STUDIO FAMILJARE E PIKTORIT TË POPULLIT VANGJUSH TUSHI
Me rastin e 110-vjetorit të lindjes
STUDIO FAMILJARE E PIKTORIT TË POPULLIT VANGJUSH TUSHI
Adresa: Rr. Niko Dodona, Nr. 46, Korçë, Tel.: 082 43286.
Kristaq Balli
Vangjush Tushi u lind më 20 Dhjetor 1914 në Korçë, në një familje zejtarësh. Gjatë viteve 1928-1934 vazhdoi studimet në Liceun Francez të Korçës. Më pas(1934-1939) ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës, duke u diplomuar në degën e pikturës. Studime të mëtejshme ai vazhdoi në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës (Itali), gjithashtu në degën e pikturës deri në vitin 1942. U kthye në qytetin e lindjes dhe punoi fillimisht, për dy vjet, si profesor vizatimi në Liceun Kombëtar të Korçës (1942-1943). Më pas për 25 vjet(1944-1969) ai punoi si mësues vizatimi në shumë shkolla të mesme të Korçës. Ndërkohë, më 1964 u bë promotori i çeljes së Shkollës së Mesme të Pikturës në Korçë, ku punoi si drejtor e profesor në të, deri sa doli në pension, më 1974.
Në vitin 1976, për shkak të antikonformizmit ideologjik e artistik, edhe pse i sëmurë rëndë me parkinson, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg politik nga regjimi totalitar komunist, derisa më 1982 ai vdes në burgun politik të Ballshit.
Vangjush Tushi, përveç profesionit artistik të piktorit, falë të cilit ai ka lënë një krijimtari të pasur e cilësore, ishte poliglot dhe muzikant instrumentist i apasionuar. Ai kishte gjithashtu prirje e angazhim të veçantë qytetar për të kontribuar në organizimin e jetës kulturore e artistike të qytetit.
Kontributi piktural i Vangjush Tushit përfshin disa qindra vepra, kryesisht në gjinitë e portretit, peizazhit, natyrës së qetë dhe kompozimeve në teknikën e vajit. Ka punuar, gjithashtu, edhe shumë vizatime me laps apo sepia. Një pjesë e veprave janë ende në studion intime të shtëpisë së tij, pjesa tjetër në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë dhe në atë të Korçës, apo në institucione të ndryshme publike.
Në të gjitha gjinitë, pikturat e tij dallohen për mjeshtërinë dhe nivelin e lartë artistik, që reflektohen nëpërmjet veçorive kompozuese, vizatimit racional, raporteve të ngrohta koloristike e dritë-hijeve, spontaneitetit, raportit të natyrës me faktorin human, afeksionit me natyrën e bukur të zonave malore apo bregdetare të Shqipërisë dhe integritetin e krijimtarisës së tij në pikturën kontemporane që lëvrohej ato kohë.
Falë vlerave të bukura, shumë tablo të tij kanë fituar çmime e medalje në Korçë, Tiranë, Athinë, Romë, Aleksandri (Egjipt), etj.
Vangjush Tushi është shpallur “Qytetar Nderi” i Korçës dhe ka titullin e lartë “Piktor i Popullit”.
K. Balli – Vangjush Tushi-Piktor i Popullit, Katalog, 2010.