Tri skica nga Zana Tako
Gënjeshtra është si malli i skaduar
Gënjeshtra është si malli i skaduar por pa etiketë. Kur zbulon se ta kanë hedhur, kupton se sa rëndësi ka vigjilenca, e cila njerin sy ta le gjithmonë çelur.
Gënjeshtra duhet mbajtur sa më larg punëve të mira. Kjo vlen për ata që nuk e përdorin gënjeshtrën as kur janë me humor të keq, e as kur janë me humor të mirë.
Njeriu zgjedh të jetë i lirë ose i nënshtruar
Njeriu zgjedh të jetë i lirë ose i nënshtruar. Zgjedhja është si loja e dominosë që nuk luhet me shumë gurë. Ai që di të hedhë gurin e fitores nuk ka frikë se do humbasë. Fundja, humbja është pjesë e lojës. Por ai që e sheh gurin të hidhet në lojë me ndjenjën e frikës, nuk e ka të sigurt fitoren, e pasiguria është shansi i tij i humbur.
Në jetë na bie të takojmë të humbur dhe të fituar. Nga të humburit mësojmë shumë, ashtu siç mësojmë edhe nga të fituarit. Por bukuria e mësimit qëndron në faktin se si i sheh këta dy shembuj, me ndjenjën e spektatorit, apo me atë të të jetuarit i përfshirë në këtë mësimdhënie!
Shpirti as nuk lodhet, as nuk vdes
Shpirti nuk përkulet, as nuk lodhet, as nuk vdes. Të kujdesesh për shpirtin është njëlloj si të kujdesesh për lulet në lëndinë, për të qenë gjithmonë të freskëta e plot aromë, plot jetë e gjallëri, e gjallëria e tyre lajmëron stinë të bukura e të begata. Ashtu edhe shpirti i njeriut, për të qenë gjithmonë i ri dhe plot gjallëri, duhet të kujdesemi për ta mbajtur të tillë, si kopshtari kopshtin e tij, si bariu vathën e tij, si i zoti i shtëpisë shtëpinë e tij, sepse një shpirt i ri prodhon jetë, por një shpirt i vakur as nuk mëkon, as nuk gjallon!
Dhjetor 2024.