Shërbime të mirëqenies nga Dr. Nano, punime të trikotuara nga Arta Kallaba – si i njohim dimensionet e estetikës?
Rafaela Prifti
Festa e fundvitit “Bulëza dhe Bukuri” e mikpritëses Dr. Evia Nano, ditën e shtunë, manifestoi “pasionin e saj” së bashku me “krijimet që risjellin traditën shqiptare të punimit me dorë nga artistja Ana Kallaba”, siç tha ajo. Për të shijuar të bukurën dhe artin e estetikës nuk ka modele uniforme sepse secili ndjek rrugën e vet dhe i kultivon ato në formë vetjake.
Dr. Nano, mjeke e angazhuar në disa spitale me reputacion në Nju Jork, arriti të hapë klinikën e saj për shërbime estetike në një nga lagjet më të frekuentuara të Manhattan-it. Gjatë pesë vjetëve të fundit, ajo krijoi Eviaesthetics Med Spa, e specializuar në arritjet më të fundit të fushës së mirëqenies dhe bukurisë dinamike në bashkëpunim me Revance Aethetics, kompani amerikane me qendër në Nashville.
Ardhur nga Kosova rreth dymbëdhjetë vjet më parë, Arta Kallaba nga një karrierë e afirmuar regjie teatri u tërhoq drejt kostumografisë dhe më tej krijoi firmën e saj të veshjeve të trikotuara dhe punime të tjera dore në Nju Jork në bashkëpunim me gra shqiptare në Shqipëri e Kosovë.
Në sallonin e Eviaesthetics, të ftuarit bisedonin me Dr. Nano për trajtime lëkure e seanca të tjera të nevojshme dhe, lehtësisht, shkonin të flisnin me Artën për krijimet e saj, fustane, bluza, çanta dore, një pjesë të të cilave i kishte sjellë aty.
Estetika fizike, siç është paraqitja sa më prezantuese falë përparimeve farmaceutike, teknikave dhe terapive rezultatet e të cilave mbajnë mesatarisht gjashtë muaj, siç shpjegoi Dr. Nano, dhe estetika materiale e punimeve të trikotuara me shtizë të prezantuara nga Arta Kallaba në festimin falënderues të Eviaesthetics, ishin forma të së bukurës, të cilat ashtu si në atë festë, kur i njohim, mund të shfaqën para nesh në çdo kohë.
Poshtë ndërtesës, rruga zhurmonte nga vargu i pambaruar i Santacon – konventës së hareshme njëvjeçare – teksa i ftohti i acartë i dhjetorit e bënte edhe më joshëse bukurinë e bulëzave.