Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Busullat e “çoroditura” të shijeve eurovisionale të Fest-it!


(senad guraziu – ars poetica, dhjetor 24 – pak humor, përzier ngapak me profeci dhe me ndonjë kokër gazmore, aty-këtu)…

…nganjëherë më bëhet sikur diç s’është në rregull me “shijen” e shqiptarëve për muzikat eurovisionale, pa shaka… e kam me gjithë mend, edhe holandezët kanë çoroditje serioze në këtë drejtim (kohëve të fundit), mirëpo këta s’më “dhimbsen” aq… sepse këta kanë fituar festivale të Eurovision-it, dhe atë disa herë, ndërsa shqiptarët kurrë – ky është ai “spot-i” i dhëmballës ku gjithmonë shkon gjuha, ajo “pika” e dhimbshme, le që shqiptarët u kyçën vonë në Eurovision, por u bënë tashmë 20-21 vjet, thuase gjithmonë përhumben në “delirin e Fest-it”, thuase dehen nga shampanja, nga disco-dritat, nga buzëqeshjet e VIP-ave, nga atmosfera, nga xingla-minglat televizive… dhe sakaq u çoroditet “busulla e shijes”, prore votojnë për këngë që s’do duhej, prore votojnë për ca këngë të “çuditshme”…

…kur është fjala për politikat e demokracisë votat dhe janë ok, si sistem, shoshiten sadopak partitë politike dhe fiton ndonjëra, sa për 4 vjet edhe nëse ia huq me votën… e shtyn gjithkush, s’kris qameti nëse Berisha ngelet n’opozitë deri n’pleqërinë e thellë, mirëpo për zgjedhjen e këngëve eurovisionale votat janë katastrofë, vetë Shqipëria dhe vetë Eurovisioni janë dëshmi e pohimit tonë, saherë duhet votuar fituesi i Eurvision-it del në pah natyra qesharake e votimit, mirë që shtetet megjithatë përmbahen, s’duhet mohuar është dhe meritë që nuk bëhemi gaz si shtete eurovisionale; Serbia s’ia jep votën gjithmonë Rusisë, aq strikt dhe nuk janë, as Turkmenistani nuk voton gjithmonë për Turqinë, dhe as Danimarka s’e voton gjithmonë Skanidnavinë…

…anyways, se u hutuam paksa, sipas nesh kënga “Zjerm” dhe do kishte shans t’i afrohej “pozicionit 10-15” në Eurovision, me kusht që t’merrte pjesë vetëm si instrumental, të shkonte gjithë orkestra e Fest-it në Bazel (madje do ishte diç madhështore, mjaft ekstravagante, diç fort e hijshme si akt orkestral, orkestra e Fest-it është për lakmi) mirëpo pa këngën, pa këngëtarët, thjesht instrumentimi, vetëm ekzekutimi instrumental, e dëmshme t’shkonte “dëm” instrumentali, t’mos shfrytëzohej sëpaku instrumentali i bukur dhe artistik – në këtë mes s’duhet keqkuptime, larg keqkuptimit, “Zjerm” është ok për Shkodrën e edhe për Shqipërinë… në njëfarë mase (tekefundit gjatë delirit të Fest-it) por, sorry më vjen keq, busulla e “shijes” së Fest-it, për çudi secilin vit del se është paksa e çoroditur, nuk funksionon për nivelin eurovisional…

…natyrisht, kjo që sapo thamë afërmendsh se është “statement” i madh, pohim i madh, konkludim i madh, nëse s’ia qëllojmë del se qenkemi ndonjë sharllatan i madh… mozomokeq, pakashumë si Nostradamusi dikur, madje diç si sharllatan qesharak, mirëpo nëse t’kemi sadopak të drejtë (kuptohet mbetet të pritet deri në Maj, duhet të presim dhe do shohim, Bazeli vjen dhe gjithçka sheshohet : ) meqë fjala për Shqipërinë urojmë madje t’jemi GABIM, s’na duhet medoemos t’ia qëllojmë me profecinë as me skepsën tonë, UROJMË të fitojë “Zjerm-i”… por por por nëse eventualisht Shqipëria nuk fiton AS KËSAJ RADHE (dmth. me këngën e votuar “Zjerm”, të Fest 63), atëherë duhet të heqin dorë, duhet t’i thonë vetes “STOP”, duhet të dorëzohen…

…nuk do ishte e paarsyeshme që t’heqin dorë me votat e Fest-it, çfarë nuk shkon nuk shkon, mjaft do duhej t’ishte mjaft – thoshte dikur dhe ai Veliaj i Tiranës, kur ishte i “ri”, apo jo, nëse “Zjerm” nuk fiton, pas 21 viteve të dështimeve duhet këtë punë t’ua lënë në dorë ndokujt që merr vesh nga “muzikat eurovisionale”, s’po them mua… anise e njoh dhe unë “teorinë” (teorikisht mund t’jem dhe unë kandidat adekuat), i kamë veshët muzikalë e edhe zemrën… e vërtet kjo, mirëpo për fat të keq s’ia them me zërin, me interpretimin, me performancën, s’e kam as hijeshinë, as karizmën, as simpatinë, uaaa në këtë drejtim mos pyet, për fat të keq s’jam unë as Brady-Piti, as Blerona Qerremeti as Adulina Cicimali… Eurovision-i i ka shumë aspekte dhe dimensione, por kjo s’do të thotë që s’ditkam t’i hetoj “busullat e prishura” eurovisionale të lulandezëve dhe të shqiptarëve : )

Please follow and like us: