Zana Tako: Burri me borselinë
Tregim
Ishte fundi i nëntorit, muaj që i jep peshë dhjetorit, stinës së dimrit, ku i ftohti të dhuron ngrohtësinë e oxhakut, bashkë me erën e mirë të drurit që digjet nën zhurmën që cingëron dhe ndjell paqen e shpirtit. Isha e ngarkuar me lloj-lloj mendimesh. Nuk e doja këtë ngarkesë dhe rrekesha ta largoja prej vetes, ndaj vendosa që atë mëngjes të dilja e të bëja disa blerje të nevojshme.
Rrugët ishin të qeta dhe pa zhurmë. Ajri i freskët më përkëdhelte me dorë të butë e të dashur.
Kapërceva trotuarin dhe vazhdova rrugën. Përbri meje ecte një burrë me borselinë. Dukej i mbajtur. E vështrova vjedhurazi. Kishte hijen e babit tim.
Oh mall që dhemb! Përtypa lotët, por eh… ato ishin më të fuqishme se unë. Nxorra syzet dhe i lashë të rridhnin pa e vrarë mendjen për njerëzit rreth e rrotull.
E lashë të ecte para meje burrin me borselinë. Për një çast fillova të ëndërroj se po ndiqja babin, siluetën e tij… Oh mall… ç’më bëre këtë mëngjes!
E ndjeva veten të lodhur, ndaj u futa në kafen aty pranë. Porosita një kafe të shpejtë. Ndjeja vështrimin e tim eti, e lotët… eh, lotët nuk kisha fuqi t’i pushoja. Rrufisja kafen në heshtje dhe dëgjoja zërin e tij… ”shpirti i babit”…
O ba… pëshpërita… edhe sa kohë do na duhet që të jemi prapë bashkë? Por pyetja ime mbeti pa përgjigje, se fytyra e tij u zhduk në çast… edhe kafeja kishte mbaruar.
Fshiva lotët dhe u ngrita. Jashtë freskia më ndihmoi të vija rregull në mendimet e mia, por doja, oh sa doja ta takoja veç një herë, një herë të vetme babin tim, ta përqafoja fort, fort, aq sa shpirti të më mbushej e të mos ndjeja më boshllëk.
O ba… pëshpërita me vete… kur nga qendra ku paguheshin dritat, burri me borselinë u shfaq përsëri. Njësoj si babi kur paguante dritat, mendova. Ai ecte para meje dhe unë pas tij… E njëjta ecje, të njëjtat supe… edhe xhaketa, e njëjta ngjyrë. Ndjeja përvëlimin e mallit që më zhuriste. Ecja pas burrit me borselinë si e përhumbur… babi im… malli im… dashuria ime ecnin me mua, më preknin, i ndjeja, çmallesha…
Tek kryqëzimi burri me borselinë mori kthesën. Ai largohej, por unë mbajta mallin, dashurinë, përkëdheljen e babit, fjalët, puthjet, përqafimin… i ndjeja brenda shpirtit, e me to fshiva lotët…
Ba, të dua shumë… ti e di sa shumë!
Zhurma e borive të makinave më përmendi. Trafiku ishte rënduar, por shpirti im ishte lehtësuar.
Vazhdova rrugën. Ishte fund nëntori dhe prag dhjetori. Festat ishin afër e në çdo festë e gëzim jemi gjithmonë bashkë, se dashuritë nuk ndahen kurrë!