PROBLEMET E SOTME TË SHKOLLËS, JANË SA TË VËSHTIRA AQ EDHE EMERGJENTE
Fran Gjoka
Reformimi i shkollës është një sistem shumëplanësh dhe bashkëpunues i shumë faktorëve e aktorëve, ku japin ndikimin e tyre në forcimin cilësor të arsimit. Realisht sot sistemi që pretendon emrin, nuk po funksionon e për rrjedhojë mekanizmi i drejtimit dhe i menaxhimit subjektiv të arsimit ka ardhur gjithnjë në rënie. Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive, që realisht kanë mbetur në letër, por është një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe bashkive të vendit.
Drejtimi i shkollës nuk bëhet as nga militantët dhe as nga mësues të zakonshëm
Jo kushdo mund të bëhet drejtues arsimi, pavarësisht nga dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. E parë në këtë këndvështrim mendojmë se militantizmi, e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, kanë vepruar, duke emëruar gjithnjë mbi bazën e kritereve të tjera, si ato nepotike, partiake, e pse jo edhe korruptive e servile, të cilat e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar kështu mendimin e gabuar se drejtor shkolle, arsimi rajonal apo vendor mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim, është paradoksale dhe i afrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, ku drejtori, që ka fituar të ashtuquajturin konkurs, ka më pak përvojë e përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë. Është shkruar e shkruhet, është folur e flitet shumë për drejtimin, për drejtuesit e shkollave. Sa e si përzgjidhet drejtuesi? Sa efektiv e mjeshtëror është ai? Faktet dëshmojnë se konkurset apo opinionet, rekomandimet në emërime janë larg atyre që kërkon realiteti, koha, kërkesat në shërbim të reformimit. S’ka më të çmuar e realist se syri i kolektivit. Përse? Zotësia apo specializimi, posti drejtues efektiv rrezaton në kolektiv. Ai që merr postin e drejtorit a të drejtoreshës ka peshën e malit mbi supe. Pra, trinomi: Sinqeriteti, zotësi, dhe përkushtim, ia kalojnë çdo “konkursi”, çdo hamendësimi opinionesh nga lart. “Një shembull në praktikë, – thoshte ideologu i shquar Sami Frashëri,- është më mirë se një mijë fjalë të bukura”. Shembulli rrezaton aftësinë, taktin, vlerat, shpirtin krijues dhe nxit, organizon kolektivin pedagogjik. Drejtuesi me grada e konkurse (Sigurisht edhe këto duhen) por që i mungon shembulli i reformës, sinqeritetit e provat e përditshme si veprimtar, kurrsesi nuk gëzon respektin e trupës pedagogjike. Korrektësia drejtuesit nuk i falet të bjerë në grackën e konfromizmit apo të bajraktarizmit. Drita e dijeve rrezaton, kur udhëheq shembull, me kompetencë, si prijës e masovik. Problemet e sotme të shkollës janë sa të vështira aq edhe emergjente. Të bëjnë përshtypje qoftë drejtues të qeverisë, qofshin drejtues shkollash ku flasin “me duhet” , “duhet”, “edhe duhet”! Koha dhe dukuritë kanë nevojë për veprues reformues, vetëveprues, shëmbëllim në praktikë, takt, durim, e mbi të gjitha masivitet e premtim të punëve me kolegët, me prindërit. Takti i drejtuesit dhe i mësuesit është parësor, ku të shoqëruar me përkushtim e “peshoren” e fjalës, sigurisht të çojnë në arritje. Puna pa zotëruar atë çka e kërkon realiteti e koha ngjan me pemën pa kokrra. Kërkesat e reja kërkojnë përkushtim të ri, vlerësim serioz të dukurive.
Pesha dhe përgjegjësia e një drejtuesi shkolle është e madhe, ajo kërkon zotësi drejtimi dhe kualifikim të lartë
Shtrojmë pyetjen: -Sa psikolog është drejtori, po mësuesi? Pesha e rëndë në shërbim të edukimit nuk arrihet me konstatime, me këshilla, por me durim, veprim, e mbi të gjitha me zotërim të punëve të njohjes së kolegëve (vlerave e halleve) të njohjes së nxënësve të kulturës e traditave të familjeve të nxënësve. I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë” është huazuar keq në arsim. Është paradoks i vërtetë praktikimi i kësaj formule famëkeqe për mësuesinë shqiptare, ku fare mirë dihet se në Itali dhe në disa vende të BE bazohet në meritë dhe është vërtetë kuptimplotë.
Për Italinë, mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse mësuesit motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë e jetesë. E kundërta po ndodh në sistemin tonë arsimor ky portal po shërben si fasadë djallëzore e MAS, DARP, DAVP, ku si pasojë ka sjellë një paligjshmëri të vërtetë, që po i bëhet me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve.
Me keqardhje shikojmë aty-këtu liberalizëm të theksuar në veprimtarinë mësimore edukative të punës në shkolla shtetërore, ndryshe po ndodh në disa nga shkollat private, ku zotëron rregulli dhe disiplina në kuota optimale. Kurse në disa nga shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësve dhe informacioni i prindërve për shkelje disiplinore në shkolla. Adoleshenca e sotme është futur rrugës inkriminimit dhe prindërit heshtin apo s’dinë të punojnë me fëmijët në aspektin edukativ.
Me keqardhje dëgjojmë çdo ditë ngjarje makabre të adoleshentëve në rrethinat e shkollës dhe jashtë saj, që po trondit çdo ditë mbarë opinionin publik shqiptar. Me keqardhje vëmë re, MAS nuk ka impenjimin e duhur për të parë nëse është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha hallkat e sistemit para universitar. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive, nga media e shkruar dhe auovizive. Me këtë sistem arsimor çdo ditë në rënie, shtrohet detyrë të përzgjedhim drejtues që kanë guxim intelektual, persona jopolitik dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime te mëdha: Aktin e pastrimit, dhe të ndryshimit, duke filluar nga drejtimi në shkolla, në rang rajonal dhe vendor të vendit. E themi këtë, se kemi drejtues rajonal dhe vendor që kanë hyrë në vitin e tetë apo të dhjetë të punës, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik e didaktik, në një kohë që kemi plot breza të tërë të rinjsh që janë të shkëlqyer në një apo dy mastra shkencorë apo profesionalë, e që mbahen larg institucionit të arsimit rajonal apo vendor të vendit.
Administrata e arsimit ka shumë shkresa burokratike dhe pak zgjidhje konkrete
Me keqardhje shikojmë një administratë të fryrë rajonale dhe vendore, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkolla pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesit dhe vështirësitë e punës së tij me nxënësit nuk merret askush. Fatkeqësisht, u hoq kontrolli inspektoratit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë i MAS. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit dhe mësuesit në shkolla do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore-edukative.
Sado të flasim e të shkruajmë, përsëri është politika që ka ndërhyrë dhe ka shkatërruar sistemin arsimor, janë simpatizantët drejtues të arsimit që po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit dhe të nxënësit, për peshën e rëndë të çantës, për Altertekstin që është kritikuar gjithnjë dhe Ministria hesht, për librat e mbingarkuara me materiale pa vlerë, për asimilimin e vështirë të marrjes e njohurive, për uljen e numrit të nxënësve në klasa etj. Konkretisht çfarë po ndodh në tekstet shkollore? Ku janë vlerat intelektuale e kombëtare? Po bota akademike pse hesht përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore edukative, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë edhe mbi të gjitha vlerat tona të çmuara kombëtare.
Për të shkuar në rrënjët e problemit, duhet të kthehemi tek qëllimi themelor i mungesës totale të menaxhimit intelektual të arsimit, që me keqardhje themi se askush nga drejtuesit qendror apo vendor s’e kanë marrë ende seriozisht dhe të kemi një përgjigje urgjente se si duhet ndryshuar, drejtuar dhe administruar në të ardhmen e shpejtë arsimi ynë kombëtar. Ajo që e vyshk shpirtin e arsimit, pa mëdyshje është politika. Përse? Sloganet boshe, formalizmi, këshillat falsë, fjalori i shthurur e amoral i politikanëve, grindjet e shpifjet e tyre ndaj njeri-tjetrit, ashtu sikurse tik-toku e celulari bëjnë të kundërtën e edukimit, e shfuqizojnë rolin e mësuesit e të drejtimit të shkollës. Fëmijët sot kanë ngarkesë të madhe jashtë librave e punëve të mira në klasë a shkollë. Përse? Shumicën i tërheq shembulli negativ. Pra, sistemi i arsimit kurrsesi nuk përparon pa gjetur “çelësin e shpirtit” të arsimit. Çelësi i shpirtit është dëshmia e suksesit, është shtylla kurrizore e sistemit të arsimit.
Faktet dëshmojnë se çelësi i drejtimit është ndryshkur, ka nevojë të gërshetohet me blerimin e shpirtit në drejtim të dijeve e të edukimit. Sa lexojnë e zbatojnë drejtuesit? Sa fryte u jep ecuria konkrete në shkollë e komunitet? A kanë shkallën e vërtetë të një vatre komunitare: me veprimtari, me dhomë muze, me histori shkolle?! Çdo ditë mbetet që drejtuesit të mbajnë pasqyrë për ecurinë reformuese, mësimore-edukative.
Shërimi më i çmuar i kombit e i brezave është që me zell e veprime konkrete të reflektojnë shpirti i sistemit bashkëkohor të arsimit. Flitet e shkruhet për seminare, për reformim, për evidenca e planëzime, për rolin edukativ të nxënësve. Sigurisht kjo është anë e mirë dhe vlen, por nëse vlerësojmë frytet e gjendjen konkrete e aktuale të arsimit duken sheshazi e në plotësi boshllëku edukativ, formalizmi e burokratizmi pedagogjik janë të veshur me qyrk demokratik. Përse? Nën petkun e lirisë, të lidhjeve të ngushta me nxënësit e të mbajtjes afër mësuesve frenohet, tulatet bien në formalizëm, kurse drejtuesi bie në konformizëm. Pra, nxënësi di të respektohet, vlerësohet, por kurrsesi nuk duhet heshtur e tulatur para dukurive negative, para shfaqjeve të pahijshme, para përsëritjes së gabimeve. Autoriteti, lidhjet formale, mos guximi për t’u përballur e vyshkin, e thajnë autoritetin dhe shpirtin e arsimit. Një i moshuar na tha: ” Arsimi në ditët tona është gati si lisi pa lena e si i sëmuri që i dhemb zemra. Lisi pa lena shpejt mbetët i tharë, i sëmuri rëndë nga zemra shpejt ndërron jetë”.
Zotësia e mjeshtëria pedagogjike e psikologjike e drejtuesit të shkollës dhe e mësuesit matet me punë që bën e frytet që korr me të vështirat, me tipat që sjellin probleme në shkollë në komunitet. Sigurisht që mendja e nxënësit është nën sulmin e internetit, tik-tokut e të plot dukurive negative që shfaqen në ekrane me fjalorin bajat e tepër vulgar, të mjaft politikanëve, deputetëve, analistëve që grinden etj. Sistemi arsimor pretendon emrin, po shpirti i arsimit? Ky shpirt merr jetë nga drejtimi korrekt, krijues e i guximshëm, nga vetëmohimi e vetë kualifikimi, në proces në punën frytdhënëse mësimore-edukative.