Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Goliku: Legjenda e Àt Stathit

Kur Àt Stath Melani shkoi në botën tjetër dhe u paraqit te zyra e Shën Pjetrit, shenjtori e pyeti:

– Ku e ke trupin, pse vjen para meje vetëm me kokën?

– Sepse më prenë kriminelët, vrasës të paguar, më futën në një trastë dhe më çuan te dhespoti i Janinës për të marrë shpërblimin.

Shën Pjetri ka një zyrë të thjeshtë, të ngjashme me një gjykatë rrethi, ku ç’fryn jashtë hyn brenda dhe të akuzuarit dridhen sa nga të ftohtit, aq dhe nga ankthi i dënimit.

– Si e ke emrin? – pyeti shenjtori.

– Àt Stath Melani nga Përmeti i shqiptarëve.

Shën Pjetri u kthye nga kompjuteri i varur në një cep reje (atje lart kompjuterët ishin shpikur qindra vjet më parë, po Zoti Perëndi ua kishte futur së pari në mendje njerëzve në formën e përrallave). Pasi lexoi në hebraisht për të qindtën e sekondës në kompjuter jetëshkrimin e Àt Stathit, Shën Pjetri tha me vete: “Paska pasur jetë të vështirë e me fund tragjik!” dhe në fytyrën e tij mjekërbardhë u shtri një keqardhje e pafundme.

Në at çast në tokë ishte natë. Shën Pjetri u fut, pa u dukur, në ëndrrën e dhespotit dhe e pyeti:

– Pse e luftuat dhe e vratë Àt Stathin e Përmetit?

– Kush je ti që guxon e më pyet për një mëkatar? – u kreshpërua dhespoti duke përplasur me zemërim skeptrin në pllakat e kishës.

– Hirësi, kokëfortësia e gjaknxehtësia i shkon qoftëlargut, jo njeriut që i është përkushtuar Zotit Perëndi, – tha me zë të shtruar Shën Pjetri. – Unë po të flas nga Porta e Qiellit, ku jam i dënuar të zbuloj vetëm të vërtetën.

Dhespotit i ra skeptri nga dora, u përkul, u ul më gjunjë e bëri tri herë kryqin.

– Pse e masakruat Àt Stathin e Përmetit? – përsëriti pyetjen Shën Pjetri.

– Ai ishte i pabesë, tradhtar i kishës sonë; meshonte vetëm në gjuhën e mallkuar të të pafeve; në shkolla nuk mësohej në greqishten e shenjtë, por në shqipen e të paudhit…

– Ku shkruhet në Librin e Zotit se duhet meshuar vetëm në gjuhën greke? Zoti i krijoi gjuhët e popujve të ndryshëm – vijoi të thoshte Shën Pjetri – dhe secili flet, falet e lutet, këndon ninulla e vaje, ngre këngë për dashuritë në gjuhën e vet. Kështu bëjnë anglezët e kinezët, gjermanët e indianët, sllavët e hebrenjtë. Edhe shkollat i kanë në gjuhët e tyre.

– Ai luftoi me armë në dorë kundër vëllezërve të tij grekë, – ngriti kokën e tha dhespoti me përvujtëri.

– Po, ka luftuar në tokën e tij, por për të mbrojtur vëllezërit e tij të vërtetë, shqiptarët myslimanë nga ushtria juaj që bënte masakra mbi ta; gjithashtu, përpiqej të mbronte edhe shqiptarët e krishterë, të cilët ju doni me dhelpëri e dhunë t’i bëni grekë, me urdhër të një politike fetare e shtetërore të mbrapshtë.

– Kam bindjen se kjo është propagandë myslimane, – tha dhespoti me zërin e tij të njohur spërdredhës e fishkëllyes.

– Ti ke bindjen se flet në emër të Zotit, por gabohesh rëndë. Vetëm Zotin nuk mund ta mashtrosh! – foli Shën Pjetri dhe zëri i tij doli nga ëndrra e dhespotit.

Koka e prerë e Àt Stathit, ashtu me sytë e mbyllur, tha:

– Unë dua të flas vetë me Zotin dhe ta pyes në shqip, në gjuhën time: A kam vepruar drejt apo kam mëkatuar?

At çast u dëgjua një zë si bubullimë në gjuhën shqipe, që sikur vinte njëherazi nga brenda tij, nga lart e nga poshtë, nga e djathta e nga e majta. Àtë Stathit (d.m.th. shpirtit të tij) iu duk sikur ishte brenda një sfere.

– Ti ke vepruar si të ka urdhëruar shpirti yt i pastër. Ky është veprimi më i drejtë dhe mos u pendo edhe në këtë botë ku ke ardhur.

Nga sytë e shpirtit të Àtë Stathit për herë të parë dolën lot, edhe pse ishin të padukshëm.

– Ai foli! – thirri Shën Pjetri.

Zërin e Zotit Perëndi nuk e dëgjoi dhespoti.

Please follow and like us: