Albspirit

Media/News/Publishing

“PERA PALAS” I STAMBOLLIT NGA NISI RRUGËTIMI I PAVARËSISË SË SHTETIT SHQIPTAR

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Stambolli 2692 vjeçar, i shquar në historinë e botës

Stambolli (Istanbul) është qytet i gjurmëve të thella historike, muzeve, kulturës, civilizimit, arsimimit, pasurisë, turizmit, tregëtisë, transportit tokësor, detar e ajror, qytet i zhurmshëm me jetë e gjallëri plot ngjyra, një qytet përherë i zgjuar. Në Stamboll gjenden rrënjët aristokratike të tre perandorive: Romake (Roma e Lindjes/Roma e re), Bizantine dhe Osmane. Stambolli është në fakt qendra kryesore kulturore, ekonomike dhe industrial, është i vetmi qytet në botë që gjendet në dy kontinente dhe i ndarë në tre zona kryesore: Stambolli i vjetër (Emininy dhe Fatih, Bejollu pranë Gallatës që të dyja në pjesën e Stambollit europian si dhe Yskidari dhe kadikoji në pjesën e Stambollit anadollian). Në Stamboll gjenden qindra objekte luksi dhe turizmi, si dhe objekte kulti të besimit veçanërisht të ngritura nga viti 1453 deri me rënien e kalifatit më 1923, por edhe në këtë shekullin e fundit, ku vetëm lagjia “Fatih” ka 340 xhami, ndërkohë që gjithë Stambolli ka rreth 3400 xhami. Stambolli është ndër qytetet më të populluar të planetit, që daton si kohë themelimi më 667 para erës sonë, në të dy anët e Bririt të Artë, një vend i mahnitshëm i ngrohtë dhe me hotele luksozë, një oaz që i gjen të gjitha në zemër të metropolit, qytet i imazheve dhe befasive për vizitorët e botës.

Hoteli evropian “Pera palace”  tek “mesi i botës” edhe “pronë” e shqiptarëve!

“Pera palace” në Stamboll është 130 vjeçar dhe mjaft i njohur në qytetin e dy kontinenteve dhe tre perandorive, në qytetin e kontrasteve, vlerave tradicionale, në qytetin e histories. Hoteli është përmbushja e dëshirave të botës, me portat drejt bukurive të çmuara, që vizitorët e botës e kanë pagëzuar si “kryeqytet i botës”, ura që lidh Evropën me Azinë, qytet i skutave të historisë, me metro që nga viti 1875, qytet i djegur disa herë, por sërish i ngritur gjithmonë dhe më i bukur. “Pera palace” është vendosur 7.4 km larg nga “kërthiza” e qytetit, 32 km nga Aeroporti “Mustafa Atatürk”. Hoteli ndodhet në zonën “Tepebashë” të lagjes “Beyoglu”, që tradicionalisht është quajtur si “Evropa e vogël”, ku zhvillohen aktivitete kulturore e sociale gjithëvjetore. Hoteli historik ‘Pera Palas’ i Stambollit u ndërtua për të famshmin “Orient Ekspres”, për pritjen e pasagjerëve që vinin në Stamboll me trenin luksoz Ekspres të Orientit, i cili në vitin 1888 nisej nga Parisi dhe mbërrinte në Stamboll pas një udhëtimi 80 orësh, në rreth 3000 kilometra nga stacioni Gare de l’Est i Parisit deri në Stamboll. Hoteli priste burokratë, artista, aristokratë të nivelit të lartë, pasagjerët elitarë europianë që kërkonin cilësi europiane në zemër të Stambollit. Ndërtimi i hotelit Pera (Pera Palas) filloi në 1892 dhe përfundoi më 1895, duke qenë mjaft komod për kohën sikurse edhe hotelet cilësore perëndimore. Pera është një fjalë me kuptime të ndryshme në disa gjuhë të botës si para, monedhë, përtej, dardhë, vlerë e çmuar etj. Në këtë hotel muze kanë qëndruar figura të politikës e sidomos të diplomacisë së Fuqive të Mëdha, bankierë, pronarë restorantesh, eksportues, hotelierë, ushtarakë të niveleve të larta, shkrimtarë si Agatha Christie, Alfred Hitchcock, Ernest Hemingëay e dhjetra qindra të tjerë të shquar në fushën e letrave. Hotel “Pera Palas” është një nga ndërtesat madhështore të Stambollit dhe hoteli i parë i Stambollit europian me standarde evropiane, me energji elektrike, i pari me ashensor elektrik dhe ujë të ngrohtë, që u inagurua më 1895 me një ballo speciale në hollín e tij. Duke qenë dëshmitare e shumë ngjarjeve të rëndësishme në Stamboll që nga Lufta e Parë Botërore, “Pera Palas” u bë pikë referimi në Turqi, dhe në platformat ndërkombëtare, ndërkohë që ka qenë dhe ka ngelur “kripa e gjellës në supën” e ekonomisë dhe kulturës popullore turke, fryma europianiste e hotelerisë europiane në Stamboll. Një shekull më parë Stambolli kishte rreth 1200 restorante, por dhe një mundësi të konsiderueshme akomodimi, ku edhe shqiptarët kanë pasur dhe kanë pjesën e tyre të kontributit në zhvillimin e këtij qyteti modern, edhe pse duhet thënë se një shekull më parë qyteti me më së shumti shqiptarë në botë.

Çfarë ishte “Pera Palas” për shqiptarët dhe pavarësinë e shtetit shqiptar?

Në hotelin “Pera Palace” në Stamboll, më 1912 mblidhej gjithashtu ajka e mençurisë intelektualiste e mbarë shqiptarisë, atyre që trashëgonin vetitë më të mira të platformës së Shqipërisë të së nesërmes. Natyrisht nuk mungonin edhe çështjet komplekse si dhe nga ndonjëri edhe çështja e interesave. Ishte vendi ku “ndeshej” mendimi progresiv dhe mendimi konservator. Në këtë vend historik në “Pera Palas” në këtë ndërtesë e stilit klasik evropian të Stambollit, dikur kanë bujtur me dhjetëra njerëz të famshëm të botës. Pikërisht këtu u takuan Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Syrja Vlora, Aziz Vrioni, Myfit Libohova dhe Esat Toptani për të diskutuar për Pavarësinë e Shqipërisë. Në dokumentat fotografike gjejmë edhe një fotografim të realizar nga patrioti i shquar shqiptar Hasan Prishtina i cili e ka realizuar në vitin e pavarësisë më 1912. Për shqiptarët është fakt historik se nga hoteli historik “Pera Palas” i Stambollit, nisi rrugëtimi i Pavarësisë së shtetit shqiptar, të Ismail Qemal bej Vlorës. Ndër njerëzit e famshëm të Stambollit është dhe vlonjati (Avlonyali) Ismail Kemal beu. Në azhendën historike të kombeve “Pera Palas” është edhe “pronë” e shqiptarëve, një pikë e rëndësishme historike në formën e një peligrinazhi për arsye se, prej këtij hoteli filloi rrugëtimi i Ismail Qemal Vlorës 68-vjeçar, që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Pera Palas ngeli përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve si pikënisja e Pavarësisë, si vend peligrinazhi, si stacioni ndër më të vizitueshmit të Arnavutëve në qytetin e trëndafiltë, kaq të njohur dhe të dashur. Ndërkohë që në këtë qytet Sami Frashëri ose sikurse e thërrasin “birin e tyre” turqit e vjetër dhe të rinj “Shemsedin Sami” personalitetin e shquar të letrave turke dhe shqipe, pasi ai shkroi aq shumë për Shqipërinë e tij imagjinare dhe për Perandorinë Osmane reale, në këtë qytet, ku i biri i tij Ali Sami Jen, u bë president i një ekipi të njohur futbolli deri në ditët e sotme.

Ismail Qemali, Lauzanne, “Le Matin” dhe misioni i gazetarit

Misioni i gazetarit është i njohur në mbarë botën, sikjurse edhe misioni i diplomatit, i atdhetarit por veçanërisht i shtetarit dhe shtetformuesit mendimtar dhe vizionar, që dinte të lexonte aktualen dhe perspektivën. Por në kohë historike kur definohen shtetet dhe vendoset e ardhmja e kombeve vlejnë edhe më shumë dëshmitë e të gjitha llojeve, edhe ato gazetareske kur shkruhen me vërtetësi dhe që garantojnë besueshmëri. Gazetat dhe revistat evropiane dhe jo vetëm në kohën dhe vendin e duhur shkruan për shqipërinë dhe shqiptarët. Në një pjesë të rëndësishme flitet e shkruhet edhe për fatin e kombit shqiptar. Edhe ideja dhe nisma për themelimin e shtetit të fundit në Ballkan ishte pjekur pikërisht në Stamboll. Prandaj edhe shgrimtarë, gazetarë, historian, kanë hedhur dritë e sigurisht do të vijojnë të ndriçojnë një nga periudhat më shpresëdhënëse të kombit, përfshi këtu veçanërisht ataqë janë thelluar në zbulimet që vijnë bazuar në dokumentacion autentikë dhe që për ne janë dokumenta RHK (dokumenta me rëndësi historike kombëtare). Kështu Ilir Ikonomi, gazetari dhe shkrimtari historik “Në kujtim të Ismail Qemalit”, shkruan: “Në “Pera Palace” shihje shpesh ato ditë të vitit 1912 një francez të shëndoshë, me flokë të zinj, të ndarë në mes dhe me mustaqe të trasha. Ai ishte kryeredaktor i së përditshmes “Le Matin”, një prej gazetave më të njohura të botës dhe kishte ardhur nga Parisi për të mbuluar ngjarjet në Stamboll. Lauzanne njihej personalisht me Ismail bej Vlorën. Ndonjëherë mbrëmjeve, Ismaili i afrohej gazetarit dhe e pyeste fare shkurt: “Ndonjë të re”? Lauzanne i tregonte për humbjet dhe fitoret. Herë-herë, Ismail Qemali shprehte kënaqësi dhe thoshte vetëm kaq: “Sa mirë”! Në fytyrë nuk i shfaqej ndonjë emocion kushedi çfarë, pavarësisht se kush kishte humbur dhe kush kishte fituar. “Sa mirë”, përsëriste. Një ditë gazetari e pyeti: “Si ka mundësi që për ju është njëlloj mirë, si atëherë kur turqit fitojnë ashtu edhe kur ata munden?”. Ismaili vuri buzën në gaz si rrallë ndonjëherë dhe me fjalë të qarta e të matura, tha: “Eshtë mirë, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që unë kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj: ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur”. Stephane Lauzanne, fatmirësisht ka fiksuar në një shkrim të tij skenën e largimit të Ismailit nga Stambolli për të shkuar në Shqipëri. Një mëngjes, tregon ai, takova Ismail Qemalin, i cili po nisej me një torbë në dorë. Ishte e shtunë, 2 nëntor 1912. “Ku po shkoni kështu? – e pyeta. “Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri” – tha. Ismaili dhe njerëzit e tij do të niseshin me anijen rumune “Regele Carol”, që bënte rregullisht rrugën Stamboll-Konstancë. Anija mbante emrin e mbretit të Rumanisë, me të cilin Ismaili ishte njohur dekada më parë. Me të njëjtën anije do të niseshin edhe Nabi beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare me Romën, pas humbjes së perandorisë në luftën për Tripolin. Tjetri do të bisedonte me Vjenën dhe do të kërkonte ndërhyrjen e fuqive për t’i dhënë fund përparimit të ushtrive ballkanike. Të dy negociatorët kishin me vete valixhe të mëdha, kujton Lauzanne. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit”. (sipas librit të Ilir Ikonomi “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”. Për “Pera Palas” është folur dhe do të flitet, pasi nga ky hotel është pelegrinazhi patriotik për shqiptarët. Këtu nisi rrugëtimi real drejt Pavarësisë së Shqipërisë, pasi në këtë hotel shkuan dhe qëndruan njerëz të famshëm por mbi të gjitha kaluan netë e ditë njerëz me vlera për kombet sikurse ishte Ismail Qemali që kishte marrë mbi supe një ndër barrët më të rënda dhe më të vështira të historisë, atë të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar. Edhe plani i shpalljes së Pavarësisë shqiptare e ka zanafillën pikërisht në këtë hotel të famshëm europianist në Stamboll. Plani u thur dhe u programua nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina më 12 janar 1912 pasi ky i fundit një ditë më herët, kishte mbajtur një fjalim të fuqishëm në emër të grupit të deputetëve shqiptarë në seancën plenare që u mbajt në Parlamentin Osman. Prej këtu, vendosën tē përfshinin në planin e tyre edhe deputetët e tjerë shqiptarë duke u mbledhur një ditë mē vonë më 13 janar 1912 në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, i cili ishte deputet i mexhlisit (kuvendit) osman e kushëri i dytë i Ismail Qemalit, që gjendej afër sheshit “Taksim” jo larg prej Pera Palace. Nē takimin e Taksimit bashkë me deputetin e Beratit Aziz Pashë Vrioni, të Gjirokastrës Myfid bej Libohova dhe tē Durrësit Esad pashë Toptani, të gjithë lidhën besën duke u betuar mbi Kuran se do të ngrinin në revoltë popullsinë e zonës ku kishin ndikim. Kjo mbledhje e ky betim njihet në histori si pikë kthese me emrin “Komploti/ Mbledhja e Taksimit”, që në fakt është një pakicë deputetësh edhe pse në Parlamentin Osman të asaj periudhe (1912) ishin 26 deputetë për nga gjaku shqiptar. Ismail Qemali e dinte mirë se “Pera Palace” shërbente edhe si qendër takimesh patriotike, por dhe qendër e spiunëve, si hotel i gjeneralëve britanikë, shkrimtarëve, tregtarëve të armëve, udhëtarëve të ndryshëm të Orientit në një ndër lagjet më të frekuentuara dhe të pëlyera të Stambollit. “Pera Palace” ishte përshëndetja e fundit e Perëndimit përgjatë rrugës drejt Orientit, hoteli më i shkëlqyeshëm i llojit perëndimor në kryeqytetin e perandorisë osmane, që në fakt shtrihej në 8 milionë kilometra katrorë. Me këtë hotel Stambolli linte pas të kaluarën osmane dhe po katapultohej në kohëra modern. Stambolli dhe veçanërisht ky hotel kishte parë edhe refugjatë, oficerë të larguar nga shërbimi, përjetoi fundosjen e Kalifatit, dëshmonte se jeta matej me orën e Parisit, Londrës dhe Neu Yorkut. Në tranzicionin e pushtetit Mustafa Kemal Atatürk, adhurues i kulturës perëndimore solli një imazh të ri të shekullarizmit, me identitetit të ri perëndimor, ku në fakt ky hotel ishte pranvera e parë perëndimore në Stambollin e “ndryshkur” nga çallma osmane e shekujve. Pesha e udhëtimit të babait të kombit ishte pasha e halleve të një kombi të tërë, pesha e pavarësisë shqiptare. Ismail Qemali që dikur para 112 vitesh qëndronte ulur në hollin e vogël të hotelit, nuk është më një “plak”, 68-vjeçar, që rrethet intelektuale të Stambollit dhe jo vetëm e thërrisnin “Avlonyali Ismail Kemal bej”, por një figurë përfaqësuese e mençurisë shqiptare që jetonte dhe pulsi i rrihte për ardhmërinë e kombit por dhe zemra ja donte një gjë të tillë. Përtej rehatisë së “Pera Palas”–it qëndronte një komb i tërë, prandaj dhe misma e tij që nisi në këtë hotel ndonji një rrugëtim prej 4122.5 kilometra të gjatë në rrugëtimin me karrocë, me anije, me tren, sërish me anije dhe që përfundoi në Vlorë sërish me karrocë nëpër rrugët e përbaltura të Myzeqesë edhe duke fjetur dy netë, një në Çermë të Lushnjës dhe një tjetër në Libofshë të Fierit përpara se të mbrinte në Vlorën e tij dhe përpara se të trupëzohej dhe të hynte në histori si vigani i flamurit kombëtar dhe themelues i shtetit të parë shqiptar.

Please follow and like us: