Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Tragjedia çame në poemën epiko-tragjike të Luan Ramës

Shfaqet premierë në kinema Millenium “Ode për tempujt që nuk u harruan”

Dhimbja dhe shpresa e popullsisë martire të Çamërisë, nëpërmjet rrëfimit në vargje të birit të saj, poetit, shkrimtarit, kineastit dhe publicistit Luan Rama, me një interpretim brilant të aktorit Alfred Trebicka dhe regji nga Pandeli Çeço, erdhi premierë për publikun, të mërkurën, 18 Dhjetor, në kinema Millenium, Tiranë. Vepra është produksion i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Poema epiko – tragjike e Luan Ramës është një dëshmi autentike kushtuar tragjedisë çame, një dramë e përjetuar jo vetëm me dhimbje, por edhe me krenari, e brujtur me dhimbje të skajshme, por edhe me shpresë.

Kjo vepër e shquar ka ngjyrosur këtë fund viti sfondin kulturor patriotik të kryeqytetit me një vello përshpirtjeje e nderimi të masakruarit çamë, në mbyllje të aktiviteteve për 80 vjetorin e gjenocidit. Në vepër shpalosen imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të bandave zerviste, e cila është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme: Harqe guri, porta të mëdha guri, dritare të shqyera ku era fryn trishtueshëm. Magje e braktisur, çati e rënë dhe një copëz qiell i vetmuar, i ngrënë, i vrarë. Era fryn nëpër shkurre, mbi gurë të latuar dhe puse të harruar, mbi trarë të përmbysur në këtë shembje të jetës dhe të botës në Çamëri. Një fotografi e zbehur dhe e përbaltur, një foto dasme, mbetur në rrënojë, rrëzë murit… lugë e ndryshkur dhe e vetmuar e papritur, në heshtjen e madhe.

Pamjet e qiellit, retë, shirat, erërat, imazhet e shtëpive të djeguara e të rrënuara, ujërat e turbullta të lumenjve, shtigjet dhe monopatet nga kanë kaluar çamët, zërat e viktimave të pafajshme, kokat e prera, kalldrëmet e përgjakuar, gjymtyrët e flakur nëpër hendeqe, gra shatzana me barqe të çara etj. Përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame. Një këngë e vjetër dëgjohet. Këngë e shpirtit, këngë e popullit të handakosur e të vrarë.

Por kënga dhe në rrënoja e varre ka jetuar në dekada dhe vazhdon të jetojë. Shpirti i popullit nuk mund të heshtë. Eshtë kënga që i këndon masakrës, është vaji i një jete të humbur që nuk do ta harrojë tragjedinë.

Drita bie. Është muzg dhe dielli tutje perëndon. Ndërtesat e gurta i shohim tani si hije: harqe, mure të rrënuar, dritare si zgavra të humbëtirës dhe e vdekjes që ka kaluar… Madje hije njerëzore sikur lëvizin tani në këtë botë hijesh… Një dorë shfaqet në portën e madhe prej guri dhe një hije njerëzore shfaqet si të dojë të mbahet pas jetës. Hëna sapo ka dalë dhe hija ngre sytë drejt saj si të kundrojë botën e të gjallëve. Tashmë shohim fytyrën e tij. Sytë i shkëlqejnë edhe pse të zbehtë. Sytë nuk janë shuar. Është rrëfimtari, i vdekuri i gjallë që lëviz mes gërmadhash dhe me shpirtin e dhimbur sheh katakombet e një jete të dikurshme. E kështu nis të rrëfejë, të tregojë… Tragjedia e dikurshme ka ngjyrën e argjendë të asaj hëne që duket se vuan dhe ajo. Ngrehina hije. Hije pemësh në forma njerëzore. Trungje të gjymtuar, krahëprerë dhe të tharë. Tashmë këngës popullore, e ngjashme me vajin e humbësit të madh, ia lë vendin një muzike që kërkon të shoqërojë rrëfimtarin në tregimin e tij. Ai ecën, ndalon, mbështetet diku dhe flet. Është zëri i shpirtit. Zëri që na flet përtej varrit…

Poema është nga më tragjiket. Atmosfera është danteske. Duket sikur ajo flet në boshllëk midis tokës e qiellit. Poema përmban dëshmi të pashëmbullta kanibaizmi të bandave zerviste ndaj popullsisë së pafajshme çame, ku shumë persona u vranë në mënyrat më cnjerëzore. Mesazhi i veprës është i qartë: Tragjeditë e jashtëzakonshme duhet të trokasin fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe të brezave, duke bërë katarsis. Në emër të shpirtrave që nuk gjejnë qetësi duhet paqe dhe amshim, duhet përgjegjësi njerëzore.

“Nuk kish si mbyllej më bukur viti i 80 vjetorit të gjenocidit, për të cilin nuk u kujtua asnjë institucion shtetëror, tha themeluesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Vepra e Luan Ramës, nipi i Heroit të Popullit Ali Demi, një ikonë e antifashizmit, është një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë . Aktori brilant Alfred Trebicka, duke përjetuar dhimbjen çame, solli një performancë të shkëlqyer dhe mjaft prekëse, ku jehonte mesazhi i paqes, i cili duhet të rifillojë aty ku u ndërpre dhunshëm nga “Magaliidea”. Regjia e Pandeli Çeços ishte e kompletuar me të gjithë komponentët filmikë. Edhe kamera ishte e jashtëzakonshme.

Gjatë filmit u emocionova shumë, tha skenaristi Luan Rama. Alfred Trebicka, në rrëfimin e tij imagjistral, plot magji artistike, krijoi një personazh me peshë të madhe emocionale, që portretizon një dhimbje që nuk shuhet dhe që duhet mbajtur gjallë, gjer sa të gjejë zgjidhje. Falenderoj Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”, për mbështetjen e pakursyer.

“Në momentin e parë ndjesia ishte dhimbje, por përpos dhimbjes ka një dritë, një perspektivë. Pra Brenda veprës nuk është vetëm mesazhi i dhimbjes, por edhe i paqes, i të ardhmes. Ne dimë të falim. Ky mesazh më ka motivuar shumë”, tha aktori i mirënjohur Alfred Trebicka. ”Nuk ishte një vepër e thjeshtë për t’u realizuar. U ndjeva komod më Alfredin, kamera, koreografia e lëvizjeve, të gjithë komponentë ecën shumë mirë”, tha regjisori Pandeli Çeço.

Poeti, shkrimtari dhe kineasti i shquar Luan Rama, ish ambasadori i Shqipërisë në Francë, nuk është thjesht një nostalgjik i apasionuar, por prurësi në kulturën shqiptare i dhjetëra librave me interes shkencor dhe albanologjik. Nëpër arkivat e Francës, të Gjermanisë e Greqisë, ai ka rendur në gjurmët e kërkimit të historisë shqiptare. Luan Rama ka nxjerrë në dritë botime për shqiptarët dhe arvanitasit, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, duke u përpjekur të nxjerrë nga arkivat një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste.

“Çamëria është një tjetër botë, e shkuar, e një vendi të harruar, të braktisur ku dhe gurët klithin. Ku vallë kanë shkuar banorët e tyre çamë, pse kanë shkuar, nga ç’gjëmë?… Eshtë një botë gërmadhash e varresh ku flladi fryn me peshën e dhimbjes dhe të nostalgjisë..

Gjaku i rënë në luftë nuk mund të zhbëhet, masakrat e tmerrshme të nacionalisteve grekë për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët nuk mund të harrohen. Historia mbetet gjithnjë histori, tha Luan Rama, gjatë bisedës së shkurtër që patëm, duke konsumuar një kafe pas shfaqjes, së bashku me ekipin realizues të shfaqjes dhe producentin Alket Veliu.

Asnjë ligj i botës, asnjë formim kulturor, nuk mund t’i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji, ka shkruar shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare. Çamëria nuk është një dhimbje që ikën, ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak kur sillesh pa nderim ndaj saj.

Please follow and like us: