Albspirit

Media/News/Publishing

Ngritën në Art pasionin e tyre dhe ikën, nëse vërtet ikën, duke jetuar për të

Emil Asdurian

I nxitur nga një artikull shumë i goditur i shkrimtarit Frrok Çupi, për “fluturën që iku në majë të gishtave”, e lehtë me një fllad të acartë dimri …

Mirënjohës pa masë për çfarë shkruan, kur artistë të tjere heshtën kokëulur në hallet e tyre, duke pritur radhën t’u vijë e të mbulohen me harresë. Fund i natyrshëm, si vetë lotët. Vdekjen e kemi të gjithë borxh! E çara mbulohet me kore, por nuk mbyllet sepse njerëzit e kanë bërë adet, që të ngrenë gurrë mbi varr, të kujtojnë më të mirat e atyre që ikën. Madje shumë të lartër, si Uliksi, Virgjili, Dante e të tjerë, si shamanë, zbrisnin në Hades t’u merrnin mend, dhe jo vetëm nga shembulli i jetës dhe i sakrifices së tyre. Pa përmendur dramat dhe shtatoret që u ngriten kur ishin gjallë dhe pas vdekjes, në libra e gojdhana. Të heshturit sfiduan harresën me një zhurmë pa zë!

Siç thotë z. Çupi, e para që ra ndër ato mure gjaku dhe djerse, ish puna, dhe me të gjithë idhujt e saj, të pablershmit as me para e privilegje. Ata që si vetë arti janë tërmet lirie.

Të gjithë duhet të ikim kur mbarojmë punë. Por jo të tërë, se s’janë njëlloj, se ata që janë kolosë, (siç shkruan me shume admirim z. Çupi), edhe pse gra, si Marie Curie, puna u fillon, pikërisht atëherë kur nuk janë! Paaritshmëria i bën jo vetëm të paprekshëm nga meskiniteti, por dhe aq të kërkuar sa ia vlen të zbresësh në Hades! Dhe kjo, jo më për hatërin e tyre, por për veten tonë, të tregosh prej nga vjen dhe se ku i ke rrënjët, e që nuk je një kështjellë fasadë poturesh në erë, por ke themel, e mbi të gjitha, se di të vlerësosh dhe di të jesh mirënjohës për çka dhanë pa kërkuar asgjë si këmbim. Ngritën në Art pasionin e tyre dhe ikën, nëse vërtet ikën, duke jetuar për të.

Tallavaja, edhe pse e shohim fare lehtë tek të tjerët, ndoshta duhet të rëndojë më shumë tek ne, atyre, që i kuptojnë të gjitha dhe mbartin barrën e rëndë në heshtje. Ne, që ikëm kur puna u shkel si e padëshëruar. Ne, që s’hapëm gojë, kur fama blihej dhe blihet duke shitur shpirtin dhe trupin. Ne, që kthyhem kokën në anën tjetër kur vodhën dhe shitën ç’gjetën në emër të kulturës oksidentale ose dhe me keq paraqitjes-xhaketë demokratike, kur në thelb mbetën, dhe jo vetëm nga brekushet, despotë anadollakë, që vënë rreth vetes ato që u bëjnë peqe-lepe dhe shiten për një lugë çorbë të qelbur. Nuk ka vend përreth, të madh apo të vogël që s’bën çmos të mos i lerë të hupin heronjtë e tij, qoftë dhe ata që nuk kanë jetuar as një ditë në truallin e tij. Erdogani vë pllaka përkujtimore per sulltanët e mundur në këto troje, mbi porta kalash dhe shkel një epope të tërë gjaku dhe ne heshtim për tanët që tashme nuk kanë çfarë të thonë të neveritur me ç’panë deri sa dhanë frymë. Ata, si ajo, nuk heshtën dhe kur i flakën dhe i dëbuan, por maskarenjtë u mbyllën dritaret! Dhe mos harrojmë, heshtja jonë vret të ardhmen dhe pranon drejtpërsëdrejti që bashkepunojmë me ata që i shkelin. Ajo e heshtura hirushe, diti të trupëzojë endërrën më të madhe që mund të kish një komb që s’kish as gjysëm shekulli që ish formuar, atë të Dijes dhe Kulturës, mbi një injorancë e obskurantizëm shekullor shallvaresh dhe çitjanesh, mejhanesh e ahengjesh me vajtime shkretëtirash! Ajo ndaj ishte ndryshe dhe do jetë ndryshe! Ajo nuk diti të vdiste si duhej, por iku fluturoi siç bënte çdo ditë kaq natyrshëm, për ta kërkuar sa herë kur duhet të trandemi nga tallavia e pistë. Dhe sigurisht që e luftoi tallavinë në kohën e saj, kur monedhë, ish privilegji, siç luftoi edhe farsën fasadë ramizjane, që për t’u dukur vuri tallavanë dhe e shiti për Art duke e vënë në piedestal. Shtirjen për karakter! Ndaj vazhdojnë ta vrasin dhe një herë me heshtjen e tyre të pabese e brinjare. Kaq verbuese thua të këtë qenë me modestine e tejskajshme të saj?

Sic thotë vetë poeti “Jo. Zoica nuk jetoi me idenë se bota i ka borxh. Artisti, kush është artist, e di se bota nuk i ka borxh asgjë. Se në fund të fundit bota ka lindur e para”. Ashtu është, por borxh ia kemi ne, bijt e atyre që nuk zgjatën dorën për asgjë, ne që i duam ashtu siç ende janë, që të mos heshtim e te pranojmë harresën e stisur të llapaqenëve, të atyre, të cilët e kanë për detyrë të mbrojnë monumentet dhe jo të bejnë politikë personale, për çdokënd që e meritoi për gjak e djersë. RESPEKT. Respektin që u takon! Për brezat që do vijnë e të mos na mallkojnë se heshtëm të gjunjëzuar para së vërtetës që shfaqet në shesh, në mes të ditës.

Bota nuk i ka asnjë borxh askujt, kushdo është një grimcë e papërfillshme ne këtë univers. Por varrin Da Vinçit ja ngritën fiorentinët dhe monumentin Mozartit pavarr, ia ndërtuan të vetët, pa çka, që bota peng e ka edhe sot e kësaj dite, që e la të vdiste i harruar dhe atë turp, çfarëdo që bën, ende s’e ka gëlltitur dot.

Faleminderit për çfarë kemi ndarë së bashku! Mirënjohës për të gjitha!

https://pamfleti.net/…/zoica-haxho-diti-te-vdese-i258316

Please follow and like us: