Albspirit

Media/News/Publishing

Ermir Hoxha sjell monografinë kushtuar jetës dhe veprës së skulptorit Arben Bajo

Veprat e skulptorit të mirënjohur Arben Bajo janë të shumta. Një artist i vlerësuar përgjatë aktivitetit të tij, i cili ishte edhe pedagog i Departamentit të Skulpturës pranë Fakultetit të Arteve të Bukura-Universiteti i Arteve. Një monografi në formë katalogu dedikuar jetës dhe veprës së skulptorit të mirënjohur shqiptar Arben Bajo është përgatitur nga studiuesi i artit dr. Ermir Hoxha.

Skulptori Arben Bajo një nga emrat më të rëndësishëm të skulpturës bashkëkohore shqiptare, u nda nga jeta gjatë pandemisë Covid 19, në gusht të vitit 2020, duke ndërprerë në mes karrierën e tij të suksesshme që shtrihej në mbi tre dekada. Dr. Ermir Hoxha shprehet se autor i dhjetë ekspozitave personale brenda dhe jashtë vendit dhe dhjetra të tjera në grup, Arben Bajo ishte një nga personalitetet më të rëndësishëm të kohës së vet.

“Me krijimtarinë e tij, shtrirë në mbi tre dekada, ai përbën një nga zërat më përfaqësues të skulpturës shqiptare bashkëkohore. Me realizimin e këtij botimi, vlerësohet jo vetëm krijimtaria e tij, por dhe vetë fizionomia e skulpturës shqiptare të dekadave të fundit”, shprehet dr. Ermir Hoxha. Botimi voluminoz me 420 faqe u bë i mundur falë mbështetjes financiare të Bashkisë Tirane dhe promovohet këtë të hënë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

Ermir Hoxha shprehet se ai paraprihet nga një tekst prezantues dhe shpjegues mbi krijimtarinë e skulptorit Arben Bajos, disa intervista të vetë autorit dhe disa tekste kuratoriale të realizuara nga miku dhe konsulenti i botimit profesor Gazmend Leka. Pjesa tjetër rreth 80 për qind e tij i takojnë krijimtarisë së tij në shtrirje kronologjike në formë katalogu. Arben Bajo lindi në vitin 1967 në Gjirokastër, liceun e kreu në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë në vitet 1988-1992.

Please follow and like us: