Ndue Ukaj: Vendi im
Është e diel, kambanat bien, por jehona e tyre mbytet nëpër dyert e dritaret
e shtëpive të mbyllura.
Për kë bien ato?
Kush i dëgjon ato?
Kundroj udhët e zbrazëta si shenja paralajmëruese trafiku: këtu është kuptutë lumturia.
Qielli është blu, përmes tij vijnë valë zërash
nga larg dhe pyesin: si jeni ju atje,
si është shtëpia, njerëzit si janë?
*
Pemët të mbuluara me borë ngjajnë
në një pikturë të papërfunduar,
paralajmërim se shpejt vjen dimri dhe të gllabëron trishtimi.
Unë dal në dritaren kah perëndon dielli,
sodis, si një Odise që dëgjon zërin e ëmbël të sirenave dhe do të çlirohet prej makthit:
të kthehet në vendin e vet.
Nxjerr një ofshamë si nga përtejbota:
breznia ime nuk jeton më këtu.
Dhe shikoj teposhtë andej kah pafundësia.
Shoh si rrokullisen kujtimet e zvetënuara
si dhimbja për gjëra që nuk kthehen më kurrë,
ai malli për retë e bardha të fëmijërisë që sa herë na godet mungesa na godasin si breshër mërzie.
*
Në verë, aty ankorojnë anije malli,
lidhin spirancat e ngarkohen mallëngjim.
Pastaj arratisen nëpër oqeane kohësh
si nëpër dallgë dhimbjesh.
*
Një ditë, kur të kthehemi te pasqyra
dhe nxjerrim nga mëngët fëmijërinë e tonë,
shohim kujtimet e zhubravitura si një letër që nuk dimë ta lexojmë-
ose si diçka që ka marrë fund përgjithmonë.
*
Dikur kodrës mblidhja qershi dhe shikoja
në horizont botën të ëmbël si një qershi.
Fëmijët, horizontet gjithmonë i pandehin të pafundme, univers dëshirash me shije qershie,
si buzët e ëmbla të dashurisë,
derisa të vjen një ditë kur dëshirat vogëlohen
e pastaj vyshken.
*
Ti pyet: si ecët shkallëve të jetës
kur je i shkapërderdhur nëpër mijëra rrugë?
Pyetje e mallkuar, ekuacion me krejt të panjohura.
Unë shikoj kryqin e vjetër në maje të Stubllavaçës: është histori që rrëfen mistere – na rrëfen edhe ne.
*
Dhe kujtoj kohën kur mënat tona nuk përkundnin ëndërr të këqija, por ato vinin vetë.
*
Atëherë me nuk e dinim se
një stinë nuk ndërronte kurrë në jetën e njeriut:
kur ishte në vendin e lindjes
dhe ndiente hapat e nënës kur ishte e re
dhe shihte djersët e babait kur ishte i ri
dhe dëgjonte përrallat e gjysheve
të kërrusur në pragun e vdekjes.
*
Po, një stinë përherë është e re në jetën e njeriut,
kur ngjitet maleve dhe shikon rreth e përqark,
pastaj shtrihet fushave plot dashuri,
rrethuar me kujtime e shikime përmalluese
ku sheh gropat e lojës kukafshehtas
dhe këqyr qiellin e numëron yjet
si dëshira të orëve të para të jetës.
*
Një stinë nuk ndërron kurrë në jetën e njeriut:
kur e përqafon malli për njerëzit
dhe atë mall e lidh si një zinxhir fati
që ia kujton kohën, fëmijërinë.
Se vendlindja është një rrjedhë e madhe,
plot lumenj,
që përshkojnë fushat e male e derdhen nëpër yllësi.