Sadik Bejko: Dorëshkrime nga arkivi
Të pabotuara.
Isha minator në qymyrgurin Memaliaj. Një muaj lejë vjetore… Pagë minatori 1500 lekë, jo pak për kohën.
Plazh, det e qiell për mua që dilja nga vrimat e nëntokës. Dhe larg… në një vend ku nuk më njihnin. Nuk më trajtonin si të dënuar. Kabinë në Durrës, Vlorë a Sarandë.
Mua, të dënuarit, nuk më jepnin as “kabinën”. Gruaja në Gjirokastër me dy lekë nën dorë ia merrte dikujt, një punëtori “të dalluar” që shteti ia jepte kabinën, po atij nuk ia mbante xhepi plazhin.
…ditë kur dhe shkruaja poezi. Një i arratisur përkohësisht nga ngjyra e zezë e qymyrit që për 24 orë e kisha në sy, në mushkëri, në gjellë, në krevat sado që “natën” e laja fort me ata sapunët me sodë Rrogozhine.
Një dalldi e kursyer… e mbajtur butë nën kontroll, si nën një krah të rrëzuar peme mbi shpatulla…
Merrja fort frymë lirie, frymë deti e qielli për 15 ditë. Gjysmë zhveshur mbi rërë të nxehtë, të artë. Vetëm15 ditë në vit. 15 ditë.
… ndonjëher shkruaja poezi… “nën kontroll”… por shkruaja.
…
Valët nga horizonti i paqartë
Drejt e në breg e mbajnë vrapin,
Jeta nën penj të artë, diellorë –
Çajkë që rreh e rreh krahëzit
Asgjëkundit ditëve… plazhe verorë.
21. 8. 1976.
***
Tërë ditën më ndjek deti,
Tërë natën në ëndërr shoh malet, fshatin
Atje lisat pleq, shkëmbenjtë
Kanë hijen e rëndë të gjyshërve që drejt nga shënjestra e armëve panë detin.
*
Ndoshta krejt këta gjysha nuk vdiqën
U futën nën lëvoren e ashpër të drurëve,
U fshehën nën mjegullën e muzgjeve
U tërhoqën nën hije shkëmbinjve.
*
Hija e tyre ditëve më bie me shkop,
Më trokit fort kafkës dhe në gjumë,
Po unë çdo ditë me detin bëhem mik,
Ia dua dallgën butë e ëmbël,
Pa dhe kur sjell mbi vete rrezik.
26. 8. 1976.