katërt e Isua pas arritën që të krijojnë njëkohësisht një stil të ri të të kënduarit në Labëri duke qenë të dytët në radhë pas grupit të Pilurit të Lefter Çipës duke i vënë vulë evoluimit të vet këngës tradicionale të lëvruar deri at’here në tervën labo-himarjote.
Ky grup që i dha polifonisë shqiptare duetin e shekullit, Golik Jaupi e Përparime Ziflaj, i dha edhe një katërshe të pa ngjshme me asnjë grup tjetër ku lëvrohet kënga me iso.
Dervish Guma për herë të parë përpara publikut do të delte në vitin 1967 kur ishte vetëm njëzetë e një vjeçar si një nga iso-t e grupit në këngën “Bënça përmbi Tepelenë, o shokë more”, këngë që mbahet mend edhe si kënga që do të evidentonte djaloshin tjetër bënçor Golik Jaupi si një nga talentet e nëdhenj që i vinte këngës labërishte.
Thamë që daljen e parë Dervishi do ta bënte në përbërje të grupit të iso-s por kjo nuk do të zgjaste shumë.
Pas Golikut një tjetër talent, këtë radhë në pozicionin e kthyesit, po i vinte këngës labe nga grupi i Bënçës, në fillim si të rinjtë e fshatit.
Vetëm dy vite më vonë, në vitin 1969, Dervish Guma do të çfaqej si kthyes, pozicion që do ta mbante të pa ndryshuar, plot art e kopetencë profesionale, deri në fund të jetës së tij.
Është momenti kur kënga bënçore kishte nisur të formësohej me dy marrësa e ku në këtë rast “Buçet kënga dhe hareja” shënjon jo vetëm të parën këngë të tij në pozicionin e kthyesit por edhe këngën që ai e këndon së bashku me bashkëshorten e tij, Vezikon, njëkohësisht motra e Golikut. Vëlla e motër në duet dhe Dervishi që debuton në pozicionin që nuk do ta braktiste për tridhjetë e pesë vjet, deri sa në kulmin e jetës e pjekurisë artistike do të ndrronte jetë.
Edhe këtu një tjetër rekord i vendosur nga ky grup, si rrallë në grupet labe që të bëjnë së bashku këngë një çift bashkëshortës ashtu si Veziko e Dervish Guma ja morën e ja kthyen këngës për plot katër vite.
Ardhja e vajzës lekdushase Përparime Ziflaj dhe “federimi” i përjetshëm që bëri në grupin e Bënçës në vitin 1973 do të shënonte njëherësh edhe nisjen e transformimit rrënjësor që ky grup do të bënte jo vetëm në stilin e të kënduarit por edhe në fuqinë shprehëse të ngjizjes së kombinacioneve në një duet të pa dukur më parë në këngët e Labërisë.
Golik Jaupi e Përparime Ziflaj për nga arikulimi i melodive, tonalitetet e arritura dhe harmonizimi i regjistrit të zërave bëri të shtangin mjaft njohës e studiues të këngës polifonike duke mbetur kështu edhe dueti i shekullit në polifoninë shqiptare.
Por kjo shpërfaqie, kjo mënyrë të deklamuari të vargut, ky dialog i jashtëzakonshëm melodioz do të ishte i pa plotë pa mjeshtërinë deri në përsosmëri të pritësit të këngës, atij që i duhej të mbante “vijën” e të siguronte ndërlidhjen mes të dyve por edhe elementëve të tjerë, hedhësit e iso-s.
Dhe këtu, bardi i madh i folklorit tepelenas, krijuesi e lëvruesi i jashtëzakonshëm i vargut e polifonisë, “profesori” i grupit Maliq Lila, e kishte gjetur “zemerekun”.
Dervish Guma me grykën e tij gurgullimë e kristal si vet ujët e lumit që Bënçës i shkon përfund, tani kishte dhënë prova se ai do të ishte “siguresa”, njeriu që do të mbante ekulibrin e madh të harmonisë së këngës bënçore.
Jo më kot pas ndarjes nga jeta rapsodi i madh i Lapardhasë së Vlorës Feti Brahimi, do të shkruante:
“Te grupi Bënçës me famë,
Dervishi rrinte në mes,
Me atë pamjen e rrallë,
Për këngët qe sigures”
Pas Fejzo Gërbit, më të mirit kthyes të deri at’hershëm që me këngën “O Bënça mbi Tepelenë…” kënduar në vitin 1969 dukej se kishte dorëzuar dhe pozicionin në rreshtin e parë, Dervish Guma me mënyrën se si kishte nisur ti vinte në lëvizje kordat e grykës tregonte se ishte për rrugë të gjatë.
Fare natyrshëm, pa i luajtur asnjë fije fytyra, pa u sforcuar e deformuar, stoik e i vendosur si një shkëmb nga malet rrotull, kështu i përcolli të gjitha skenat nga ku grupi i Bënçës do të bënte këngën e madhe.
Duke zenë vend ndër kthyesit më të mëdhenj të Labërisë e Bregut të Detit, Dervish Guma mbetet i veçantë dhe unik për vet veçoritë dhe autenticitetin e këngës bënçore.
Dinamizmi, ekspresiviteti e fuqia e marrësave, regjistri vokal i tyre, metrika e fjalëve në strofa, refrenet e gjata dhe gati frenetike kërkojnë një prerje të veçantë, një autoritet artistik, një mekanizëm sinkronizues që të gjitha këto shpërthime të magjishme ti mbajë në shtratin që duhet e që rrjedhat sa do me furi e dallgëzime të mos dalin nga shtrati.
Të mos harrojmë se kënga e Bënçës lëviz në dy ekstremitete ku në të dya ajo shkëlqen edhe pse në të dy natyrat marrdhëniet me vargun, melodinë, gjëndjen emocionale e spektakolare janë të ndryshme.
Po ndërsa këngët epike me ato lirike të këtij grupi na vijnë me gjendje të ndryshme emocionale apo interpretatative nga të dy marrësat, gjendja e kthyesit nuk ndryshon, ajo gati na qëndron e njetrajtshme, e pa ndikuar nga ç’ndodh rrotull. Dervish Guma është aty, i vendosur për të bërë atë që duhet bërë; unifikimin e të tërës dhënien e kohës që u duhet të gjithë elementëve për tu shprehur.
Vetëm një kthyes me një diapason të tillë professional mundet të mbajë në harmoni të përkryer një detachment më vehte këngëtarësh.
Se ashtu si Piluri, Bënça nuk ka patur thjesht një grup ata kanë qenë vërtet si një detashment me struktura të qarta “komanduese”.
Mu desh ta ndjej nga afër këtë frymë kur në festivalin e 1983 me këngën e tyre që tundi Kalanë e Gjirokastrës , sipas traditës, do të udhëtonim drejt kryeqytetit si pjesë e këngëve e valleve të zgjedhura për koncertin e madh.
Këtu e pashë edhe më qartë se në këtë grup edhe elementi Iso ishte institucion më vehte e ku vetëm njeri prej tyre, Bejo Selimi, do ta bënte atë sa për katër-pesë veta.
Në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, aty në Kala, në sheshmejdanin ku kënga e shpirtit të popullit vinte e stolisur si në asnjë vend apo skenë tjetër, Dervish Guma ka gjyrmën e vet të pa tjetërsuar, mes më të mëdhenjve jo thjesht e vetëm të këngës shqiptare me iso por të gjithë folklorit shqiptar.
Aty Bënça do të derdhte ajkën e këngëve, këngë që pavarësisht se disa mbartnin edhe politizimet e kohës, për nga struktura e ndërtimit, fuqia e interpretimit dhe harmonizimit mbeten ndër më të arrirat e polifonisë shqiptare.
Aty, në Kalanë e madhe të këngës, në festivalin kombëtar të polifonisë të vitit 2002, Dervish Guma me shokë do të këndonin këngën “Ku e shkove djalërinë, Smail Qemali me derte” e ku këtë herë Golik Jaupi do të kishte në krahë e do realizonte së pari një tjetër duet me nipin e tij, djalin e ri, , Xheladin Beqiri.
Kjo do të ishte dhe e fundit këngë që kthyesi virtuoz i Bënçës e Labërisë, zë gurgullima e violina bashkë Dervish Guma do të regjistronte në repertorin e tij plot perla polifonike.
Pikërisht kjo kohë e kjo Kala do të shënonte edhe takimin tonë të fundit mbas një miqësie të pa ndarë çerek shekullore me këtë burrë Labërie që më shumë se një korife folklori ishte dhe mbeti një njeri me vlera të mëdha njerëzore.
vetëm një vit më vonë kjo magji e këngës bënçore do të pritej në mes, në kulmin e moshës dhe artit të tij.
Maliq Lila, ky arkitekt i madh i këngës labërishte (një vit më pas do të na pikëllonte edhe vetë) me grupin bënçor mes këngë-lotit për Dervish Gumën do të këndonin:
“Qani ju sy të pa gjuma,
Dervish, hane hane,
Ju gurgullonjat e shuma,
Dervish Bënça hajde.
Ç’u bëre grykë ergjëndë,
Loti që pikon në këngë,
Ngreu o ylber i nënës
Të kishim violinë të këngës…”
Vlorë; 08.12.2024