Sakip Cami: Hafiz Xhemal Mullai Dibra, Nderi i Kombit
Deputeti dhe senatori jurist, kleriku mysliman, që mbrojti heqjen e ferexhesë së gruas shqiptare 88 vjet më parë…
Hafiz Xhemal Mullai Dibra, (1881 – 1959).
Profesor i Universitetit Teologjik të Stambollit.
Anëtar i Gjykatës së Lartë Islame.
Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” të shqiptarëve të Stambollit, 1908.
Drejtor i gazetës “Paqja” të Shoqërisë “Bashkimi” të Stambollit.
Nga Stambolli në vitin 1924 vjen në Tiranë, për të dhënë kontributin e vet si legjislator e senator.
Deputet i Parlamentit shqiptar në vitet 1924-1939, Senator i Senatit të Shqipërisë në vitin 1925, Deputet i Dibrës, Nënkryetar i Asamblesë, Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Hartues i Kushtetutës së Monarkisë Shqiptare, me prirje republikane.
Si përfaqësues i qeverisë shqiptare bashkë me diplomatin Rauf Fico, në vitin 1927 në Selanik nënshkruajnë marrëveshjen për mospranimin e kosovarëve që të shpërnguleshin në Turqi, gjë që ndihmoi në ruajtjen e identitetit kombëtar të Kosovës. Zotërues i katër gjuhëve të huaja, orator dhe intelektual me një bagazh të jashtëzakonshëm.
Në vitin 1939 kundërshtoi zbarkimin e forcave italiane në Shqipëri dhe si pasojë arrestohet dhe internohet në Bergamo të Italisë, për katër vjet.
Internohet në Kavajë pas vitit 1945, i konfiskohet shtëpia dhe pasuria në Tiranë si dhe biblioteka e pasur me libra në katër gjuhë të huaja.
Në vitin 2016 u dekorua me medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
———————-
Në mars të vitit 1881, u lind në Dibër të Madhe Hafiz Xhemal Mullai (Dibra), bir i një familje të mesme qytetare. I ati Haxhi Shaqiri, sikundër gjyshi dhe stërgjyshi i tij kishin qenë hoxhallarë. E ëma, Ruzhdia, ishte vajza e vetme e Abedin Junzagollit, që kishte marrë emrin Habe Karadaku, për shkak të trimërisë së tij në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kundër ekspansionit serbo-malazez.
Xhemali u rrit në këtë mjedis me tradita patriotike. Ai ishte një fëmijë guzimtar dhe i zgjuar. Në moshë fare të re kreu hafizllëkun në Dibër, që me mbarimin e shkollës fillore. Më tej vazhdoi edhe shkollën e mesme fetare në gjuhën turke. Gjatë kësaj kohe, ai u njoh me patriotë të shquar, siç ishte Ismail Pashë Saraçi, pasha me emër dhe pasuri në Stamboll, drejtues i Kongresit të Dibrës në vitin 1909, i cili duke çmuar inteligjencën dhe karakerin e tij në vitin 1900 e mori me vete në Stamboll dhe e ndihmoi të kryente studimet e larta në teologji dhe më vonë në drejtësi.
Pas mbarimeve të studimeve universitare, për aftësitë e tij, Hafiz Xhemali u emërua Profesor i Teologjisë në Universitetin e Stambollit dhe anëtar i Gjykatës Islame.
Në Stamboll, ai u njoh me veprën e Pashko Vasës, vëllezërve Frashëri, Hoxha Tahsinit, Irahim Temos, Jani Vretos, Hasan Prishtinës, Dervish Himës, Faik Konicës e shumë e shumë patriotëve të tjerë që ia kushtuan jetën dhe pasurinë e tyre çështjes kombëtare shqipare.
Në Stamboll, në ilegalitet, Hafiz Xhemali mësoi të shkruajë gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Me shpalljen e lirisë që premtuan xhonturqit, veprimtaria e tij u gjallërua më tej.
Si në shumë qytete shqiptare, në Manastir, Shkup, Elbasan, etj., ashtu edhe në Stamboll, u formuan shoqëritë “Bashkimi” (1908), rreth të cilave u bashkuan patriotët shqiptarë, të cilët, duke ndjerë rrezikun që i vinte Shqipërisë nga shembja e pashmangshme e Perandorisë Osmane, shtrënguan fort rradhët dhe u përpoqën të ndriçojnë mendjen dhe zemrat e shqiptarëve, për t’i bërë ata të ndërgjegjshëm për synimet e armiqve të Shqipërisë dhe për përgjegjësinë e secilit ndaj Atdheut.
Klubi patriotik i Stambollit përbëhej nga Dr. Xhemal Bej Mullai, Preng Bibë Dodë Pasha, Sulejman Bej Delvina, Dr. Rifat Bej Frashëri, Filip Noga, Hysen Bej Vrioni etj. Eqerem Bej Vlora u caktua financier i Klubit. Që në mbledhjen e parë u mblodhën 120 lira turke ndihma financiare, midis tyre edhe nga Xhemal Mullai. Këtë e tregon edhe dëftesa e degës së kolonisë shqiptare në Edrene, ku deklarojne se kane marre ndihmë nga Hafiz Xhemal Dibra (Fondi 101(Shoqerite shqiptare ne Edrene), Dosja 15, Viti 1919.)
Pas miratimit të alfabetit shqip në Manastir, filluan nga botimi gazeta, revista, libra shkollorë në gjuhën shqipe dhe u hapën mjaft shkolla në gjuhën shqipe. Shoqëria “Bashkimi” e Stambollit, që në themelimin e saj miratoi statutin e shoqatës me 22 nene. Në nenin 1 thuhet : Shoqëria “Bashkimi” e krijuar në Stamboll ka qëllim përhapjen e gjuhës shqipe ndërmjet shqiptarëve të Turqisë.
Shoqata do të drejtohej me programin e saj dhe kurdoherë do të përpiqej për forcimin e lidhjeve të shqiptarëve të Turqisë me Atdheun.
Të 200 aktivistët e shoqatës “Bashkimi”, të mbledhur në klubin e tyre në Stamboll, me votim të fshehtë zgjodhën pleqësinë, e cila, nga ana e saj, zgjodhi Hafiz Xhemalin kryetar dhe At Jul Bonatin nënkryetar.
Për këtë periudhë Hafiz Xhemali tregonte : “ Pasi mbaroja punën zyrtare në gjykatë apo mësimdhënjen në Universitet, shpesh pa ngrënë fare, shkonim shtëpi në shtëpi të shqiptarëve në Stamboll dhe në fshatrat për rreth për të mbledhur ndihma për Shqipërinë. Kjo qe një punë raskapitëse, dhe jo rrallë në shtëpi përfundonim pas mesit të natës”.
Komisioni u ndodh shpesh në pozita të vështira dhe thellësisht i prekur nga ndjenjat e bujarisë e të solidaritetit vëllazëror të shumicës së shqiptarëve. Ndihmat e mbledhura dërgoheshin në Shqipëri për paisjen e kryengritësve shqiptarë me armë dhe sende të tjera të nevojshme, duke dhënë kështu një kontribut me vlerë për realizimin e pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Më 28 nëntor 1912, Hafiz Xhemali dhe Patër Bonati, (hoxha dhe prifti), të përqafuar, kryetari dhe nënkryetari i shoqatës ngritën flamurin kombëtar në ballkonin e klubit, në mes të Stambollit.
Atë ditë, fëmijët e shqiptarëve të Stambollit të veshur me uniforma kuq e zi mbushnin tramvajet e Perandorisë.
Por, pavarësia e Shqipërisë, për të cilën ishin bërë aq sakrifica e ishin derdhur lumenj gjaku, nuk zgjati shumë. Ajo i nxiti edhe më shumë fqinjët grabitqarë, që, pasi krijuan trazira, u sulën si hijena mbi Shqipërinë e sapolindur e që kërkonte të ngrihej në këmbë, për t’a shqyer përfundimisht. Luftërat Ballkanike u pasuan nga Lufta Botërore, mjerimet dhe vuajtjet e shqiptarëve ishin të jashtëzakonëshme. Zija ishte pllakosur në çdo vatër shqiptare.
Fatet e Shqipërisë ishin në rrezik. Prandaj periudha 1918 – 1919, për shoqatën “Bashkimi’ ka qenë shumë intensive.Në kohën e konferencës së paqes në Paris, më 1919, Hafiz Xhemal Dibra, si drejtues i klubit ka punuar pa u lodhur për njohjen e Shqipërisë nga konferenca. Madje klubi kishte dërguar një delegacion në Paris. Ky delegacion financohej kryesisht nga Fuat bej Dibra, i biri i Ismail Pashë Saraçit, kryetarit dhe organizatorit të Kongresit të Dibrës më 1909. Xhemali fliste vazhdimisht për përpjekjet e bëra e për telegramet që këmbente klubi me delegacionin e Parisit, me anë të flotës amerikane të ankoruar në brigjet e Stambollit.
Shoqata “Bashkimi” dha një kontribut të madh në organizimin e Kongresit historik të Lushnjës, ku kolonia dërgoi delegatët e saj, ndërmjet të cilëve qenë Sulejman Delvina dhe Fuat Dibra.
Në vitin 1923, me ringjalljen e Turqisë, filloi dhe rigjallërimi i aktiviteteve shqiptare. Kështu, shoqata “Bashkimi” filloi të botojë një gazetë të përjavshme të quatur “Paqja”. Nr. 1 i kësaj gazete daton 12 nëntor 1923, me drejtor përgjegjës z. Hafiz Xhemalin (në origjinal Xhemal Dibra) dhe redaktor përgjegjës z. Anastas Frashëri (babai i Kristo Frashërit). Akademik Kristo Frashëri në librin e tij ”Jeta e një historiani” botim i ASh RSh, faqe 12-13 shkruan: “Me ndihmën e disa deputetëve dibranë, Hafiz Xhemal Dibrës dhe Abdurrahman Dibrës, me të cilët kishte bashkëpunuar kur ata botonin në Stamboll në vitin 1922 gazetën shqipe “Paqja”, babai u lejua të merrte pjesë në konkursin për stenograf, redaktor, të cilën e fitoi”.
Gazeta nuk ishte politike, por atdhetare dhe se kurdoherë do përpiqej për mbarëvajtjen e miqësisë ndërmjet popullit turk dhe shqiptar që banojnë në Turqi, do të mbrojë interesat e shqiptarëve në Turqi, do të punojë për zgjimin e popullit shqiptar, zbukurimin dhe ndriçimin e mendjes së shqiptarëve me shkrime arsimore, shkencore, letrare, enciklopedike për me ju dhanë shqiptarëve të Turqisë lajme nga Shqipëria, nga bota si dhe nga bursa e nga tregëtia.
Në një artikull redaksional, ku ndjehet stili i Hafiz Xhemalit me titull “Armëpushimi dhe Shqipëria” bëhet një historik i shkurtër i gjendjes politike në Shqipëri në vitet e vrullshme 1920-1923 dhe shkrimi mbyllet me këtë thirrje : “ Shumë shpejt Kuvendi Kushtetues do të mblidhet dhe çështja e qeverisjes do të marrë fund ashtu siç e mendon shpirti shqiptar dhe koha e sotme, prandaj shqiptarët duhet t’i çmojnë njerëzit nga punët dhe jo nga fjalët, sepse kemi nevojë për njerëz të punës, që kanë punuar e dinë të punojnë. Perëndia qoftë ndihmës për të gjithë ata që përpiqen për lumturinë e Atdheut”.
Rubrika tepër të ndjera janë ato që flasin për gjendjen e shqiptarëve të Greqisë dhe të Kosovës. Aty jepen fakte rrënqethëse se çfarë krimesh kryejnë bandat e kriminelëve të liruar nga burgjet greko-serbe mbi kurrizin e shqiptarëve, që t’i detyrojnë ata të braktisin vatrat e tyre stërgjyshore dhe të shpërngulen në Turqi, si shkëmbim me grekët e Anadollit, në një kohë që qeveria greke betohej në Lidhjen e Kombeve se shqiptarët nuk do t’i përfshinte në shkëmbim.Redaksia e gazetës “Paqja” ndiqte me kujdes edhe shtypin e kohës që botohej në Shqipëri dhe reagonte ndaj shkrimeve me frymë antishqiptare.
Më 4 janar 1924 u bënë zgjedhjet për kryesinë e re të shoqatës “Bashkimi” ku u dha llogari nga kryetari i deriatëhershëm Hafiz Xhemali për aktivitetin e kryer dhe gjendjen ekonomike të shoqërisë, raport i cili u pëlqye dhe u miratua.
Pasi mbaruan zgjedhjet, kryetari i pleqësisë së kaluar, me një fjalë të shkurtër me rastin që shkon në Shqipëri, ku u zgjodh Asamblist në Parlamentin Shqiptar, i zgjedhur në qytetin e tij të lindjes Dibër, falënderoi të gjithë anëtarët për përkrahjen që pati pleqësia e kryesia prej tij (kryetar i së cilës qëndroi 15 vjet rrjesht. Në kohën kur Hafiz Xhemali bënte këtë përshëndetje, administrata e qeverisë turke, e pa çliruar ende nga mentalitetet e vjetra antishqiptare, kishte nxjerrë një urdhër për deklarimin e Hafiz Xhemal Mullait person i padëshirueshëm për aktivitetin e tij patriotik në favor të Atdheut, të Shqipërisë, por atë tashmë e priste Atdheu i tij, për të cilin, deri në këtë moment kishte punuar pa u lodhur.
Fillimi i vitit 1924, Hafiz Xhemalin e gjen në Shqipëri, deputet të Dibrës në Kuvendin Kushtetues, propozuar nga shqiptarët e Turqisë, në një kohë kur gjendja politike e vendit ishte shumë e acaruar. Veprimtaria e Hafiz Xhemalit në Parlament i përmbahet plotësisht formulës së betimit të bërë prej tij si deputet, si dhe parimeve të shenjta të Kuranit të madhnueshëm, të cilave ai u është përmbajtur gjithë jetën e tij, e jo vetëm në politikë, por kudo, kurdo e ndaj kujtdo. Ai, si predikues i porosive të Kuranit, zbatonte me rigorozitet parimin se : “ Ai që nuk i zbaton vetë mësimet e Kuranit, nuk ka të drejtë morale t’i predikojë ato për të tjerët”.
Në diskutimet e tij, ndjehet thellësisht ndjenja e dashurisë për Atdheun dhe Kombin, e humanizmit, e drejtësisë e përgjegjësisë së lartë ndaj detyrës, e tolerancës fetare dhe politike, e guximit qytetar, e dashurisë së madhe për dijen e kulturën, e etikës qytetare, e ndershmërisë dhe pastërtisë morale, duke kryer kështu me nder detyrat e larta që i qenë besuar.
Hafiz Xhemal Dibra, si kryetar i Komisionit të Drejtësisë (ligjeve) në Parlament, dha një ndihmesë të shquar në hartimin e ligjeve themelore të shtetit shqiptar, që dhe sot, pas gati 90 viteve, spikasin për vlerat që mbartin.
Ndër këta ligje qe ai për ndëshkimin e fajeve si: propoganda kundër kombit dhe indipendencës shqiptare, përzjerja e fesë kundër politikës kombëtare e që sjell armiqësi dhe ftohtësi midis elementëve dhe feve të njohura në Republikën Shqiptare, propoganda antikombëtare jashtë Shqipërisë që bashkëpunon dhe merr të holla nga shtete të huaja, pjesëmarrja në komitete antikombëtare, ata që sjellin e shpërndajnë literaturë antikombëtare, etj. e që si thotë Hafiz Xhemali: “Këto gjana na kanë damtue mjaft në të kaluemen, prandaj duhet t’u presim rrugën”.
Në klimën e pasigurisë për jetën, në muajve mars, prill, maj të vitit 1924, ai qëndroi në krye të detyrës dhe këtë kërkonte prej të gjithë parlamentarëve që nuk paraqiteshin, e kërkoi të lajmërohen të gjitha Bashkitë dhe Asamblistët se “Asamblea asht e hapun tue pasë shumicën legale, se këtu nuk ka anormalitet,” dhe propozonte masa administrative për asamblistët që banonin në Tiranë dhe nuk paraqiteshin në detyrë.
Hafiz Xhemali karakterizohej nga një tolerancë fetare dhe politikë shembullore. Në periudhën janar-qershor 1924, Hafiz Xhemali dhe Fan Noli, njeri hoxhë e tjetri prift, njeri i popullores e tjetri i përparimtares, pra “kundërshtarë politikë”, në parlament qëndronin në krah të njeri tjetrit, e respektonin dhe e donin njeri tjetrin. Ata bisedonin shpesh për tema shoqërore dhe fetare, që kishin lidhje me ngjarjet e kohës dhe gjenin gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e problemeve gjithmonë me zgjidhje institucionale dhe jo me dhunë, sepse kjo e fundit binte ndesh edhe me besimet fetare, përfaqësues të të cilave ata ishin.
Të shtunën e datës 17maj 1924, në ora 15 00 hapet mbledhja e Asamblesë e cila fill pas hapjes, Hafiz Xhemali i kërkon kryetarit që, përpara se me hy në bisedim, propozoj pesë minuta heshtje për të nderue të ndjerin Avni Rustemi, propozim që pranohet. Theksojmë se me Avniun ai ishte në parti kundërshtare.
Shtëpia e Hafizit në Tiranë priste e përcillte shumë miq e hallexhinj, të cilët ai përpiqej t’i ndihmonte me çdo mënyrë, e shumë prej të cilëve ishin me pikpamje të ndryshme politike. Ai nuk i dallonte njerëzit nga pikpamjet e tyre politike, e aq më pak t’i shpërfillte kundërshtarët. Njerëzit ai i vlerësonte nga virtytet, patriotizmi, morali, dhe sjellja e tyre shoqërore e jo nga postet apo pasuritë, që edhe mund të mos përputheshin me virtytet e më sipërme. Ditën e Pashkës apo të Bajtamit, që në mëngjes herët ai fillonte vizitat te të njohurit dhe miqtë e tij të shumtë, duke filluar nga më të varfërit, sepse si thosh ai, “ndaj tyre kam më shumë detyrim, e te ata ndjej më shumë gëzim.”
Gjatë qëndrimit disa ditor në Selanik, në rrugën e kthimit nga Turqia, së bashku me diplomatin Rauf Fico, nënshkruan marrëveshjen për mos pranimin e kosovarëve në Turqi, ku serbët kërkonin t’i shpërngulnin për t’a pastruar Kosovën prej shqiptarëve, gjë që ndikoi edhe në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar të trojeve shqiptare në Jugosllavi. Gjatë kohës që Hafizi qëndroi në Selanik, kohën e lirë e kalonte me të dënuarin me vdekje në mungesë nga regjimi i kohës, me patriotin Hasan Prishtina.Hafiz Xhemal Dibra vlerësonte lart vlerat atdhetare të Hasanit, për të cilin ruante një respekt dhe vlerësim të lartë, si një patriot i madh.
Hafiz Xhemali, një njeri i thjeshtë që kishte mbrritur të arsimohej për hir të inteligjencës dhe vullnetit të tij të hekurt, ishte arsimdashës dhe përkrahës i flaktë i të rinjve që e donin arsimin dhe kulturën.
Ai, si intelektual, si besimtar e kishte kuptuar se një popull e një shtet nuk mund të përparojë pa njerëz të arsimuar.
Këtë e tregon edhe Lutja e deputeteve Kasem Radovicka dhe Hafiz Xhemalit për dhënie leje për nxjerrjen e gazetes ” Besa”. (AQSh, Fondi 152 (Ministria e Puneve te Brendshme), Viti 1931, Dosja 664, 2 flete, Data 3. 06. 1931)
Gjithmonë në mbrojtje të së drejtës, ja se ç’thotë ai mbi ligjin e shpronësimit të pasurive në kryeqytet, duke kundërshtuar mendimin e disa kolegëve që thoshin se tiranasit të mos kërkojnë shumë, se ata shpërblimin e kanë marrë që në çastin kur Tirana u bë kryeqytet dhe ai thotë : “A asht e drejtë që për këtë të dënojmë disafëmijë me ju prishë shtëpitë e me i qitë familjet në rrugë. Pra, për të mos me i thye zemrat që do të apin mallkime, them se ma parë duhet me u marrë vullneti i tyre tue ju pague çmimi i sotëm. Zbukurimi i kryeqytetit nuk mund të bëhet vetëm me sakrificën e disa personave dhe me të ardhurat e bashkisë, por siç e kanë ba të gjitha shtetet, zbukurimin e kryeqytetit ja kanë ngarkuar buxhetit të shtetit, kështu duhet të veprojë edhe qeveria jonë. Ç’do kujt që i shembet shtëpia i duhet ba pagesa kesh nga nji kredi shtetërore”.
Si intelektual dhe teolog i shquar, pjesëmarrës në kongrese ndërkombëtare të shkencëtarëve islamë, si njohës i thellë i fesë islame që i dëgjohej fjala midis muslimanëve shqiptarë, ai mori pjesë në përpilimin e raportit dhe të fetvasë për zbulimin e fytyrës, duke deklaruar se: “…dogma fetare myslimane nuk ka të bëjë me mbulimin e fytyrës së gruas” dhe e mbyll ligjëratën e tij me këto fjalë: “Ç’do shqiptar mashkull duhet t’a konsiderojë femrëm si mëmë, motër, bijë, e kështu duhet ta konsiderojë mashkullin si babë, vëlla, bir, ashtu sikur e ka zakon shqiptari ta ruajë nderin”. Për këtë qëndrim përparimtar e të emancipuar, ai mori me qindra letra, kartolina e telegrame përgëzimi nga gratë shqiptare.Për heqjen e ferexhesë me kërkesë të Mbretit Zog, nisma erdhi nga Komiteti Mysliman i Shqipërisë. Gjatë diskutimit në parlament përvec Hafiz Xhemal Mullait Dibrës folën deputetët Jashar Erebara, Xhemal Naipi, Fiqiri Rusi , Fejzi Alizoti etj. Xhemali në fjalën e tij argumentoi se në librat fetarë nuk shkruhet për mbulimin e fytyrës, por përkundrazi lejohet zbulimi i fytyrës.
Në të gjitha diskutimet e tij ndjehet kërkesa për respektimin e ligjeve themelore të shtetit, të rregullave të proçedurës parlamentare, të sensit të arsyes dhe të masës, i drejtësisë shoqërore.
Për një periudhë kohe, ai ka dhënë kontributin e tij si drejtor përgjegjës i gazetës “Besa”.
Kur qeverisë shqiptare iu dorëzua ultimatum fashist në prill 1939, ai mbajti një fjalim të zjarrtë në Parlament, duke kërkuar “arrestimin e të gjithë italianëve që ndodheshin në vendin tonë” si kundërpërgjigje. Ai u bëri thirrje kolegëve të tij, “të veshin opingat, të ngjeshin pushkën në krah e të dalin të presin armikun ashtu siç e ka zakon shqiptari”.
Fjala e tij ishte e sinqertë e dilte nga shpirti i një atdhetari të sprovuar. Fjalime patriotike pati edhe nga ndonjë koleg tjetër në Parlament, por për çudi, pas disa kohe ato morën poste të larta në qeveritë kolaboracioniste, ndërsa Hafiz Xhemali burgosej dhe internohej në Itali, me porosinë që të vendosej në një vend ku nuk kishte studentë shqiptarë. Kjo sepse dihej botërisht se gëzonte dashuri dhe respekt të veçantë midis popullit të thjeshtë e, sidomos, midis të rinjve. Internimi për 4 vjet motivohej me fjalët : “Njeri me influencë në Shqipërinë e mesme dhe veriore, armik i betuar i fashizmit.”
Qëndrimi dinjitoz i një besimtari të devotshëm islam, efektet që krijonin te njerëzit fjalët e tij, i mahnitën qytetarët e Bergamos, që e dëgjonin dhe e përcillnin nga afër jetën e tij dhe për këtë, i dërguan një lutje Papës, ku kërkohej ndërhyrja e tij për lirimin nga internimi të Hafizit duke përdorur shprehjen: “Qeveria ka internuar një njeri të shenjtë”. Kur afati i internimit të tijmbaroi, Bashkia e Bergamos i bëri thirrje që Hafizi me familje të qëndronin, duke marrë përsipër edhe sistemimin e tyre.
Pas kthimit nga internimi, në vite 43-44, Hafizi, edhe për moshën që kishte (63 vjeç), nuk u aktivizua në politikë, duke iu përkushtuar vetëm fesë si mësues në Medrese.
Në vitin 1947, iu shtetëzua shtëpia e ndërtuar më 1934, në të cilën nuk banoi asnjë ditë, sepse u detyrua t’a lëshojë me qira, për të shlyer borxhet që kishte marrë për të. Më pas, e nxorrën nga shtëpia ku banonin me qera dhe përdhunisht u vendosën në Laprakë.
Përveç shtëpisë i sekuestruan edhe kambalecat e cigareve, dollapet e librave, radioja dhe gjithçka tjetër që i ndjeri i kishte sjellë prej Stambolli. Me që Lapraka ishte shumë afër Tiranës, u urbanizuan në Durrës, pa i siguruar as banesë, as mjete jetese. Të njohurit e morën në shtëpinë e tyre dhe besimtarët e ndihmuan për të jetuar. Me që në Durrës u bë tepër popullor, e urdhëruan të rikthehet në Tiranë , përsëri në mëshirë të fatit.
Komuniteti Mysliman, personalisht kryetari i saj, Hafiz Musa Basha, e emëroi disa herë si mësues, si kujdestar konvikti, madje edhe si drejtor të Medresesë, por shpejt, me urdhër nga lart e nxirrnin në rrugë të madhe. Më kujtohen takimet e Hafiz Xhemalit me Hafiz Ali Korçën, patriot që përveç se me penë, luftoi edhe me pushkë për lirinë e Shqipërisë, i internuar në Kavajë, që qanin hallet e Atdheut e të besimtarëve islamë të mbetur pa barinj, sepse pjesa më e kulturuar e hoxhallarëve ose ishin ekzekutuar, ose ndodheshin në burgje e internime.
I mbetur në rrugë të madhe, në pamundësi ta mbante, bibliotekën e tij të madhe ia dhuroi Medresesë, që u shpërdorua dhe u dogj pas ndalimit me dhunë të veprimtarive fetare në vitet 60-të. Po të njëjtin fat pësoi edhe fondi shqip i bibliotekës së tij, e shpërndarë lart e poshtë, së bashku me të humbën botime të rralla të rilindasve, koleksione të gazetave e revistave që ishin botuar në Shqipëri.
Për kontributin e tij madhor në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në vitin 2016 u dekorua me medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Literatura:
- Listat e deputetëve dhe senatorëve të Parlamentit Shqiptar 1924-1944
- Arkivi Qendror i Shtetit, dosja personale
- Koleksioni i Gazetës “Paqja” 1923-1924, Stamboll
- “100 Personalitete shqiptare të cultures islame” faqe 284-286, (shek XIX-XX) 2012
- Kristo Frashëri, “Jeta e një historiani” 2014, faqe 12-13
- Sakip Cami “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” 2022 faqe 246
- Dr. Genti Kruja, “Klerikët myslimanë të dënuar nga komunizmi”
- Astrit Daci, Gazeta “Rruga e Arbrit”, 13.3.2019
- Ali Musa Basha, “Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri”, 2011
- Islam Gjakova, Roli i klerikëve myslimanë për cështjen kombëtare
- AQSH, Letra dhe dokumenta për shoqërinë “Bashkimi”
- Kujtimet e znj. Nermin Daci, mbesa e Xhemal Mullait