Senad Guraziu: Më në fund e mësova dhe atë pikërisht nga “ATA”!
(senad guraziu – ars poetica, dh 24 – pak humor )
…jo nga ata, si ndonjë shumës i papërcaktuar, por si shkurtesë nga ATA (Albanian Telegraphic Agency), ose shqip ATSH – mirëpo tek logoja figuronte ‘ata’, ata vetë e kishin theksuar duke e përdour ‘ata’ (madje dhe në logo), kështu që dhe unë thashë “ata”…
…ATA (ATSh-ja), si agjenci telegrafike shqiptare NUK i përdor shakatë e mia, por nëse eventualisht e shihni ndonjëherë //s.g/ atëherë duhet ta “dini” se fjala është për autorin shakalogjik, senad guraziu, edhe nëse t’jetë ndokush tjetër no problemos… sipas dëshirës sonë s’prish gjë punë nëse gaboheni, s’do jetë gabim nëse automatikisht të mendoni senad guraziu – i bie dmth., sipas ‘ata’ në mënyrë artistike emri autorial i ndonjë shakaxhiu duhet shkruar //s.g/ : )
…ca kohë më parë sikur qesh ankuar se ata të “Shqiptarja” (gazetë kjo, revistë, tekefundit edicioni i tyre ‘online’, versioni elektronik) na qenkeshin të rreptë dhe fort strikt, në fund të çdo postimi e përdornin një trakë a baner ku thoshte: ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi, sipas nenit 80, ligji 35/2016. Se ç’është ky ligj i Shqipërisë s’e kam idenë, por uroj t’mos më dënojnë… (për faktin që ua pata kopjuar tekstin). Le ta marrin kësaj radhe që ndonjë i verbër, thjesht s’e ka parë banerin – pata bërë shaka : )
…ashtu pata shkruar, gjoja si shaka, anise e dija mirë që ata “Shqiptarja” mund ta kenë patur fort SERIOZISHT – tani rishtas (nuk u çudita që në pyetje janë ligjet shqiptare por) edhe ATA (ose ATSh-ja) e paskan një trakë të kuqe ku thoshte:
[ Në bazë të nenit 4 të Ligjit “Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij ]
…në rregull, pajetër se do e theksoj nga ku burimi, për mua sot është madje dhe diç si leksion – mirëpo, megjithatë për çudi “ata” (apo u muar vesh dmth. ATA, si agjenci lajmesh) vetë i shkurtonte burimet, editorëve të “ata” u dhimbseshin germat, e qartë se kur është fjala për burimet e tyre (që u duhen, sa herë t’u nevojiten) “ata” e dinë se nga ku janë, se nga ku burojnë lajmet, shkrimet, burimet, grafikat, secili marifet multimedial, videot, fotot, infot, shifrat, infografikat etj., për “ata” mjafton të ceket //a.i/ ndërsa ne lexuesit duhet t’ia qëllojmë, duhet vrarë mendjen dhe gjetur çdo t’thotë //a.i/ dhe + duhet ta cekim që burimi i mosdijes sonë sa i përket burimit është pikërisht ‘ATA’ : )