Cikël poetik nga Avdush Canaj
Po e teprojnë
Po e tepron nënuçi,
Kështu edhe babuçi.
*
Celularin
Ma kontrollojnë si shumë,
Edhe kur bëj detyrat,
Edhe kur jam në gjumë.
*
-Ç’është kjo zemër, bijë?!
Pse ky t’ka thënë trëndafile?
Ky tjetri pse të quan llokum
e rrush?
Kush është ai që të thërret
në sheti?
Kush?
*
-Po ato lule me erë,
Si erdhën në derë?!
Si e ditën banesën?!
Si s’të ngatërruan me Vesën?!
*
Kush? Pse? E si?
E pyetje të tjera prore,
Si në hetuesi,
Si në gjykatore!
*
Babuçi dhe nënuçi
Po e teprojnë vërtet,
Kanë harruar se u rrita,
Jam në klasë të tetë,
Në klasë të tetë.
Perla deti
Vjershat më të reja
me ëmbëlsinë e verës,
M’i mori n’tavolinë papritur
vajza e vogël e erës!
*
Më tha në vesh ngadalë
me fustanin me larë:
Do t’i botoj në faqe të reve,
mrekullinë ke për ta parë.
*
Dhe vërtet ashtu ndodhi,
lumturia kishte kuptim.
Zogjtë e qiellit të paskaj
i lexonin në fluturim!
*
Kur u lodh ditëmira
e shkoi të pushoi si Keti,
mes gjethesh cicërima:
Ishin perla deti!
12
Më 12 qershor u linda
në mes trëndafilave të kuq.
12 këngë i këndova në 12 melodi
për Atdheun pa dritë.
*
Ata një ditë erdhën,
trishtuan ëndrrën për lirinë
më përplasën në qelinë
numër 12.
*
12 herë më hodhën para gjyqit
të hienave,
m’i nxinë 12 pranvera.
*
S’m’u ndanë 12 ujqër
që më ropën lëkurën
me 12 thika të ndryshkura.
*
M`i hoqën prangat
pas një shekulli,
me 12 dara
në ditën e 12 korrikut.
*
12 orë bëra nga ferri
deri në shtëpi
ku më priste nëna,
tri dallëndyshet e mia të vogla
me 12 diej në duar
që s’e njihnin babain.
*
Për to qëndisa
12 tufa vargjesh.
*
Harrojeni këtë numër!
Harrojeni
numrin 12!
Kur zgjohen kanjushat
Nga krevati i plepit
kur zgjohen kanjushat
qiellit ia puthin faqet
te lumi spërkatin gjumin
peshqve u tregojnë
ëndrrat me hënë.
Dritarja e reve
Nga dritarja e reve
Lulet i pashë si pulla të ylberit
Detin si pasqyrë e Borëbardhës
Pyllin si piktura me lisa
Arat si fletore me katrore bari
Lumi vijë e kaltër stilografi.
*
Kur zbrita me ashensorin e plepit
Lulet më falën aromën
Deti më ftoi te bregu
Pylli më fali freskinë
Arat më bën zog të kaltërsive
Lumi më mori për dore
Deri te dera e vjershës.