Senad Guraziu: Hanxhiu në halle
Hanxhiu dhe Mullixhiu, bashkë – Një foto e “Mullixhiut” të Tiranës, dhe një vjershë…
HANXHIU NË HALLE
Senad Guraziu, 2001
në hanin tonë njëmijë udhëtarë
kaluan natën, bajgat nëpër saç
pranvera sython me bar të keq
*
shenjë e ligë, keni për t’parë
qengji-qengjit do i thotë “plaç”
ustallarët do shtiren kryeneçë
*
tash është dimër, borë e bardhë
bar të thatë, barishte, jo spinaq
lejlekët vijnë nesër për përpeq
*
ballë i oxhakut, plak përmbi plak
tre rreshta urtësi, tre renda fli
oxhaku s’e ngroh një dordolec
*
me gisht përzien qullin, qullu pak
me tre rreshta bën një fli-mrekulli
me tri tulla e tri krande një kotec
*
njëmijë opinga, asnjë e majtë
njëmijë opinga, asnjë e djathtë
hanxhiu s’ka brumë për kulaç
*
minjtë po qeshin nën samar oiii
usta hanxhi ore zotni dallavesh
kot e ke, lejlekëve s’ua hedh dot.
– – –
(fotoja: para 3-4 viteve, s’e di saktë, ndoshta 2019, për foton si vijon të “Mullixhiut” të Tiranës (gjoja e pata ilustruar postimin e vjershes), tek faqja personale pata shkruar: …paska një restorant në Tiranë, u quajka “Mullixhiu” (e paskan madje dhe një faqe shumë simpatike në Internet), menuja e tyre qenka pakëz më “ndryshe”, por dhe atmosfera (interieri) se ç’paska diç të ngrohtë nga vetë “ngrohtësia e tradicionales shqiptare”, uroj t’mos “mbyllet Mullixhiu” derisa t’i kem provuar dhe unë simitet e tyre – ngjitur pra fotoja e “Mullixhiut” të Tiranës sepse rimohej mjaft bukur hanxhiu = mullixhiu:).