Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhy Londo: Kryqi!

Unë linda në një datë me Krishtin.

Shtrati i varfër nuk ndryshonte shumë nga grazhdi i Betlehemit.

Nuk e mbaj mend a ishte ngrohtë apo frynte juga,

Nuk më kujtohet në ishte mëngjes i vrenjtur apo i kthjellet kristal.

Vetëm di se nuk ma vunë emrin Krist,

Por më pagëzuan me një emër pagan.

Gjatë jetës time u enda shumë,

Jo shkretëtirave, por shkrepave ballkanike.

Nuk e di cili ishte Juda nga njerëzit që takova,

Cili ishte Pjetri që më mohoi tri herë,

Nuk e mbaj mend cila ishte Maria Magdalena nga gratë që takova,

Cili ishte Pjetri që më mohoi tri here.

As ia kam idenë fare

Shkrepave ballkanike nga u rropata

Në më pritën krahëhapur

Apo më zunë me gurë

Duke u tallur me mua.

Piva verë dhe hëngra bukë,

Por me tepër dhashë vere nga gjaku im

Dhe bukë nga mishi i trupit tim.

E, megjithatë, kurrë nuk e kuptova:

edhe pse nuk ma vunë emrin Krist,

Përse ma ngarkuan një kryq të rëndë mbi shpinë

Që s’më është ndarë asnjë minute

Nga djepi i varfër deri tek varri i trishtë,

Një kryq që më kujton çdo çast të jetës

Se gurët janë gati të hidhen mbi mua,

Se Juda pret me padurim të më tradhtojë

Dhe Pjetrin nuk zë gjumi deri sa të këndojë këndezi

Dhe të më mohoje tri herë.

Kur linda s’ma vunë emrin Krist…

Please follow and like us: