Dy poezi nga Zana Tako
Qëndro ndezur shpirti im
Brenda diellit lexoj emrin tënd,
e shpirti përvëlon.
Skuqem, ndizem prush,
ngrohtësi e diellit dashuri dhuron.
*
Qëndro brenda ngrohtësisë,
se jashtë bën ftohtë.
Bie borë, bie dhe shi,
furtunë e stuhi mot e nga mot.
*
Dielli fshihet por edhe del,
dashuria ime, njëlloj si ti.
Jemi larg apo jemi afër?
Këtë ende nuk e di!
*
Qëndro ndezur shpirti im,
mos u fik deri në agim.
Se kur ndjej ftohtë kërkoj ngrohtësinë,
e kur ngrohem diellzon shpirti im.
Dhjetor 2024.
Grua
Emri yt gdhendur në murin e kohës,
ngjizur me brishtësinë.
Forcuar me dhimbjen, dashurinë,
dy shtigje ku linde dhe u rilinde me lirinë.
*
Koha nuk ta ndali hapin,
nata nuk ta errësoi vështrimin.
Diell çelnin sytë e tu,
përqafim yjesh gjerdani i gushës tënde.
*
Me lule shtroje lëndina shpirti,
përkunde, fale, dashurove.
Me gjirin plot, jetën e mëkove,
e netët e gjata me dritë i mbuloje.
*
Nën këmbët e tua lëngon pabesia,
shpata e shpirtit tënd mbron atë që s’preket.
Bekon dhe bekohesh nga perënditë,
grua që yllëson gjithësitë.
Dhjetor 2024.