Albspirit

Media/News/Publishing

Irena Dragoti: Dimërore

Shiu mbath çizmet dhe mat mëngjesin

me krelat që i bien gjer në fund të kurmit

Qentë trembin stërkalat,

që i shtrijnë dorën bredhave

Brinjët e mia të palatuara

gjelbërojnë erën në shkulma stuhie

Ia fsheh majat e djegura, stinës

me kujtesën e pakrehur…

*

Disa rrudha më shumë te balli

m’i psherëtin mosha,

mbi durimin e duarve

që ndërruan ngjyrat e shtratit në jeshile

Për çdo largim tëndin, më thyhen eshtrat,

aty ku nyje ishin dikur…

*

Thinjave, si lastarë të ngrirë

iu tregova se vjen koha për të gjithë

të provojnë fatin këmbanor pa gjuhë

nga zjarri tek hiri…

*

Në këtë zile zgjimi jetoj unë

me gjithçka që nuk kam.

*

Folëm…

Ti me fjalë…

Unë me kërcitje zjarri.

Sy dixhitalë

më shohin, nga cepat e thyer të kohës

tantrume gërvishtës i shpëtojnë shpirtit

e dëgjohen në rrugë të madhe

Nuk jam fallxhore

veç një moshë që i trashen gishtat nga artriti

kur rrekem të palos këtë tokë të lagur shirash

si kurverta që një ditë do na mbulojë…

Please follow and like us: