Siemiradzki – “Parnasi” dhe Senad Guraziu: Padrejtësi (Parnasiane), 2012
[ ngjitur: Henryk Siemiradzki (1843-1903) – “Parnasi”, ~1900 ]
(s. guraziu – ars poetica – koment)
Parnas – në Greqinë e lashtë fjala Parnas ishte e lidhur ngusht me poezinë, mali Parnas konsiderohej seli e Apollonit dhe e muzave (siç shihet dhe në pikturën e Siemiradzki, Apolloni në mes, me flokë të errët, i rrethuar nga muzat – paçka se ai, ashtu i mbështjellur me rrobat e kohës, nga larg duket dhe vetë si ndonjë femër). Sipas besimit tradicional (të lashtësisë greke) qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos rretherrotull burimit Kastalia, i frymëzonte poetët për t’krijuar vepra artistike.
*
“Parnasizmi” ishte një stil letrar francez që filloi gjatë periudhës pozitiviste të shek. XIX (pas Romantizmit, dhe para Simbolizmit). Stili qe ndikuar nga autori Th. Gautier si dhe nga idetë filozofike të A. Schopenhauer. Në v. 1866 në Paris do botohej buletini “Le Parnasse Contemporain” (Parnasi bashkëkohor, diç si manifest i Parnasistëve). Me “konditat e manifestit” ata mëtonin t’i kundërviheshin “utilitarizmit” letrar. Si ideal të artit e caktuan kultin e bukurisë, estetikën e pastër dhe absolute. Prej krijuesve kërkonin përsosmërinë e formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes. Poeti s’duhej “përhumbur” në ndjenjat e veta, por duhej t’ishte i matur, i përmbajtur, objektiv dhe t’mos i “personalizonte” gjërat. Pra Parnasistët sikur i “kundërviheshin” romantizmit, sentimentalizmit, frymëzimit të padisiplinuar. Krijimi artistik (si komunikim) do i dedikohej një rrethi të zgjedhur dhe elitar prej njohësish të artit, rrjedhimisht nga kjo kuptohet se krijimet letrare të parnasizmit s’do ishin “letërsi për masat”. Nga ana tjetër, po ashtu arti në përgjithësi s’duhej t’i shërbente asnjë qëllimi politik, shoqëror, e madje as moral.
Poezi, SG – Padrejtësi (Parnasiane), 2012
Senad Guraziu: PADREJTËSI (PARNASIANE)
2012
(nëse ende s’ke gjetur bririn e Zeusit* me mjaltë e ngushëllim, s’të njeh as Safoja… as ata në Olimp).
Vargjet si karamele
të ndjesisë, çokollatash
“Merci”, si “Milka”
të Helvetisë,
si fjalë të Apollonit
që nga larg na ushqejnë,
si Pegas i Perseut
që nga askund shfaqet
e vjen – në Delf
një pallat ëndrrash,
rrotull plot puthadorë,
por ti vetë as diademë
as kurorë!
Pasqyra* të flet
(amour propre), askush
si ti s’e shuan etjen
për dritë, etjen e vetë
dritës, je ti buzëqeshja
e “pafajësisë”, ëndrra
e Afërditës, me vargje
afshi i saj… në cepin
e buzëvales, kurmi
i bardhë, vetë lëkura
e imagjinatës!
Pasqyra jote e di,
përtej xhamit pakoja
e shpirtit bën dritë,
lëkura është gjymtyra
më e madhe e trupit
poetik, kërthiza mbase
vrimëbardha “solaris”,
diç si shkencë…
ngjeshje e hijeve
në pambarim, mbase
zanafilla e vetë poezisë,
as vetë drita s’ka
“shpëtim” nga aty!
* Briri i Bollëkut (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.
* “Pasqyra që flet” – Pasqyra magjike, objekt mistik në pronësi të Mbretëreshës së Keqe (apo të Ligë), në përrallën “Borëbardha” (Vëllezërit Grim) – “pasqyre, pasqyrë që të mbaj në dorë, kush është më e bukura në botë…”