Albspirit

Media/News/Publishing

TË RREGULLOJMË KAOSIN NË VETVETE, QË TË RREGULLOJMË KAOSIN E BOTËS

(Arti, letërsia, shkenca dhe filozofia në shërbim të njeriut)

*Një qasje kundruall veprës me esé “DILEMAT E LIRISË NJERËZORE” të shkrimtarit erudit Rifat Ismaili

Zekerija Idrizi: fragment nga dorëshkrimi im

“Në gjurmë të kritikës estetiko-letrare”

Ka vite që kam pas lexuar me një vëmendje të thellë veprat studimore e eseistike të sociologëve e filozofëve perëndimorë: Oswald Spengler “Rrënimi i Perëndimit”, René Guénon “Kriza e botës bashkëkohore”, Frensis Fukujama “Fundi i historisë dhe njeriu i mbramë”, Samuel Huntington “Përplasja (konflikti) i Qytetërimeve (Kulturave)”, Nikollaj Berxhaev “Për robërinë dhe lirinë e njeriut”, Çesllav Millosh “Mendja e robëruar”, Valter Stejs “Fati i njeriut perëndimor” dhe të shkrimtarëve shqiptarë: Kristaq F. Shabani “Vila e formacioneve – Globi lakuriq..” (neoroman) dhe Petro Dudi “Shuarja e mitit – Për një sistem të ri shoqëror botëror”.

Këtë herë, po me vëmendje të thellë, e lexova veprën me esé “Dilemat e lirisë njerëzore” të z. Rifat I. Ismaili.

Edhe kjo vepër mjaft domethënëse, me esé socio-filozofike, trajton të njëjtat dilema e probleme si të autorëve të mëparëpërmendur, pra për dilemat e këndvështrimet e njeriut ‘vis a vi” pyetjeve më substanciale kundruall filozofisë së jetës së njeriut në shoqëri, jo vetëm në atdhe, por edhe në botë.

Në fillim më duhet të konstatoj një fakt të rëndësishëm: poeti dhe shkrimtari Rifat Ismaili është një nga mesi i eseistëve më të spikatur të Shqipërisë, i cili të mahnitë me esetë e tij perla meditative, psiko-analitike e socio-filozofike.

Në përmbajtjen librore parakalon një gamë shumështresore idesh e pikëpamjesh autoriale të Rifatit për njeriun dhe ekzistencën e tij në glob, në gjitha etapat historike, që nga antikiteti e gjer më sot. Dhe njeriu e bota janë të analizuara gjithanshmërisht në optikën këndvështrimore të autorit: degradimi i njeriut në stadet kafshërore dhe bota në reanimacion – që ecë drejt theqafjes e apokalipsit…

Gëlojnë brenda librit idetë për temat më qenësore dilematike mbi njeriun dhe jetën: “Shpirti satanik”, “Thelbi njerëzor”, “Tundimet e vrasjes”, “Arti dhe humanizmi”, “Kohët e vdekjes” (Vdekja si një gabim hyjnor), “Njeriu dhe turmat”, “Joshja e botës antike”, “Fetë dhe filozofitë”, “Ferr-parajsa”, “Parajsat e paeksploruara”, “Magjepsja si iluzion”, “Ëndrra pagane”, “Ateisti dhe Vetmia e thellë e njeriut”, “Fantazmat e kujtesës”, “Heronjtë – Dy jetët e njeriut dhe Tri kohët e njerëzimit” etj.

Në të tëra këto esé, autori e paraqet njeriun dhe botën lakuriq, në tablotë më reale reprezentative, ku ato ndër shekuj e mileniume kanë degraduar skajshmërisht, duke marrë trajtat e imazhet më rudimentare (më të stërkequra) të të ekzistuarit si në atë teorinë hobsiane “Homo homino lupus” (Njeriu për njeriun është ujk). 

Rifati e paraqet mrekullisht në esetë e tij njeriun përbindësh, monstër, satana, mizor e vrasës në një botë ku përditë e më shumë degradohen vlerat më thelbësore të njerëzishmërisë. Më fakt, ai shkruan për botën e degraduar sot në një pseudo-modernizëm, ku gëlojnë pandërgjegjshmëritë, shundi e kyçi dhe tëhuajësimi në shumë sfera e segmente të jetës. Pra ai e prezanton një botë plot tym, terr e mjegullnajë – e dominuar nga njerëz xhuxhmaxhuxhë, liliputë e maskarenj.

“Në situata lufte apo trazirash të mëdha ekonomike, njeriu, kjo kafshë e zbutur shtëpiake që mbahet i lidhur në zingjirë, i ka këputur me dhëmbë vargonjtë që e mbanin të burgosur dhe është lëshuar si bishë e hazdisur në kërkim të gjahut e viktimave të tij, të shthurjes e anarkisë, duke kthyer kështu përmbys tërë ata shekuj të mbushur plot e përplot me filozofira, art, dituri e besime fetare…”, – thekson dëshpërimisht autori.

Megjithatë, në tërë këtë galiatias, në të tëra këto tablo apokaliptike, autori sheh në horizont një pikë dritë, ku vijnë në shprehje tiparet imanente të perëndishmërisë, të engjëllores e humanes te njeriu “homo spiritualis” si antipod i njeriut “homo animalis” (njeriut demon e përbindësh vrastar).

Rrugëdaljen nga apokalipsi e kaosi, Rifati e sheh në ndikimet pozitive të dishepujve e korifenjëve të artit, letërsisë, filozofisë, humanizmit e krerëve të ndërgjegjës mistiko-religjioze. Në këta të fundit, autori me një simpati e konsideratë të veçantë shkruan për profetët abrahamikë: Abrahamin, Mojsiun, Jezu Krishtin e Muhamedin, me theks të veçantë për Jezuin. Por, në këtë kontekst, Rifati qëndron larg klisheve e dogmave tradicionale e konvencionale të religjioneve abrahamike, por, në esencë, është një besimtar i devotshëm në Zot.

“Kam një admirim të veçantë për Biblën, Kur’anin dhe mësimet e Budës dhe e ndjek mençurinë e tyre në rrugën time drejt ndërgjegjësimit…”, – konstaton autori, për të vazhduar: “Por nuk kam nevojë për kultet fetare, as për kishat e as për xhamitë për të qenë i orientuar në jetë! Besoj në Zot, por këtë besim e gjej vetëm brenda vetes, jasht institucioneve fetare…Dhe këtë besim jo vetëm unë por e përfaqësojnë edhe shumica e mendimtarëve të botës, që kështu, bashkë, mund të përballojmë vuajtjet, krizat gjithëfarëshe dhe kaosin ku jemi përfshirë …”

“Vokacion dhe mision i një krijuesi artistiko-letrar e mendimtari është që në radhë të parë të ndërtojë, edukojë e iluminojë vetveten dhe, në radhë të dytë, të orientojë edhe botën – shoqërinë për nga e mbara dhe estetika e bukur. Pra të rregullojë kaosin brenda vetes dhe jashtë në shoqëri…” – konstaton me të drejtë autori.

Degradimi i religjioneve në pseudo-religjione

Te kapitulli “Shtysa drejt mohimit dhe profanizmit”, te nëntemat “Ateisti” dhe “Ferrparajsa”, Rifat Ismaili shkruan se në ç’kaos e në ç’shkallë skëterrore e kanë shpënë shoqërinë dhe botën fanatikët e fondamentalistët e religjioneve. Fanatizmi religjioz ka prodhuar luftëra, gjakëderdhje, gjenocide e kulturocide ndër shekuj, për të prodhuar madje edhe sot, në të cilat janë vrarë e masakruar me miliona e miliarda njerëz gjatë gjithë historisë njerëzore.

Autori pyet retorikisht:

“Si ka mundësi që disa religjiozë sapo dalin nga lutjet, liturgjitë e faltoret e tyre i zhysin duart në gjak e krime, duke e mbushur shpirtin me urrejtje ?! Atëherë për çfarë mund të më shërbejë mua figura e Krishtit kristian o e Muhamedit mysliman ?!…”

Madje-madje, jo vetëm fundamentalizmat religjiozë, autori përmend edhe plot “-izma” të tjerë ideologjish obskure e terroriste që shkaktuan kaose të shumënumërta si: kryqëzatat, fashizmi, nacizmi, holokausti e auschwitzi, komunizmi totalitar e diktatorial, al-Kaida e ISIS-i etj.

Në këtë botë katrahurash e kaosesh të shumtë njeriu për çdo ditë e më shumë po vdes sa në mënyrë “elegante” (dalëngadalë) aq edhe fatalisht, i mbërthyer në një vetmi të thellë andrallash morbide.

“Supersticionet e bestytnitë religjioze e prangosin njeriun duke ia mohuar atij lirinë me frikërat morbide mbi ferr-purgatorin në një botë tjetër të trilluar”, – konstaton autori.

Në vijim, Rifati më qasjen e tij refuzon të besojë në ferr-parajsë të një bote inekzistente, të shpikur nga kreatorët e religjioneve. “Ferri dhe parajsa janë këtu, në tokë!”, – pohon ai.

Kur jemi te kjo temë, shikuar thellë në esencë shkrimtari, Rifat Ismaili, shkruan edhe për anët pozitive të besimeve pagane, si bindje e vjetër ç’prej kur ekziston njerëzimi, në veçanti edhe si besim i të parëve tanë, pellazgo-ilirëve. Autori thekson se vlerë kryesore e paganëve ishte shpirti i tyre universal për dallim nga besimet monoteiste që janë më ekskluziviste, më të ngushta në doktrinat dhe këndvështrimet e tyre teologjike.

Njeriun dhe botën i shpëton arti, letërsia, filozofia dhe humanizmi

Në pothuaj çdo ese të këtij libri autori, edhe përskaj imazheve e tablove plot dëshpërim e pesimizëm, sheh dritat në horizont dhe trason rrugën drejt shpëtimit, iluminimit e progresit të gjithëmbarshëm njerëzor e shoqëror. Ai në qendër të vlerave, që duhet doemos njeriu t’i përvetësojë e zotërojë, i vë vlerat më kruciale të artit, letërsisë, filozofisë e shpirtit human, duke theksuar mes të tjerash:

“Arti, piktura, muzika e poezia duhet të shërbejnë për të mirën e njeriut e të jetës së tij për të gjetur rrugë marrëveshjesh me pozitivitetet e mrekullitë e për të flakur tej shëmtirat e pseudo-vlerat…”

Më tej në përsiatjet e rrëfimet e tij autori shkruan në formë monologësh dialogues edhe për ca tema e dilema të tjera, si: për jetën dhe vdekjen, duke zbërthyer mjeshtërisht kodet e misteret e tyre; për “njeriun dhe turmat”, për “miqësinë dhe armiqësinë” dhe për “artin dhe botën fëmijërore”.

K O N K L U Z I O N

Marrë në tërësi libri eseistik “Dilemat e lirisë njerëzore” është një traktat filozofiko-meditativ e artistiko-letrar që flet për statusin e njeriut në shoqëri dhe rolin e tij në rrjedhat, kushtet e rrethanat e kohës. Ky libër flet për gjitha baticat dhe zbaticat, përpjetëzat e tatëpjetëzat e jetës, për jetën dhe vdekjen, për luftën dhe paqen, për njeriun, artin dhe Zotin, për letërsinë dhe humanizmin, si dhe për filozofinë e jetës dhe tiparet dualiste e antagoniste engjëllore dhe demoniake të njeriut.

Autori mes të tjerash ka edhe një konstatim, do thosha qëndror e substancial, në libër:

“Njeriu nuk ka gjasa të ndryshojë botën në totalitet e integralisht (pjesërisht, po), por ka gjasa reale ta ndryshojë vetveten pozitivisht”.

Pra, le të rregullojmë në radhë të parë kaosin në brenditë tona për të ndryshuar kaosin apokaliptik në botë, integralisht!

Kjo rrugë garanton suksesin tonë për t’u çliruar njëherë e mirë nga prangat e robërisë, skllavërisë.

E, kjo vepër eseistike tregon dhe trason më së miri modalitetet, paradigmat dhe rrugët që çojnë drejt LIRISË NJERËZORE ….

Zekerija Idrizi

Berlin, 4 dhjetor 2024.

Please follow and like us: