Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Uria e lakmisë nuk e njeh tik-takun e ligjit

Në mesjetë njerëzit orvateshin të kuptonin ekzistencën e tyre. Por sot nuk jetojmë më si në mesjetë, sot njerëzit nuk orvaten të kuptojnë se përse ekzistojnë, pasi mendësia e tyre ka shkuar përtej, në të kuptuarit e ekzistencës së fitimit, të të majmurit në interes të vetvetes, duke shpërblyer kështu vetëm veten, individualitetin.

Të jetosh jo sipas parimeve njerëzore por sipas parimeve individuale, quhet të bërit politikë e vetvetes, jo në shërbim të njeriut, por në sulm kundër njeriut. Sot njeriu po sulmohet nga njeriu. Kjo kafshë-njeri e pajisur me inteligjencë, ka akumuluar kaq shumë lakmi, saqë i ka tejkaluar kufijtë e korrupsionit shpirtëror dhe atij material. Kaq shumë pasuri e grumbulluar në interes të vetvetes, tregon për zdërhalljen e shpirtit korruptiv, i cili bëhet kancer brenda shpirtit njerëzor. Kjo sëmundje nuk shërohet, përpos të përhapet dhe të kancerizojë të gjithë qenien njerëzore. Kjo sëmundje e pashërueshme e shekullit që po jetojmë, është shpikur për të vrarë pa armë, për të degjeneruar pa plumba, për të shpërdoruar dhe tjetërsuar çdo vlerë njerëzore në emër të parasë dhe të pushtetit.

Të korruptuar aktivë ka me bollëk shoqëria e sotme. Ata janë ulur këmbëkryq dhe urdhërojnë, manipulojnë, tjetërsojnë, shpërdorojnë, duke vënë kështu në lojë njeriun, nga më i thjeshti e deri tek ai i shkolluari, intelektuali i “pavlerë” për t’u quajtur njeri me vlera, pasi vlera e vërtetë e njeriut të pushtetshëm nga paraja e pamerituar, është i “gjithpushtetshmi” për të ekzistuar mbi të gjithë, një lloj skllavërie moderne e të quajturit politikbërje e pushtetit korruptiv.

Nuk është e udhës të përmendim shkallën e degjenerimit që përhap korrupsioni aktiv, por është e udhës të kujtojmë, se nëse jetojmë çdo ditë nën sundimin e këtij lloj pushteti korruptiv aktiv, është njëlloj si të kthehesh vite e vite mbrapa, ku skllavi i shërbente skllavopronarit, ku shërbëtorët përuleshin përpara sundimtarit, ku njerëzit trajtoheshin si kafshë të rëndomta shërbimi, ku buka për të mbushur barkun kishte më shumë vlerë se dinjiteti, e kjo lloj shpërbërje është përhapur si sëmundje ngjitëse prej së cilës kollitemi dhe teshtijmë të gjithë, duke u merakosur se si të shpëtojmë nga ky “grip” që nuk shkulet, por depërton thellë e më thellë brenda organizmit tonë.

Subkoshienca njerëzore nuk është transparente, por kamuflohet sipas ndjesive. Shembuj ka plot, variacione sa të duash. Transformimi i mendimit njerëzor është në varësi të rrethanave, të cilat përparojnë kur shohin se çelet shteg për të kapërcyer situata shtrënguese.

Kur themi se politika ushtron forcë mbi mendimin njerëzor, do të thotë, se misioni i saj transformon qëllimin e saj, i cili është një i vetëm, të shërbejë për të vendosur mirëqenie, rregull, barazi, transparencë, të cilat ndihen në jetën e përditshme. Por kur themi se politika ushtron forcë mbi mendimin njerëzor, do të thotë se kjo forcë shtyp, prodhon rëndesë, e cila lëkund duke vënë në rrezik barazpeshën e vlerës së mendimit të shëndoshë. Kjo lëkundje bëhet shkak që politika të mos quhet rregullator në mbarëvajtjen e jetës së një vendi, por të quhet forcë ç’ekuilibruese duke shkaktuar probleme në çdo qelizë të jetës. Ky ç’ekuilibrim prodhohet nga të korruptuar aktivë në politikë, të cilët krenohen dhe nuk pendohen, pasi fuqia e tyre buron nga antivlera, e cila kthehet në rregullator për mirëqenien e tyre. Ky lloj rregullatori është jetëshkurtër, sepse vetë rregullat dhe ligjet nuk përkojnë me antivlerën që prodhon korrupsioni aktiv politik.

Me këtë mendësi ecin të pamendët, që jetën e kthejnë me kokëposhtë duke mos parë drejt, por shtrembër. Rrezja e shikimit të tyre është aq e vogël, sa formula e ligjit ju duket si zhgarravinë e pakuptimtë.

Të mos njohësh ligjin dhe ta injorosh atë, do të thotë se lakmia të ka mbërthyer grykën për të të mbytur. Por uria e lakmisë nuk e njeh tik-takun e ligjit, i cili të lajmëron se koha e korrupsionit i ka orët dhe minutat e numëruara.

Korrupsioni dhe politika e korrupsionit nuk janë të pavdekshëm, por politikanë korruptivë aktivë në shoqërinë e sotme jetojnë me këtë lloj mendësie, se jeta jetohet dhe trashëgohet me para, por jo me dashurinë.

Ligji është i barabartë për të gjithë. Kjo barazi nuk është shpikur nga njeriu, përpos luftohet dhe manipulohet për të mos u kuptuar nga delirantë, të cilët tashmë janë shënjuar nga vetë drejtësia e ligjit që sundon qiell dhe tokë!

Dhjetor 2024.

Please follow and like us: